E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roma i jep leksion Interit, Juve fiton mes polemikave

ITALI- Roma ka ulur me këmbë në tokë Interin, duke triumfuar 3-1 në "San Siro", në një ndeshje të barabartë dhe spektakolare. Verdhekuqtë e Zdenek Zeman kanë arritur të marrin 3 pikë në një fushë mjaft të vështirë, pas një 90- minutëshi të luajtur në ritme tepër të larta. Trajneri çek dhe Roma e tij i kanë dhënë një leksion Interit dhe Stramaçonit, në atë që shihej si ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave në Serinë A. Florenci realizoi golin e parë në minutën e 15-të, por Kasano barazoi gjithçka para fundit të pjesës së parë, pas një gjuajtje të devijuar, që përfundoi në portën e Stekelenburg. Në pjesën e dytë, Interi u duk se e rriti ritmin, por Roma ka qenë shumë e rrezikshme në kundërsulm. Në një prej tyre, Osvaldo e ngriti topin mbi portierin Kastelaci, duke kaluar Romën në avantazh. Më pas ishte Markuinjo që e çoi takimin në 3-1 pas një goli kryevepër, ndërkohë që në fund pati kohë edhe për një karton të kuq për Osvaldon. 

JUVENTUSI 
Në takimin e parë të luajtur dje, Juventusi ka shkatërruar 4-1 Udinezen në Friuli, në një ndeshje ku bardhezinjtë kanë dominuar totalisht, por që sërish nuk u ka shpëtuar polemikave. Vidal me penallti, Vuçiniç dhe një dopietë e Xhovinkos, i kanë dhënë një sukses të merituar skuadrës kampione në fuqi. Momenti kyç i ndeshjes ka qenë minuta e 12-të, kur Lishtajner, pas një topi të marrë nga Pirlo, ka hyrë në zonë dhe është ndalur në mënyrë të parregullt nga portieri Bërkiç. Penallti dhe karton i kuq për numrin 1 të Udinezes. Nga pika e bardhë Vidal nuk ka falur, duke realizuar golin e avantazhit dhe duke lehtësuar ndeshjen për Juventusin. Vuçiniç dyfishoi shifrat në minutën e fundit të pjesës së parë, ndërsa në të dytën erdhi "Xhovinko shoë". Dy gola të ish-talentit të Parmës, që tregon se Juvja ka bërë mirë që e ka rikthyer. "Ky arbitër nuk ka ekuilibër dhe buonsens, - deklaroi presidenti i Udinezes Poco për gjyqtarin Valeri. - Është një arbitër që i shkatërron ndeshjet, njëherë erdhi këtu dhe dha karton të kuq për Inler pas 15 minutash", shtoi ai. 

NDESHJET 
Në takimet e tjera të luajtura dje, Napoli fitoi 2-1 ndaj Fiorentinës, duke marrë 6 pikë të plota nga dy ndeshjet e para. Hamshik e Xhemajli ishin autorët e golave për skuadrën e Maxarrit, ndërsa i zakonshmi Jovetiç shkurtoi për Fiorentinën. Ndërkohë, fitore e pastër 3- 0 për Lacion ndaj Palermos, ku hero ishte Miroslav Klose me dy gola. Fitore e madhe edhe për Katanian, që përmbysi disavantazhin ndaj Xhenoas, duke e mbyllur takimin në shifrat 3-2. Ndërkohë, Parma triumfoi 2-0 ndaj Kievos, ndërsa Sampdoria mori 3 pikët pasi mundi 2-1 Sienën e Bogdanit. Në ndeshjen tjetër, Kaljari e Atalanta barazuan 1-1.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›