E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet pa klube

Afati kalimtar i verës për futbollistë u mbyll të premten, por për dikë mbetet ende i hapur. Futbollistë të lirë, duke përfshirë yje të njohura janë në kërkim të skuadrave të reja. Ende nuk dihet se ku do ta vazhdojë karrierën Alessandro Del Piero. Status të njëjtë me të kanë edhe mbrojtësit Gianluca Zambrotta, Fabio Grosso, por edhe portieri Artur Boruc e sulmuesi Michael Owen.

Afati kalimtar i verës për futbollistë u mbyll të premten, por jo për të gjithë. Enigma kryesore vazhdon të jetë ajo se ku do të luajë Alessandro Del Piero? Në moshën 38 vjeç, ish-kapiteni i Juventusit është në kërkim të një skuadre të re pas largimit nga gjiganti torinez në përfundim të sezonit të kaluar.

Së bashku me të, edhe shumë futbollistë të tjerë me famë botërore janë ende pa skuadër dhe pavarësisht mbylljes së afatit kalimtar, ata kanë të drejtë të fillojnë aventura të reja. Del Piero kërkohet nga klube të ndryshme duke përfshirë skuadrën australiane Sydney FC që madje njoftoi se ka arritur marrëveshje për transferimin e tij në atë që përshkruhej si përforcimi më i madh në histori të A-League.

Por, menaxheri i tij, Stefano mohoi zyrtarizimin e marrëveshjes duke thënë: “Jemi duke analizuar ofertën”. Edhe skuadra zvicerane Sion ishte vënë në kërkim të Del Pieros, por duket se ikona e Juventusit nuk ishte bindur nga projekti i klubit ku do të bashkohej me ish bashkëlojtarin e tij nga përfaqësuesja italiane, Gennaro Gattuso.

Përveç Sydney FC, si destinacion i mundshëm për Del Pieron mund të jetë edhe Anglia, veçanërisht nga Southamptoni. Del Piero përgatitet t’i thotë lamtumirë Italisë, njësoj siç u përshëndet me Juventusin. Një lamtumirë e vështirë për mbarë Serinë A.

E çuditshme që emri i tij është në listën e atyre që u larguan nga Serie A, pa kontratë. Një fat të cilin ai e ndan me disa ish-bashkëlojtarë nga ekipi i Azzurrëve, duke përfshirë mbrojtësin e majtë Fabio Grosso (34 vjeç), një prej heronjve të Italisë nga triumfi në Kampionatin botëror 2006, në Gjermani.

Ai bashkërisht me Del Pieron realizuan golat në fitoren 2-0 ndaj Gjermanisë, në gjysmëfinale, si dhe ishin realizatorë në penalltitë fituese në finale ndaj Francës. Disa javë më parë spekulohej me kalim të Pescara, por interesimi nuk u përcoll me një telefonatë. Më thjesht, realizimi i transferimit larg Italisë.

Po stërvitet edhe mbrojtësi i djathtë, Gianluca Zambrotta (35 vjeç), i cili duket i bindur të vazhdojë të luajë pas largimit nga Milani në përfundim të sezonit të kaluar. Pa kontratë është edhe një tjetër ish-kampion i botës, mesfushori Simone Barone (34 vjeç), vitin e kaluar luajti në Serie B me Livornon.

Mundësitë e tjera nuk mungojnë: nga portierët si Artur Boruc (32 vjeç) e Alex Manninger (35), ky i fundit spekulohet për kalim tek Udinese. Të lirë ka edhe sulmues si David Suazo (32), ose Michael Owen (32), i lënë i lirë nga Manchester United, pas përfundimit të sezonit të kaluar.

Rregulla: Pas mbylljes së afatit kalimtar të verës, të drejtë transferimi kanë vetëm futbollistët që janë liruar nga klubet deri më 30 qershor. Kurse, të gjithë ata që kanë shkëputur kontratat me klubet nga 1 korriku e tutje, duhet të presin hapjen e afatit kalimtar në janar, në mënyrë që të gjejnë një skuadër të re.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›