Roma "në ditë të zeza", konfirmohet Spaleti
Roma nuk e beson, nuk dëshiron ta besojë. Skuadra, që ishte nisur si rivalja më e fortë për titull e interistëve në Serinë A, tashmë gjendet e katërta nga fundi, me 7 pikë në 9 ndeshje dhe një bilanc me 5 humbje radhazi në të gjitha kompeticionet. Kthimi natën në shtëpi, pas humbjes 2-0 në Torino, ka qenë më se i zhurmshëm: në fakt, tifozët verdhekuq kanë goditur autobusin e futbollistëve, duke hedhur monedha dhe duke bërtitur "Mercenarë, mercenarë... Punoni!". Sigurisht kjo nuk ka qenë një mënyrë e mirë për të rifilluar stërvitjen për ndeshjen e radhës në Champions kundër Çelsit, një takim që mund të konsiderohet fondamental për klubin italian. Për të analizuar me seriozitet momentin e vështirë të skuadrës, drejtori sportiv Prade ka kërkuar që të sjellë pak qetësi me fjalët e tij dje në mëngjes. "Zona e shpëtimit? Është e vërtetë se kur shikon këtë situatë duhet të mendosh për atë që po përjeton, ka thënë Prade. Por nuk mund të mendojmë se kjo është një skuadër që lufton për zonën e shpëtimit, pasi kështu do të duhet të thoshim se gjithë vitet tona të punës do të përfundonin për bamirësi. Kjo është një skuadër që ka luajtur futbollin më të bukur në Evropë. Është një sezon i nisur keq, mes dëmtimesh dhe modulesh jo të duhura. Kur t‘i kemi të gjithë në dispozicion, gjërat do të ndryshojnë, gjithnjë me Spaletin në drejtimin e Romës. Ai do të jetë ‘shefi‘ ynë edhe për shumë kohë". Lajmi i mirë i mëngjesit të së dielës vjen nga lojtarët e rikuperuar: Edhe Françesko Toti është stërvitur (veçmas) dhe do të bëjë gjithçka për të qenë në fushë të mërkurën në Olimpiko ndaj Çelsit. Këtë ndeshje romanët do të jenë të detyruar ta fitojnë, për të shpresuar më pas edhe për kualifikimin për në turin tjetër të Champions. Sigurisht nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, sepse "Blues"-at e Skolarit janë të papërmbajtshëm në Premier League. Në këtë ndeshje rikthehet Drogba për anglezët, por nuk do të jetë Ashli Kol për një problem në pulpë.