Spanja, skuadra me vlerën më të lartë në Kupën e Botës 2010
çmimi i lojtarëve të pranishëm në Afrikën e Jugut kap shifrën 5 miliardë e 630 milionë euro
Botërori 2010 do të bëjë që gjatë verës, në Afrikën e Jugut të luajnë pjesa më e madhe e yjeve të futbollit ndërkombëtar. Lojtarë, vlera e të cilëve është jashtëzakonisht e lartë. çmimi në merkato i futbollistëve të 32 përfaqësueseve të kualifikuara në Kupën e Botës, kap shifrën 5 miliardë e 630 milionë euro. Për t’u theksuar është fakti se kjo vlerë është thuajse sa kostoja e përgjithshme, që do të shpenzohet nga ekonomia afrikanojugore për organizimin e evenimentit më të rëndësishëm të top-këmbës në nivel botëror: 4.6 miliardë euro nëpërmjet investimeve në konstruksion dhe 1.5 miliardë euro nëpërmjet turizmit (burim i këtyre të dhënave është qeveria e Afrikës së Jugut). Përllogaritja, e para e këtij lloji, është bërë nga “Futebol Finance”, që ka publikuar vlerën e futbollistëve të aktivizuar nga të gjitha skuadrat pjesëmarrëse gjatë ndeshjeve eliminatore. Agjencia portugeze ka përcaktuar çmimin e secilit sportist nëpërmjet “konsultimit me funksionarë të ndryshëm të FIFA-s dhe me agjencitë e menaxherëve, të cilat cilësohen si më të kualifikuarat në vlerësimin e kostove ekonomike të futbollistëve”. Megjithatë, shifra pritet që të ndryshojë deri në startin e botërorit, për shkak të dëmtimeve të mundshme dhe të zgjedhjeve teknike nga trajnerët, në listat me lojtarët e grumbulluar.
Futbollistët do të jenë pjesa më e vyer e aktivitetit që zhvillohet në tokën e diamanteve. Spanja, kampionia në fuqi e Europës, është skuadra më e çmuar në aspektin ekonomik. “Furia e Kuqe”, me yje si Andres Iniesta, Ksavi, David Vija, Fernando Torres, Iker Kasiljas, Serxho Ramos e shumë të tjera kushton plotë 565 milionë euro. Pas iberikëve, “podiumi” plotësohet nga Brazili (515 milionë euro) dhe Franca (450 milionë euro). Pas tyre vijnë Anglia (450) dhe kampionia në fuqi e botës, Italia (400). Grupi G është më i pasuri i të gjithë aktivitetit: përveç yjeve të “seleçaos”, aty luan Portugalia e Kristiano Ronaldos (e cila vlen 380 milionë euro), Bregu i Fildishtë i Didië Drogbasë (180 milionë euro) dhe Koreja e Veriut (skuadra më e varfër e Botërorit 2010, së bashku me Zelandën e Re, lojtarët e të cilës kushtojnë vetëm 15 milionë euro). I etiketuar ndryshe si “grupi i vdekjes”, sipas shifrave të përllogaritura Grupi G vlen plot 1.05 miliardë euro. Më pas vjen Grupi H, ku luajnë Spanja, Zvicra, Hondurasi dhe Kili, me vlerë 810 milionë euro dhe Grupi A i Francës, Afrikës së Jugut, Meksikës dhe Uruguait që kushton 725 milionë euro. Shifra më “modeste” janë ato të Grupit C ku militon Anglia (595 milionë euro) dhe Grupit E të Holandës (575 milionë euro). Sfida më e shtrenjtë e fazës në grupe do të jetë ajo ndërmjet Brazilit dhe Portugalisë: në fushë do të zbresin 22 futbollistë, që së bashku kushtojnë 895 milionë euro. E dyta është një tjetër ndeshje e Brazilit, këtë radhë kundër Bregut të Fildishtë, që vlen 695 milionë euro. Më pas vijnë Spanjë-Zvicër (680 milionë euro) dhe Francë-Uruguai (595 milionë euro).
#