E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hemilton i kërkon falje Alonsos pas dy vjetësh

Formula 1

Luis Hemilton i kërkon ndjesë Fernando Alonsos? Mediat spanjolle flasin për një pilot anglez, që ka kërkuar falje publike për “luftën” që u zhvillua në skuadrën MekLaren në Botërorin 2007 të Formula 1. Pavarësisht interpretimeve, duket qartë që ish-kampioni i botës përdor fjalë mjaft të qeta rreth problemeve brenda skuadrës britanike, të cilat i dhuruan Kimi Raikonenit titullin e kampionit. “Ndoshta në vitin 2007 duhej ta kisha administruar më mirë marrëdhënien time me Alonson”, deklaroi Hemilton gjatë një interviste për “BBC”. Në atë periudhë, shkëndijat mes dy pilotëve ishin të dukshme dhe të përsëritura, madje spanjolli akuzoi skuadrën se bënte diferencime mes pilotëve. Tashmë, anglo-arabi thotë: “Në fillim të sezonit tim të parë me MekLarenin garoja përkrah dy herë kampionit të botës dhe e shihja Alonson si favoritin kryesor për të fituar titullin. Mendoj se në atë periudhë i kuptova dhe interpretova keq objektivat e skuadrës. Por, prej ditës së parë me këtë skuadër, mekanikët bëjnë maksimumin që t’i japin secilit pilot makinën më të mirë të mundshme”. Hemilton nënvijëzoi: “Asnjëherë nuk kam pasur përkrah meje një person më tepër sesa shoku i skuadrës, gjithmonë kemi pasur mundësi të barabarta. Kjo është e rëndësishme kur punon në skuadër. Megjithatë, është e paevitueshme në rastet kur mungojnë rezultatet, që të thuhen fraza prej zemërimit, ose deklarata që nuk duhen bërë publikisht”. Në fund, ai siguroi se me Xhenson Baton nuk do të ndodhë e njëjta gjë: “është një situatë e ndryshme, me të kuptohemi shumë mirë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›