Kapelo shpreson që Brixh do të rikthehet
Fabio Kapelo vazhdon të shpresojë se Uejn Brixh do të ndryshojë mendim dhe do të jetë pjesë e përfaqësueses angleze në Botërorin 2010. Pas lidhjes së Xhon Territ me ish të fejuarën e tij, mbrojtësi i Mançester Sitit kishte bërë të ditur se për të evituar maksimalisht ish-shokun e skuadrës, nuk do të luante më me Kombëtaren. Brixh shihet si një element mjaft i rëndësishëm, edhe për faktin se ai pritet të luajë në formacionin titullar pas dëmtimit të Ashli Kol. Një burim pranë trajnerit pohoi për tabloidin “The Sun”: “Kapelo ende nuk i ka humbur shpresat për rikthimin e Brixh, edhe pse futbollisti është shprehur kategorik në qëndrimin e tij për të mos luajtur në botëror. Trajneri do të vazhdojë ta monitorojë situatën e Brixh”. Ndërkohë, mediat britanike kanë bërë të ditur se Kapelo ka refuzuar ofertën e Federatës Ruse, për t’u bërë pasardhës i Gus Hidink dhe synon të qëndrojë tek Anglia deri më 2012-n.
#