Çfarë më tha në telefon Kadri Hazbiu për nëndetësen e huaj
Autori i Lajmit: Denisa KONAIncidentet ushtarake nuk ishin një trill. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë i kishte njohur ato. Një nga më të njohurat, një provokacion flagrant që përshkruhet si ngjarja më e rëndë në historinë e Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë. Një nëndetëse e huaj enigmatike arriti të depërtonte në Gjirin e Vlorës. Askush nuk e kishte kapur, deri në momentin kur ajo u shfaq me një pjesë të vogël së saj, mbi ujë. Alarmi përshkoi tejembanë të gjitha repartet e mbrojtjes. Komandanti i brigadës së nëndetëseve në atë kohë, kundëradmirali Fitim Halili tregon detajet dhe ndërton disa hipoteza rreth kësaj ngjarjeje që mbeti mister.
“Duhet ta pranojmë që nëndetësja e huaj nuk u zbulua prej nesh, por u vetëzbulua,- thotë ai.- Për shkak të terrenit, të një gabimi të saj në llogaritje, nëndetësja doli mbi ujë. Por edhe pas kësaj, ajo nuk u arrit të identifikohej, pavarësisht nga hamendjet që jepen për këtë rast. Fakti është se ajo u vu nën kontroll dhe nga ana e brigadës së nëndetëseve u realizua një operacion i sinkronizuar, ku mundësitë për goditje u krijuan plotësisht. Por në fazën e fundit të veprimit, urdhri për goditje erdhi me vonesë. Ish-komandant Fitimi e lë në heshtje faktin, se si shpjegohet që nëndetësja e huaj nuk u arrit të goditej, ndonëse pohon se nga komanda e anijeve gjuajtëse- bombarduese njoftoheshin se nëndetësja e huaj u kishte humbur. “Dhe ne tri here ua kemi gjetur, ua kemi treguar se ku është nëndetësja”. Ai beson se ajo mund të ishte goditur.
Por sa për identitetin e kësaj nëndetëseje, këtë e dinë vetëm shtabet e vendit që e dërguan,- thotë komandanti i nënujsve. Ndërsa ne mund të shtrojmë vetëm dyshime nisur nga karakteristika të veçanta të saj, manovrat që përdorte apo taktika e veprimit, nisur edhe nga vlerësimi i situatës si dhe informacionet që morëm nëpërmjet zbulimit nga anijet e tjera. Këto më çojnë në dyshime të forta, por përderisa nuk mund të konfirmohej plotësisht shtetësia e kësaj nëndetëseje, asgjë nuk mund të thuhet zyrtarisht. Unë mendoj se mund të ketë qenë ruse. Por një gjë është e sigurt: Ajo nëndetëse përfaqëson një teknologji të një ushtrie me përvojë të madhe në artin e lundrimit nënujë. Kapiteni i saj ka qenë padyshim i një kalibri të lartë dhe nëse do të kisha mundësi, sot do ti shtrëngoja dorën si koleg, për profesionalizmin që tregoi duke na ikur nga duart. Kjo nuk ia ul meritat e tij, edhe pse dalja mbi ujë e nëndetëses qe një gabim nga ana e tyre, gjë që vjen edhe për shkak të veçorive hidrolundrimore të Gjirit të Vlorës me specifikën e veprimit të rrymave në sipërfaqe dhe nën ujë, drejtimi i të cilave ndryshon vazhdmisht në një cikël batice e zbatice. Nuk e përjashtoj mundësinë, që të ketë qenë edhe anije atomike, duke parë manovrën e madhe që kryente dhe shpejtësinë e madhe të lëvizjes. Goditja e saj ndoshta u vonua, sepse në fazën e parë, komanda kishte si qëllim ta nxirrte atë në sipërfaqe. Këtë kërkoi edhe ministri Kadri Hazbiu. Kurse goditjet me bomba thellësie ishin paralajmëruese dhe kërcënuese. Më tej, ashtu si rodhën ngjarjet, kur u pa që nëndetësja e huaj nuk do të dilte në sipërfaqe, u dha vendimi për ta asgjësuar, ndonëse atëherë ishte tepër vonë. Ajo doli nga kanali jugor i Sazanit, u zhyt në thellësi të madhe mbi 250 metra dhe doli në ujërat territoriale. Pas kësaj, veprimi ynë nuk mund të vazhdonte. Dua të them se ish-ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, ka luajtur një rol madhor në këtë operacion. Gjatë gjithë kohës së ndjekjes ka qëndruar në telefon dhe gjatë gjithë kësja kohe nuk kam ndjerë lëkundje në zërin e tij. Pasi ne kërkuam që të hapnim zjarr, ai bëri përpjekje për tu lidhuir me kryeministrin Mehmet Shehu, që u tha se ndodhej në një inspektim larg Tiranës. Kështu që u kërkua miratimi i Enver Hoxhës. Por para se të merrej miratimi i tij, Kadri Hazbiu më bëri dy pyetje: Nëse goditet dhe nëndetësja eksplozon në gjirin e Vlorës, çfarë pasojash do të ketë?” Ndërsa pyetja tjetër është më profesionale: “Si vërtetohet, nëse një nëndetëse është mbytur apo jo?” Pasi i dhashë përgjigjen time, kaluan vetëm disa minuta sa mbërriti konfirmimi i komandantit të përgjithshëm, Enver Hoxhës. “Të hapet zjarr!” Por ky urdhër mbërriti kur nëndetësja kishte dalë nga Gjiri i Vlorës. Bombat e thellësisë megjithëkëtë janë hedhur në distancën që nëndetësja e huaj të gjendej brenda zonës së shpërthimit. Ndërkaq, nëndetësja jonë e cila e ka ndjekur nëndetësen e huaj gjatë gjithë kohës së hapjes së zjarrit nga minahedhësja, konstatoi vibrime akustike të saj. Këto shenja tregonin qartë se nëndetësja rriti shpejtësinë e lëvizjes dhe thellësinë e zhytjes në përpjekje që ti shpëtonte asgjësimit dhe manovrat e një komandanti gjeni e shpëtuan atë.”
Avaria
Zjarri në nëndetëse
Fitim Halili kujton sot se rrezikun, nëndetësja e kishte gjithnjë me vete, madje, jo vetëm kur ishte në thellësi, por edhe në qetësi, gjatë qëndrimit në bazë. Madje, disa aksidente të rënies së zjarrit apo të futjes së ujit kanë ndodhur pikërisht në kushtet e bazës, kujton ai. Por rasti i zjarrit që erdhi prej një avarie teknike, në vitin 67, gjatë karikimit të baterive akumulatore, ishte një nga më të rëndët. Ky zjarr u mori jetën disa anëtarëve të ekuipazhit. Oficeri i nëndetëses në atë kohë, Fitim Halili dëshiron të përkujtojë aktin e guximshëm të marinarëve dëshmorë Aleksandër Prifti, Rui Hallka, Ismail Muhameti, si dhe polumbarin Jani Samara. Kahas këtyre, mjeshtrin radist, Pajtim Selmani, që mund të krahasohej me radistët më virtuozë të Luftës së Dytë Botërore. Por sidoqoftë, zjarri u arrit të lokalizohej e të shpëtohej nëndetësja me pjesën më të madhe të ekuipazhit. Për meritat që tregoi komandanti i nëndetëses Beqir Gërbi, oficeri i nëndetëses Fitim Halili bashkë me inxhinierin Viktor Pashko u dekoruan. Fitim Halili thotë:
“Gatë gjithë periudhës së aktivitetit nënujor, në nëndetëse kanë shërbyer marinarë inteligjentë e të devotshëm. Falë kësaj kemi kaluar shumë situata avarish që do të çonin në humbje të rënda, në mbytjen e nëndetëses me gjithë ekuipazhin”.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009