E Shtunë, 31 Tetor 2026

Synet-Kushtetuta

Për të bërë një Kushtetutë, shqiptarëve iu deshën tetë vjet. Për ta ndryshuar më ngjan se do të duhen më pak se tetë orë. Nuk është ndryshimi shqetësim, por rruga sesi po bëhet. Në vitin ‘94, me gjithë fushatën e dhunshme dhe mobilizimin e shtetit në mbrojtje të projektit "Berisha", Kushtetuta nuk u miratua nga referendumi popullor. I ngjirur dhe i drobitur, Presidenti doli dhe e ktheu humbjen në fitore: Pranoi vullnetin e sovranit.

A e dinte sovrani se për çfarë votoi apo nuk ia kishte haberin, kjo pak rëndësi ka. Kryesore është që populli u pyet. Vetëm katër vite më vonë, gjysma e "sovranit" mezi doli në votim në një tjetër referendum, i cili këtë radhë ia dha vendit Kushtetutën. As këtë herë nuk ishte se votuesit e lexuan, aq më pak e kuptuan përmbajtjen e projektit të ri. Por edhe kësaj here, e rëndësishme ishte që popullit iu mor dora.

Ndërsa sot, jo popullit, votuesit a sovranit që nuk po ia vërshëllen njeri, por as një pjese të mirë të Kuvendit që gjithë-gjithë numëron 140 frymë. Vetëm pak ditë më parë, Avokati i Popullit shprehu shqetësimin se ligjet po bëhen pa pyetur njerëzit e thjeshtë dhe grupet e interesit. Tani kjo prepotencë po shfaqet ashpër edhe te ndryshimet në këtë dokument kaq të rëndësishëm. Sot e kësaj dite, ende nuk kemi një shpjegim zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë se ku pikërisht do të futen duart, për ç‘arsye dhe ç‘të mira e të këqija do të sjellin ato.

Me të dëgjuar nga lajmet e të lexuar nga shtypi, kemi mësuar se po preket kryesisht sistemi i zgjedhjeve dhe forcimi i kompetencave të Kryeministrit në kurriz të Presidentit. E përkthyer më popullorçe, me zgjedhjet preket drejtpërdrejt pushteti i "sovranit", që do të thotë kyçi i sistemit. Me zhvendosjen e kompetencave prishen ekuilibrat e pushteteve, duke u përqendruar tek ekzekutivi. Për këto çështje duhej të paktën një debat i gjerë publik me specialistë dhe politikanë, dhe jo marrëveshja e dy partive më të mëdha në vend. Ǒekuilibrimi i pushtetit në këtë farë feje - tani edhe me ligj - nuk është edhe aq i shëndetshëm për demokracinë.

Në këtë vend me të shkuar totalitariste dhe me të tashme me portret të theksuar autoritarist, tejfryrja me pushtet e Kryeministrit (që tashmë do të jetë detyrimisht ose kryetari i PD-së ose kryetari i PS-së) prodhon me ligj një figurë të plotfuqishme, të tipit enverist. Pra, nëse në ‘94-n socialistët në opozitë luftuan të mos kishim President - Mbret, sot socialistët në opozitë po punojnë me demokratët në pushtet që të kemi Kryeministër - Duçe.

"Xherahët" e Kushtetutës pohojnë ballëlartë se ndryshimet po bëhen që të shmangen krizat. Pra, që ai që fiton zgjedhjet, për katër vjet të jetë rehat dhe i patrazuar nga ata që i humbasin zgjedhjet. Një ndër të këqijat e domosdoshme të kapitalizmit është edhe fakti që asgjë nuk është e sigurt. Mungesa e sigurisë dhe frika nga humbja në fakt janë edhe shtysa të rëndësishme që mbajnë gjallë sistemin dhe aktiv individin. Dhe pikërisht ata që duhej të qenë më të rrezikuarit (për rrjedhojë edhe më të kujdesshmit, më aktivët e më punëtorët), politikanët, ata janë më të rehatuarit. Kjo garanci - sipas politikanëve PD & PS - shmang krizat. Mirëpo krizat e derisotme, jo vetëm që i kanë pjellë pikërisht këto dy forca, por na kanë rënë edhe për shkak të gafave, papjekurisë dhe bajraktarizmit si në të majtën, ashtu edhe në të djathtën tonë. Në vend të nxjerrin mësim e të përsosin dialogun, bashkëpunimin dhe lojën sipas rregullave, deputetët tanë i presin drutë shkurt, duke prerë e ngjitur nene.

Një tjetër gallatë në këtë bashkëpunim historik soc-demokratik është si gjithnjë referenca te të huajt. Në ato fillimet e hapjes së Shqipërisë çoku mahniteshim kur na përrallisnin se gjermanët kanë dy rubineta në lavaman: një me birrë e një me ujë, kur na magjepsnin me shembuj herë të vërtetë e herë të trilluar nga Lindja e Perëndimi. Kur filluam të shohim të gjithë botë me sy, rrenacakët e lagjeve dolën nga qarkullimi bashkë me sajesat e fantazitë e tyre. Të vetmit që mbijetuan, madje bënë karrierë, sot i gjen në Kuvend e Qeveri. Kur vjen puna për të sjellë argumente, i gjejnë gjithnjë në Perëndim, në ligje, struktura e formula që i ka Amerika, Gjermania, Franca, Italia.

Puna është se realitetet tona dhe të këtyre vendeve janë vite dritë larg, në daç nga ekonomia, në daç nga historia, përbërja etnike e popullsisë, tradita e deri te forma e shtetit. Nëse mrekullohesh nga një nen gjerman apo amerikan për shembull, kjo nuk do të thotë se i rri pas këmbës edhe Shqipërisë, pasi dy shtetet e para janë federata. Nga një anë, mirë që nuk u ka shkuar mendja ta bëjnë si Anglia: pa Kushtetutë por me një dhomë lordësh që vendos pak a shumë si oda jonë e burrave. Në fakt, pak a shumë ka funksionuar e vazhdon të funksionojë edhe sot e kësaj dite.

Dhe së fundi, që të ndryshosh Kushtetutën do të thotë se të paktën ka ndryshuar në hapësirë dhe në kohë realiteti politik dhe shtetëror në vend. Pra, do të qe krejt normale që mbyllja e tranzicionit të përcillej edhe prej ndryshimeve të tilla. Anëtarësimi në BE - gjithashtu. Por ta përdorësh njërin prej shtyllave të shtetit si orendi salloni, që e ndryshon sa herë nuk të rri prapanica rehat në kolltukë, ky është tregues i mungesës së respektit për shtetin, përçmimin për zgjedhësit dhe tendencë e frikshme për pushtet tiranik dhe autokratik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›