E Diel, 1 Nëntor 2026

Romët paralajmërojnë protestë: Duam një vend ku të jetojmë

TIRANE- Familjet rome që jetojnë në afërsi të zonës së Tufinës në kryeqytet do të përfundojnë në rrugë. Kjo, pasi toka ku ata kanë vendosur barakat e tyre ka pronarin e saj, ndërkohë që ky i fundit iu ka dhënë afat 1 shkurtin për t’u larguar nga ky vend.

Të ndodhur në mes të katër rrugëve, romët kanë paralajmëruar protesta para Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, nëse ky institucion nuk gjen zgjidhje të menjëhershme. Barakat e tyre në këtë vend janë ngritur përpara 1 viti, pasi banesave të tyre në afërsi të Stacionit të Trenit iu vu flaka. Në fakt, ishin 45 familje të këtij komuniteti që u dëbuan me dhunë nga vendbanimet e tyre.

Këto familje u dhunuan e dëbuan për katër net me radhë nga civilë të armatosur. Në janarin e ftohtë, këto 9 familje jetojnë në kushte të mjerueshme: Çadra provizore, lagështirë dhe asgjë për t‘u ngrohur. Fëmijët janë të sëmurë dhe vizita e blerja e ilaçeve për ata është e pamundur. Ata i bëjnë thirrje shtetit për trajtim të barabartë dhe për një vend për të jetuar. Papunësia dhe diskriminimi social ka bërë që komuniteti rom të jetë më i varfëri në Shqipëri. Numri i këtij komuniteti në Tiranë arrin në 25 mijë vetë, ndërkohë që rreth 45% e tij është e papunë dhe nomade.

Disa vite më parë, një shpërngulje e tillë ka ndodhur me romët e Pogradecit, që u shpërngulën me forcë në një periferi të pajetueshme nga ndërtues privatë; e njëjta gjë ka ndodhur disa herë me grupe romësh në Korçë. Në të dyja qytetet nuk ka pasur asnjë ndryshim të gjendjes dhe romët kanë mbetur të harruar nga ana e strukturave qeveritare.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›