Romney kritikohet nga rivalët e tij republikanë

Profili i Mitt Romneyt si biznesmen është sulmuar nga rivalët e tij për kandidat të Partisë Republikane, për ta sfiduar presidentin amerikan, Barack Obama, në zgjedhjet e nëntorit.
Pesë kandidatët e mbetur, përfshirë Romneyn, kanë mbajtur një debat në shtetin e Karolinës së Jugut.
Raportohet se Romney, i cili veçse ka shënuar fitore në Iowa dhe New Hampshire, mund t’i afrohet edhe më shumë emërimit të tij nga ana e partisë, nëse e fiton edhe garën e së shtunës së ardhshme në Karolinën Jugore.
Debati i mbrëmshëm ndodhi vetëm disa orë pasi ish-ambasadori amerikan në Kinë, John Huntsman, u tërhoq nga gara, për ta mbështetur Romneyn.
Kandidatët e tjerë të mbetur në garë janë Newt Gingrich, Rick Santorum, Ron Paul dhe Rick Perry.