Rompuy-Thaçi: BE, pro politikës evropiane për Kosovën
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur nga Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy
Mësohet se temë kryesore gjatë takimit ishin zhvillimet e fundit në Kosovë, reformat që institucionet e Republikës së Kosovës janë duke i ndërmarrë në fushën e legjislacionit, si dhe përkushtimet e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e plotë të agjendës evropiane të integrimit.
Rompuy e ka çmuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, thuhet në deklaratën e publikuar në faqën zyrtare të kryeministrit.
Thaçi ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret që kanë të bëjnë me nisjen e dialogut të liberalizimit të vizave dhe me të drejtë presim që ky proces të fillojë në ditët e ardhshme. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka mirëpritur qëndrimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave i BE-së që mbështet fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave për Kosovën.