E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinjo: Mund të isha i Torinos

Të kesh pranë Ronaldinjon, të ulur në të njëjtin divan në sallonin e famshëm me oxhak në Milanelo, është një prej atyre eksperiencave që vërtet të emocionojnë. Ronaldinjo nga afër është i lirshëm dhe i këndshëm, shkruante dje "Tutto Sport". Shikon lukun dhe dëgjon fjalët: të duket sikur ndodh një dyfishim i personalitetit. Ajo kapelja në kokë, edhe në ambientet e mbyllura të një dhome, xhinset e gjera e të gjata, bluza plot me dizajnë e disa numra më e madhe se ç‘duhet, xhaketa ngjyrë krem që s‘ka lidhje fare me pjesën tjetër të rrobave, janë një himn kushtuar gëzimit më shumë, se sa modës.

Buzëqeshja më e gjatë e Perëndimit shfaqet më pak ndërsa flet.

Kështu zbulon që buzëqeshja është mënyra e tij për t‘u mbrojtur, por të folurit është mënyra e tij e të qenit.

Ronaldinjo, çfarë di mbi Torinon?

Kam një kujtim shumë të saktë: im vëlla, në moshë shumë të re, që vjen të bëjë një provë. Torino ishte i pari qytet italian për të cilin kam dëgjuar. Mund ta mendoni vetë si e përjetuam atë provë - jeta jonë po ndryshonte. Do të kishim ardhur të gjithë me vëllain në Torino, kjo ishte marrëveshja me drejtuesit. Natyrisht që do të kisha ardhur edhe unë, meqë luaja futboll...

Por çfarë ndodhi?

Ndodhi që Gremio nuk e la të largohej, na mbajti aty duke na dhuruar një shtëpi, ku u transferuam të gjithë. Kështu edhe unë nisa të luaj në Gremio.

Keni qenë ndonjëherë në Torino?

Jo, im vëlla erdhi vetëm atëherë. Më e çuditshmja është se s‘kam qenë kurrë, as për të luajtur. Nesër do të jetë hera ime e parë.

Garë në transfertë, nuk jeni i ambientuar si në San Siro?

Stadiumi i Milanos është si shtëpia ime, është ambienti i duhur. Por në pak kohë, mbase kundër Torinos, shpresoj ta ndihmoj Milanin të fitojë edhe jashtë fushës së tij.

Ishin pak ata që besonin se Ronaldinjo do të rikthehej?

Në Barcelonë patëm një sezon jo të mirë. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, duhet gjithnjë të kërkojmë një arsye. Ishin të shumtë gazetarët, që atëkohë shkruan gjëra të pavërteta mbi mua, mbi jetën time private, ndërkohë që unë kisha një fatkeqësi të madhe, e cila më pengoi për një kohë të gjatë.

Kur shënon një gol, a mendon për ata që s‘të donin te Barcelona?

Jo, nuk i ushqej ndjenja të tilla. Nëse mendoj për Barcelonën, kujtoj vetëm çfarë kam fituar me skuadrën dhe individualisht si lojtar.

Je penduar që s‘ke ardhur më parë të Milani?

S‘mendoj. Jam i bindur se kam ardhur në momentin e duhur. Te Barça kisha një skuadër të madhe, edhe pse viti i fundit shkoi pak si ters.

Sa afër Mançester Sitit ishe?

Im vëlla pati një takim me drejtuesit anglezë, por afrimiteti që kishte me drejtuesit e Milanit bëri që të ishte kjo zgjedhja më e natyrshme.

Murinjo ka thënë se futbolli italian nuk është i pëlqyeshëm në Perëndim...

Varet nga shijet e personit. Mua më pëlqen, Murinjo ka shije të tjera.

Çfarë ju pëlqen më shumë të futbolli italian?

Fizikisht këtu punohet shumë më shumë. Mbi të gjitha gjatë verës, në Barcelonë luhej çdo tri ditë, nuk kishte kohë për të rikuperuar përgatitjen atletike.

Në cilën pikë je me leximin e "Gomorra"-s?

Vazhdoj akoma dhe më pëlqen shumë. Ma dhuroi një mik napoletan, më intereson të njoh atë çfarë ndodh në ngjarjet e atij libri".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›