E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaki O‘Nil: "Lejkërsat, një skuadër e madhe"

Kobi Brajant kishte një ndeshje nën mesataren e vlerave të tij, megjithatë kjo nuk i pengoi Lejkërsat e Los Anxhelosit që të fitojnë në takimin e luajtur në Feniks, 105:92 ndaj skuadrës së Sans. Kobi Brajant e përfundoi lojën me 24 pikë, por pesë gjuajtjet për tri pikë të realizuara nga Vladimir Radmanoviç ishin kontributi më sinjifikativ në fitoren e Lejkërsave në këtë ndeshje shumë të rëndësishme të NBA-së. Ndërsa Kobi Brajant realizoi 8 prej 23 gjuajtjeve të bëra nga loja. Forca e Lejkërsave ishte në thellësinë e grupit dhe në kombinimet e shumta e efikase që përdori tekniku Fil Xhekson. Gjashtë nga basketbollistët e Lejkërsave shënuan me dy shifra dhe tani kanë rekordin më të mirë në NBA: 9 fitore dhe vetëm 1 humbje. "I thashë disa minuta më parë Ljuk Valton, se do të ishte hera e parë në këtë sezon, ku qëndrimi im në parket do të ishte 31 minuta dhe kjo pasi të gjithë po luanin mirë", pohoi pas fitores Kobi Brajant. "U ula në stol në 12 minutat e fundit dhe mund t‘ju them se ajo që bënë shokët e mi ishte thjesht një çmenduri". Skuadra e të famshmit Kobi Brajant arriti të fitojë jo vetëm zemrat e tifozëve të pranishëm në stadium, por ata mundën të rrëmbenin edhe elozhet më të mira nga kundërshtarët, të cilët nuk u treguan të kursyer në fund të takimit për dominimin e të gjithë lojës nga Brajant&Co. Kobi Brajant ishte në vlerat mesatare të lojës në fitoren me Sans në Feniks, por, në anën tjetër të parketit, një ish i skuadrës së Los Anxhelosit, gjiganti Shaki O‘Nil pranon: "Lejkërsat janë skuadra më e mirë në NBA. Rekordi i tyre 9-1 është mbresëlënës. Kjo skuadër po luan shumë mirë. Kobi Brajant drejton gjithë skuadrën kur vihet në zotërim të topit dhe atë e rrethojnë shumë gjuajtës të mirë. Me të vërtetë Lejkërsat janë një skuadër e rrezikshme". Nëse shikon efikasitetin në lojë të zëvendësuesve në dy skuadra bie në sy dominimi te Lejkërsat: 42:30 pikë. "Në ndeshje të tilla ne kemi nevojë për stolin, pohoi tekniku i Lejkërsave, Fil Xhekson. Ne ishim në gjendje që të luanim në pjesën më të madhe të 12 minutave të fundit me basketbollistët e stolit". Përveç stolit efikas, Lejkërsat spikatën edhe në elementin efikas të gjuajtjeve për tri pikë: 10 nga 21 gjuajtje të bëra, afër 50 për qind. Gjithsesi, ajo që është etiketuar tashmë si më mbresëlënëse, ka të bëjë me faktin se Lejkërsat po bëjnë një paraqitje të jashtëzakonshme në këtë edicion të kampionatit amerikan të basketbollit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›