E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo-Baloteli, njëri është i tepërt tek Interi

Vazhdojnë polemikat mes trajnerit dhe sulmuesit
Tek Interi vazhdon tensioni ndërmjet trajnerit Zhoze Murinjo dhe sulmuesit Mario Baloteli. Edhe pse dha asistin e golit të fitores në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë kundër Fiorentinës, ndërsa gjashtë ditë më parë kishte shënuar golin që kualifikoi zikaltrit në sfidën e luajtur me Juventusin, lojtari i talentuar vazhdon të marrë kritika nga tekniku portugez. Në takimin e luajtur të mërkurën, Murinjo vendosi ta “ndëshkonte” Balotelin duke e zëvendësuar, sepse pas një përplasjeje me Natalin, lojtari po kërkonte lenten në fushë, në vend që të kthehej për të ndihmuar skuadrën në fazën mbrojtëse gjatë një goditjeje këndi. “Mario mund të kishte humbur edhe njërin sy, por më parë duhej të ndihmonte skuadrën, që ishte në rrezik”, deklaroi Mou në përfundim të takimit. Fjalë të thëna mes buzëqeshjes, edhe pse vetëm pak minuta më parë, drejtuesi i stolit të Interit nuk kishte pamjen e dikujt që po bënte shaka: “Nëse Baloteli është i mërzitur, ky është problemi i tij. E largova nga loja, sepse skuadra nuk po arrinte të mbante kontrollin e topit dhe rrjedhimisht të ndeshjes. Në këtë këndvështrim, Pandev dhe Milito janë më inteligjentë se Mario”.
Kjo ishte vetëm kritika e fundit e një “zinxhiri” që sa vjen dhe shtohet. Një prej deklaratave më kuptimplota të Murinjos ishte ajo pas ndeshjes në shtëpi me Romën: “Baloteli ishte pothuajse zero në fushë”. Trajneri nuk tregoi aspak “mëshirë”, edhe pse “SuperMario” kishte luajtur me antibiotikë. Por, një fakt është i qartë: drejtuesi i skuadrës nuk është i kënaqur për asgjë që lojtari bën në fushë, duke e cilësuar sjelljen dhe veprimet e tij si “naive”, ndërsa fajin ia ka adresuar edhe familjes së Balotelit. “Pavarësisht të gjithë këtyre episodeve, marrëdhënia ndërmjet Marios dhe trajnerit bazohet në respektin dhe vlerësimin reciprok”, ishin fjalët e njërit prej miqve të afërt të futbollistit. Në krahasim me një vit më parë, marrëdhënia mes tyre është përmirësuar dukshëm: në fillim të vitit 2009, 19-vjeçari përjashtohej rregullisht nga lojtarët e grumbulluar në kampionat. Ndërkohë, mbrojtësi veteran, Materaci, thoshte: “Mario është një fëmijë që kërkon gjithmonë të luajë, sepse i pëlqen të qëndrojë në fushë”.
Në këtë sezon, Baloteli është rregullisht në ekip, megjithëse maqedonasi Goran Pandev e ka kaluar në hierarkinë e skuadrës, edhe pse u është bashkuar zikaltërve vetëm pak kohë më parë. Kjo, me gjithë faktin se numri 45 i Interit ka qenë vendimtar edhe në kualifikimin në Champions: asist me thembër në Kiev, asist për Eto’o dhe gol nga distanca me goditje dënimi kundër Rubin Kazanit. Telekamerat treguan se në momentin kur trajneri i thërriste, lojtari tha: “çfarë dreqin kërkon ky nga unë”. Në të gjithë këtë situatë, njëri ndërmjet trajnerit dhe lojtarit duket i tepërt dhe për të parë se cili do të sakrifikohet duhet pritur qershori. Por, sulmuesi mund të mbështetet te vlerësimi i madh i presidentit Masimo Morati, që në vitin 2007 hoqi dorë nga Aleksandre Pato, sepse në ekipet zinxhir kishte pikërisht Mario Balotelin.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›