E Diel, 1 Nëntor 2026

Ronaldo: Kur shënoj gol, jam i madh, kur nuk shënoj, jam i shëndoshë


Deklarata/ Sulmuesi madrilène kritikon shtypin për trajtimin

Sulmuesi brazilian i Realit të Madridit, Ronaldo, ka deklaruar se ai nuk do të arrijë kurrë të fitojë debatin e vazhdueshëm në ai është apo nuk është mbipeshë. Pasi është kthyer nga një dëmtim në ligamentet e gjurit vetëm një javë më parë, dhe, pasi ka shënuar 3 gola në dy ndeshje, shtypi spanjoll i ka thurur lavde rikthimit të tij, me tituj të tillë si "Mbreti u kthye!", dhe se ai është një fitimtar i lindur. "Unë mendoj se është dicka mjaft absurde që ne kalojmë kaq shumë kohë duke biseduar mbi peshën time, pasi të gjitha analizat dhe kontrollet janë të hapura për cilindo, që t'i shohë, - deklaroi Ronaldo dje në një konferencë për shtyp, sipas shtypit spanjoll. - Ajo që më mërzit më tepër, është mënyra sesi interpretohen gjërat në shtyp. Kur shënon gola, atëherë je një futbollist i madh, ndërsa kur nuk shënon, je një futbollist mbipeshë." "Unë jam plotësisht i përkushtuar ndaj punës që bëj, duke u përpjekur të përmirësohem edhe më tepër dhe nuk më intereson fare se cfarë thonë të tjerët", - shtoi braziliani i Realit. Përpara golit të shënuar ndaj Atletikos së Bilbaos fundjavës së shkuar dhe dy golave të tjerë në mesjavë, ndaj Dinamos së Kievit, në Ligën e Kampioneve, Ronaldo kishte shënuar deri më tani vetëm një gol këtë sezon. Futbollisti 30-vjecar ka patur në fakt mundësi të kufizuara për të luajtur dhe shkëlqyer, pas një operacioni që pati në gju gjatë verës, pas Botërorit të Gjermanisë, dhe më pas vijoi të pësonte edhe një ndrydhje të ligamenteve, gjatë një ndeshjeje të Kupës së Mbretit (Kupës së Spanjës), muajin e shkuar. Trajneri i Realit, Fabio Kapelo, i cili ka preferuar sulmuesin holandez Rud van Nistelroi, në sulm, ka theksuar shpesh se një nga arsyet e zgjedhjes së tij është se braziliani duhet të humbasë edhe më tepër peshë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›