Qato, një fitore 99-94, pas 10 raundesh

Kreshnik Qato ka ngadhënjyer dje për herë të dytë radhazi, kundër Sajmon Kover, duke fituar betejën e zhvilluar dje në "Goresbrook Leisure Centre" të Londrës, në Britaninë e Madhe, të vlefshme për titullin "Southern Area Super Middleweight Title" (ose për titullin e Anglisë Jugore). Ndonëse është zhvilluar një ndeshje mjaft e balancuar, mjaft e lodhshme, prej plot 10 raundesh, boksieri shqiptar ka arritur të fitojë 8 prej këtyre raundeve dhe ka ngadhënjyer edhe në betejën e pikëve, duke fituar me rezultatin 99-92.
"Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe shumë e lodhshme, - ka pohuar menjëherë pas ndeshjes boksieri durrsak, por që jeton dhe stërvitet në Londër, duke folur ekskluzivisht për gazetën "Standard" pas ndeshjes, nëpërmjet telefonit. - Kisha 8 javë që përgatitesha intensivisht për t'u rezistuar 10 raundeve të kësaj ndesheje, pasi, sic pritej, kundërshtari është boksier force dhe grushtesh mbajtës. Natyrisht, e njihja shumë mirë, sepse është i njëjti kundërshtar me të cilin kam boksuar në ndeshjen e fundit në "Alexandra Palace", para pak muajsh, por këtë radhë ai erdhi më i përgatitur dhe më i motivuar."
Në vijim, në deklaratën e tij për "Standard", Qato theksoi: "Gjithsesi, unë jam krenar që e mbajta premtimin që pata bërë përpara kësaj ndeshjeje, që do ta fitoja atë dhe tashmë pres me padurim ndeshjen e radhës. Në fakt, pas kësaj ndeshjeje unë mund të konkurroj për cdo titull dhe synoj tashmë të luftoj për titullin e kampionit të Evropës." Boksieri shqiptar sqaron se kjo ndeshje mund të zhvillohet në shkurt të vitit të ardhshëm, por, deri atëherë, ai "dëshiroj të shijojë suksesin e arritur dhe të stërvitet papushim".