E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo, i mirë sa Messi

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është i mirë sa sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi dhe do ta dëshmojë këtë në përballjen e ekipeve këtë fundjavë, kanë insistuar bashkëlojtarët e tij të enjten. “Ata janë dy futbollistët më të mirë në botë dhe do të jetë ndeshje e mirë. Messi është futbollist vërtet i mirë, por ne kemi Ronaldon, i cili është po aq i mirë”, tha mbrojtësi brazilian i Realit, Marcelo për të përditshmen sportive spanjolle Marca.

Ballafaqimi i portugezit dhe argjentinasit (të shtunën) është i shumëpritur, pasi Messi shënoi të katër golat e Barcelonës në fitoren 4-1 ndaj Arsenalit të martën, që e dërgoi gjigantin katalan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. “Ata të dy janë futbollistë vendimtarë, por ne presim që Cristiano të dallohet më tepër”, tha sulmuesi i Realit Gonzalo Higuain, golashënuesi më i mirë i ekipit në La Liga me 24 gola.

Dy ish fituesit e çmimit prestigjioz Topi i Artë – Messi më 2009 dhe Ronaldo më 2008 – kanë qenë vendimtarë në fitoret e ekipeve të tyre në ndeshjet e fundit dhe përsëri do të jenë në garë për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në Evropë.

“Ata të dy janë në gjendje të fitojnë ndeshjet në çdo moment. Ronaldo është në të njëjtën shkallë, nëse jo më i mirë se Messi”, tha mesfushori i Realit, Guti. Messi është golashënuesi më i mirë në La Liga me 26 gola, ndërsa Ronaldo ka realizuar 18. Reali është lider me golaverazh më të mirë se Barcelona, tetë ndeshje para përfundimit të sezonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›