E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo mendon tërheqjen: Trupi nuk më lejon të luaj

Ish-fenomeni

Ronaldo po mendon seriozisht t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur. Mediat në Brazil janë të bindura se “fenomeni” do të tërhiqet dhe publikojnë një fjali të përmendur prej sulmuesit gjatë një konference për shtyp. “Trupi im po më kërkon që të mos luaj më. Po plakem”, deklaroi ai, duke folur rreth së ardhmes. Karriera e ish-sulmuesit të “seleçaos”, që në shtatorin e ardhshëm do të festojë 34-vjetorin e lindjes, është karakterizuar nga dëmtimet, disa prej të cilave kanë qenë mjaft të rënda. Në nëntor të vitit 1999, ku luante me Interin ai këputi ligamentin e gjurit, dëmtim i cili iu përsërit edhe pesë muaj pas operacionit. Gjithsesi, Ronaldo ka treguar gjithmonë se mund të ringrihej dhe të luante në nivele të larta. Gjatë dy sezoneve të fundit, ai ishte kthyer në Brazil, për të vazhduar karrierën me Korinthiasin. Së fundmi, sulmuesi kishte deklaruar se do të tërhiqej në momentin kur do t’i përfundonte kontrata me klubin brazilian (në vitin 2011), por tashmë nuk përjashtohet mundësia që lamtumira nga futbolli të vijë përpara kohe.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›