Ronaldo refuzoi Barcelonën

Ish presidenti i Real Madridit, Ramon Calderon, ka bërë të ditur se Cristiano Ronaldo refuzoi interesimin nga Barcelona për të kaluar në Santiago Bernabeu.
Ylli portugez kompletoi transferimin e tij rekord (94 milionë euro) nga Manchester United në Real Madrid gjatë verës së vitit të kaluar. Ndërsa Calderon ka treguar datën e arritjes së marrëveshjes gojore. “Cristiano arriti marrëveshje më 8 dhjetor 2008 me Manchester Unitedin për të ardhur në real Madrid”, tha Calderon për seksionin spanjoll të rrjetit Eurosport. “Nuk ka pasur bisedime tjera rreth kësaj, transferimi ishte kryer. Unë e bëra detyrën time”, shtoi Calderon i cili kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit, duke u përcjellë nga rikthimi i Florentino Perezit, i cili mori meritat për fluksin e yjeve që erdhën ne Madrid.
Sipas Calderonit, Ronaldo kishte mundësi të kalonte te ndonjë tjetër gjigant evropian, përfshirë rivalin e madh Barcelona, por ai lavdëroi futbollistin që i qëndroi besnik fjalës së dhënë.
“Futbollisti, në gjest të vullnetit të mirë, i qëndroi besnik dëshirës së qartë për të ardhur në Madrid. Por, Barcelona dhe Inter u munduan po ashtu ta transferojnë. Ishte situatë e vështirë. Është e ditur se Sir Alex Ferguson nuk është mik i Real Madridit për shkak se janë rivalë sportivë. Por, Ronaldo i refuzoi të gjithë dhe erdhi në Madrid”, përfundoi Calderon.