Rooney mbetet në Old Trafford

Edhe pse interesimi nga klubet jo angleze ekziston, e ardhmja e Wayne Rooney mbetet në Old Trafford. Ishte vet sulmuesi anglez ai që i ka larguar zërat që e shihnin atë larg Manchester Unitedit, në fund të këtij sezoni.
Sipas shtypit spanjoll, Real Madrid e Barcelona, po e studiojnë mundësinë se si ta rrëmbejnë yllin anglez, golashënues në Premierligë me 19 gola. “Ekzistojnë gjithmonë spekulime nëpër media, dhe kur kupton se skuadrat e mëdha të dëshirojnë, gjithmonë është një ndjenjë e mirë. Por, siç e kam thënë shumë herë, jam futbollist i United dhe jam mjaft i lumtur në Old Trafford”, ka thënë Rooney.
E ardhmja e tij në Manchester varet shumë edhe nga borxhi i klubit, i cili parashihet të jetë 800 milionë euro. Por, ish futbollisti i Everton, nuk duket të jetë i preokupuar. “E kemi fituar kampionatin tri herë rresht, askush deri tash nuk ka arritur ta fitojë katër herë radhazi. Ne dëshirojmë ta shkruajmë historinë, edhe pse këtë vit do të jetë më vështirë, në krahasim me vitet e fundit”, ka shtuar numri 10 i Manchesterit.
Sipas të përditshmes angleze, Daily Mirror, Manchester Utd po mendon ta përgatisë një ofertë të pasur për sulmuesin Rooney: në kontratën e re pesëvjeçare, ai mund të paguhet 150 mijë funte në javë.