E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rosela dhe Eliza, të parat e “Këngës Magjike”



Netët e këngës, larmisë dhe surprizave u finalizuan me trofeun e magjishëm, pikërisht në duart e dy vajzave, Rosela Gjylbegu dhe Eliza Hoxha. Kënga e tyre “Rruga e zemrës” është shpallur kënga fituese e festivalit “Kënga Magjike”, kënduar nga një bashkëpunim mes këngëtares shkodrane Gjylbegu dhe asaj nga Kosova, e njohur jo rrallë edhe si Eliza. Çmimi i madh ka befasuar dy vajzat, por emocionet më të mëdha i ka përjetuar këngëtarja e “Etheve”, Rosela, e cila pasi ka mësuar lajmin e mirë, pra kryesimin e këtij festivali, nuk ka mundur t’u rezistojë lotëve të gëzimit. Kënga me tekst nga Eliza dhe muzika nga Darko Dimitrov, është votuar nga vetë këngëtarët. Me trofe në dorë këngëtarja Eliza u shpreh se “ky është një çmim tepër i rëndësishëm për karrierën time”, ndërsa Rosela theksoi se “dua të përshëndes Darko Dimitrov, që më besoi muzikën e tij”. Vendi i tretë në këtë festival i shkoi këngëtares Soni, e cila duke qeshur u shpreh se “vetëm unë dhe Irma Libohova marrim gjithmonë çmime të dyta”. Vendi i dytë u fitua nga këngëtarja e re, Elvana Gjata, me këngën “Dhe zemra ndal” (teksti Ardit Roshi, muzika Flori Mumajesi). Festivali solli edhe shumë çmime të tjera, ku spikatën çmimi i internetit për Elvana Gjatën, çmimi i publikut për Adelina Ismailin, me këngën “Nuk ngec” (muzika Adi Hila), e cila mori pjesë në këtë aktivitet muzikor pas dhjetë vitesh. Në dhjetëshen e këngëtarëve më të mirë sipas vendit të dhjetë u rreshtuan: Rozana Radi, Olta Boka, Kastro Ziso, Adelina Ismaili, Kaltrina Selimi, Flori, Mira Konçi, Soni, Elvana Gjata dhe Eliza&Rosela Gjylbegu.

Renditja e çmimeve

1. Rosela Gjylbegu dhe Eliza Hoxha – “Rruga e zemrës”

2. Elvana Gjata - “Dhe zemra ndal”

3. Soni Malaj - “Zemër e pakurdisur”

4. Kaltrina Selimi – “Ditëlindja”

5. Flori Mumajesi – “Playback”

6. Mira Konçi – “Sy fëmije”

7. Adelina Ismajli – “Nuk ngec”

8. Kastro Zizo - “I penduar”

9. Olta Boka – “Jepu me zemër”

10. Rozana Radi – “Femër”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›