E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Gati vendimi për 500 kërkesa për ish-të përndjekurit



Qeveria pritet të miratojë së shpejti kërkesat e 500 ish-të përndjekurve politikë për dëmshpërblimin financiar. Këtë konfirmoi dje ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili tha në Komisionin e Ligjeve se vendimi është gati. Ministri Nishani tha më tej se deri në fund të vitit do të miratohen edhe 1 mijë kërkesa të tjera për ish-të përndjekurit. Gjatë diskutimit në Komision, ministri i Drejtësisë tha se do të vijohet me këtë ritëm për miratimin e kërkesave. Sipas tij, deri tani janë mbi 3500 kërkesa të miratuara në qeveri. Ministri i Drejtësisë premtoi se së shpejti do të merren në konsideratë edhe kërkesat e të pushkatuarve pa gjyq.

Nishani-Rusmali, diskutimi i plotë në Komisionin e Ligjeve

Pyetje Rusmali: Zoti ministër, një çështje shumë e ndjeshme që mbulohet nga Ministria e Drejtësisë dhe që prek një numër të konsiderueshëm individësh, çështja e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë për burgim të padrejtë, kemi një ligj që është në fuqi dhe ky ligj parashikon një afat të përcaktuar për dëmshpërblimin e gjithë kategorisë së të përndjekurve. Mund të na e shpjegoni në detaje në kontekstin e ezaurimit të kërkesave që kanë ata? Për sa vjet do të mbyllet dhe cili është planifikimi i qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi për të përndjekurit?

Nishani: Natyrisht që ka një plan, i cili bazohet mbi ligjin e miratuar dhe që parashikon që brenda tetë viteve të realizohet shpërndarja e të gjithë mbështetjes financiare apo kompensimit financiar për të dënuarit politikë. Aktualisht, po punohet me intensitet në Ministrinë e Drejtësisë, nga sektori përkatës. Deri tani janë mbi 3500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie. Aktualisht, është në përfundim një vendim tjetër qeverie me 500 kërkesa të tjera që kanë përfunduar të gjithë procesin e dorëzimit të kërkesave, plotësimit të dosjeve sipas kërkesave që parashikon ligji. Brenda këtij viti do tentojmë të realizojmë 1000 mijë kërkesa të tjera dhe për sa kohë buxheti është parashikuar për këtë ecje, për këtë plan kalendar që ne e kemi shtrirë përgjatë tetë viteve absolutisht që kemi besimin e plotë. Çështja nuk ka të bëjë me financimin apo mosfinancimin e buxhetit, pasi ai buxhet është tërësisht në dispozicion, çështja është tërësisht procedurale, është tërësisht teknike dhe lidhet thjesht me verifikimin e atyre kërkesave që ligji kërkon të verifikohen para se të shkojë të bëhet valide në Ministrinë e Financave dhe pastaj kalimi dhe transferta e pjesës financiare.

Rusmali: Një pyetje tjetër në këtë kontekst, të gjithë kemi pasur si deputetë kontakt me familjarë të personave të ekzekutuar pa gjyq, për të cilët ne kemi pasur të nevojshme të bëjmë dhe një modifikim në ligj. Brenda këtij buxheti të vitit 2010 a do të jetë e mundur të fillojë dëmshpërblimi edhe për këtë kategori personash?

Nishani: Besoj se me t'u mbyllur nga pikëpamja procedurale ne kemi qenë dhe mbetemi në negociata të vazhdueshme me Ministrinë e Financave dhe nga Ministria e Financave na është garantuar se në momentin që plotësohet pjesa e akteve të duhura nënligjore për këtë qëllim pa dyshim do të ketë dhe rialokim të buxhetit për të filluar menjëherë dëmshpërblimin e tyre.

Rusmali: Nuk do të plotësohet brenda këtij viti?

Nishani: Ne besojmë se po.

Eduard Halimi: Në vijim të pyetjeve të Rusmalit, këtë vit në kuadrin e personave të përndjekur nuk ishin parashikuar fonde për të përndjekurit për ata persona që kanë qenë të internuar dhe në ligj parashikohet që edhe ata do të kenë një dëmshpërblim. A do kemi vitin e ardhshëm dëmshpërblim edhe për këtë kategori personash?

Nishani: Së pari e theksova dhe pak më parë, e rëndësishme është të dalë kuadri ligjor se pa dalë ai nuk mund të ketë planifikime për sa i takon çështjes së buxhetit, aq më tepër që pjesa e planifikimit të buxhetit vjen nga Ministria e Financës mbi kërkesat që bën ministria e linjës për një çështje konkrete. Unë besoj që me këtë buxhet ose duke pasur parasysh eksperiencën e vitit 2009, ne patëm përmes një rialokimi po i referohem kompensimit financiar të pronarëve, në 2009 ishin parashikuar 600 milionë lekë, përmes rialokimit që qeveria bëri në mesin e vitit u arrit që kjo shumë të dyfishohej, nga 600 milionë lekë vajti në 1.2 miliard lekë. Ndaj, unë besoj se në kontaktet e vazhdueshme që kemi me Ministrinë e Financave është një politikë që kjo qeveri e aplikon vazhdimisht, duke pasur parasysh rritjen e mbledhjes së të ardhurave që parashikohen apo rialokime të ndryshme nga fonde të pashfrytëzuara në institucione të tjera unë besoj se nëse jemi të gatshëm për të përfunduar pjesën e paketës ligjore ne jemi të bindur që nga pikëpamja financiare kjo do të jetë e mundshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›