Roshi jep asistin, Kapllani shënon, fitore shqiptare për Frankfurtin
Gjermani
Shkëlqejnë kuqezinjtë në Bundesligën 2. Sulmuesi: Merita e skuadrës
E djeshmja ka qenë një e diel e pasur me gola për futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionate të ndryshme të Europës. Por jehonën më të madhe e ka bërë goli i Edmon Kapllanit të FSV Frankfurtit në Bundesligën II gjermane, jo vetëm për mënyrën e realizimit, por edhe sepse asistin e mori nga bashkëkombësi Odise Roshi. Ka qenë pikërisht roveshatë e Kapllanit, ajo që i ka dhënë fitoren 1-0 skuadrës së FSV Frankfurtit në ndeshjen e javës së tretë Bundesliga II, të luajtur në shtëpi përballë ekipit të Erzgebirge Aue. Sulmuesi shqiptar nuk di të ndalet, pasi vetëm në dy javët e fundit të ligës së dytë për nga rëndësia në Gjermani ka realizon tre gola dhe i ka dhuruar skuadrës së tij 6 pikë të plota. Pas dopjetës së një jave më parë në ndeshjen ndaj Ingolshtadit, bomberi kuqezi u shndërrua në protagonistin kryesor të fitores së Frankfurtit edhe këtë të diel. Përkrah tij në këtë sfidë ka shkëlqyer edhe shqiptari tjetër i FSV-së, Odise Roshi, i cili e nisi takimin si titullar. Që në minutat e para, dyshja shqiptare ishte kërcënimi kryesor për portën kundërshtare. Në minutën e 17-të Kapllani i shkoi shumë pranë golit, me një gjuajtje që kali ngjitur me shtyllën pingule të portës së Menel. Dy mundësitë e tjera të mira për sulmuesin durrsak ishin në minutat 40 dhe 83. Por në 87-n Kapllani nuk mund të gabonte dhe goli i fitores mban aromë vetëm shqiptare: Asist i mrekullueshëm i Roshit nga e majta, Kapllani me një gjysmë-roveshatë e çon topin në rrjetë, duke vulosur kështu fitoren 1-0 të FSV Frankfurtit, që tashmë ngjitet në vendin e dytë të Bundesligës 2 me 10 pikë. Me këtë ecuri, tre gola në dy ndeshjet e fundit, ai është golashënuesi më i mirë për momentin në Bundesligën 2. Pas ndeshjes, sulmuesi shqiptar mori komplimentet për paraqitjen dhe golin e tij, por durrsaku në deklaratën për shtyp u tregua modest: Jo vetëm unë, por i gjithë ekipi bëri një punë të mirë. Dhe unë pata fatin, që ti jepja topit goditjen në momentin e duhur, shpjegoi golin vendimtar shqiptari, i cili në verë erdhi te kjo skuadër nga Augsburgu.
Roshi jep asistin, Kapllani shënon, fitore shqiptare për Frankfurtin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip