E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton Tirana, Luftëtari bën shou

Altin Manallari

Kampionati

Me fitoren e djeshme, Tirana ruan një ritëm kryesuesi edhe pse merr një fitore të vuajtur. I papërmbajtshëm ishte Luftëtari përballë një Teute që zhgënjeu

Bardhebutë mundin 3-0 Shkumbinin, gjirokastritët shkatërrojnë 4-1 Teutën

Altin Manallari

Tirana vuan, por fiton ndaj Shkumbinit dhe mban hapin e kryesuesit, ndërsa Luftëtari shkatërron me një poker Teutën, e cila ka zhgënjyer pritshmëritë në transfertë.

Bardheblutë pa trajner, pas largimit të Hulian Rubios, kanë marrë një fitore me vuajtje 3-0 ndaj Shkumbinit në Selman Stërmasi, duke marrë tri pikë që e mbajnë atë në kryesim me 6 pikë, po aq sa Skënderbeu i vendit të parë, por që ka golavarazh më të mirë. Nën drejtimin e dyshes së përkohshme Tafaj-S.Bulku në stol, nuk i lejojnë vetes të bëjnë hap fals. Starti i ndeshjes ishte thuajse i barabartë për të dy skuadrat, ku u pa një Shkumbin luftarak dhe i organizuar. Ndërsa Tirana nga ana e saj vuan mungesën e një sulmuesi, që të çojë topin në rrjetë, pasi Çota ishte i ulur në stol pas dëmtimit të pësuar në Berat. Sidoqoftë, duhej të vinte minuta e 30-të, që i riu Morina të zhbllokojë rezultatin e sfidës. Pas një goditjeje këndi nga e majta e sulmit bardheblu, sulmuesi i ri shfrytëzon lëmshin e krijuar mes lojtarëve në zonën e vogël të Kotorrit dhe e shtyn topin në rrjetë. Në minutën e 40-të, peqinasit kërcënojnë me një goditje dënimi. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për kryeqytetasit, ndërsa në të dytën hyn në fushë edhe Çota. Dyshja e sulmit të peqinasve R.Dervishi-Mustafaj tregohet e pasaktë, duke i mbyllur pa rezultat aksionet e shumta të skuadrës së tyre. Me kalimin e minutave, në fundin e sfidës, Çota dhe Morina realizojnë edhe dy gola të shpejtë, të cilët vulosin fitoren 3-0. Fitorja e dytë brenda dy javësh kampionat për Tiranën, ndërsa Shkumbini është i detyruar të përjetojë fundin e ftohtë të renditjes, pa shënuar dot asnjë gol dhe marrë asnjë pikë. Ndërkohë që Luftëtari ka korrur një poker në ndeshjen e parë para tifozëve të saj, në ndeshje si debutuese në Superiore pas 5 vitesh në Kategorinë e Parë. Bluezinjtë e drejtuar nga Nevil Dede shkatërrojnë 4-1 durrsakët e Hasan Likës, të cilët ishin treguar të suksesshëm në transfertën e javës së shkuar, në Peqin, por kanë përjetuar 90 minuta ankthi në Gjirokastër, aty ku janë dorëzuar pa kushte, sepse zotër të gjithçkaje kanë qenë vendësit. Skuadra gjirokastrite është treguar e papërmbajtshme në fushën e vet. Pas vetëm 30 minutash lojë kryesonte me meritë me rezultatin 2-0, falë golave të Nikoliç (21) dhe Licaj (28). Por pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1 pas golit të Mançakut që krijoi iluzionin se durrsakët do të rivalizonin deri në fund. Pjesa e dytë ka folur për Luftëtarin, i cili gjeti edhe dy herë rrugën e rrjetës me Rraboshta (51) dhe Shenaj (66), duke i dhënë formë kështu një fitoreje bindëse, e cila tregon se gjirokastritët në këtë sezon nuk kanë ndërmend të kthehen sërish në kategorinë inferiore. Ndërsa konsiderohet një humbje zhgënjyese kjo e Teutës, e cila tashmë duket se është kthyer me këmbë në tokë pas fitores në transfertën e javës së shkuar në Peqin. Java e dytë e Superiores mbyllet sot me ndeshjen Besa-Tomori.

Superiore (Java II)

 

TË PREMTEN

Skënderbeu-Apolonia  2-0

Plaku 57 (11-m), Orelesi 64

Flamurtari-Laçi 0-1

Emurllai 51

TË SHTUNËN

Kukësi-Vllaznia 0-0

Kastrioti-Bylis 2-1

Sekseni 40, Gocaj 52 / Mohamed 59

DJE

Tirana-Shkumbini     3-0

Morina 30, 90, Cota89

Luftëtari-Teuta 4-1

Nikoliç 21, Liçaj 28, Rraboshta 51, Shenaj 66 / Mancaku 36 (11-m)

SOT

19:00 Besa-Tomori

Klasifikimi

Skuadra    N    P

1. Skënderbeu   2    6

2. Tirana  2    8

3. Luftëtari    2    4

4. Kastrioti    2    4

5. Laçi    2    4

6. Teuta   2    3

7. Kukësi  2    2

8. Besa    1    1

9. Bylisi  2    1

10. Flamurtari  2    1

11. Apolonia    2    1

12. Vllaznia    2    1

13. Shkumbini   2    0

14. Tomori 1    0

Fiton Tirana, Luftëtari bën shou burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›