Rouçek: Kreu i shtetit konsensual, si në Gjermani
Gjermania do të ishte një shembull i mire për tu kopjuar në zgjedhjen e presidentit. Këtë mesazh sjell Brukseli, pak ditë para nisjes së procedurave për të zgjedhur pasuesin e Bamir Topit.
Libor Rouçek, ish-raportues për Shqipërinë, Zëvendëskryetar i Grupit të Aleancës progresiste të social-demokratëve në Parlamentin Evropian thotë për AS se situata në Tiranë është e njëjtë. Dhe po e njëjtë sipas tij, duhet të jetë dhe zgjidhja konsensuale.
Nëse ne mund të merrnim një shembull të fundit për zgjedhjen e presidentit, kjo është Gjermania. Sepse Gjermania ka pasur probleme me presidentin. Tani aty u zgjodh një person me konsensusin e të gjitha forcave politike. Ky konsensus u arrit midis social-demokratëve, liberalëve dhe demokristianëve.
Kjo është situatë e njejtë edhe për ju, deklaroi Rouçek.
Por si e shohin europarlamentarët firgurën e re që duhet të kryesojë shtetin?
Një president duhet të qendrojë mbi grindjet e përditshme politike. Presidenti duhet të jetë një individ që duhet ta bashkojë politikën. Nëse ka një problem dhe qeveria nuk bie dakord për diçka me opozitën, në këtë rast presidenti luan rolin e tij në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Pra, nëse unë po jap si shembull Gjermaninë, unë mendoj se kjo do të ishte e pranueshme dhe për Shqipërinë, për të zgjedhur një person që të pranohet jo vetëm nga partitë parlamentare, por edhe nga populli, thotë Rouçek.
Zgjedhja e presidentit te Republikës, procedurat për të cilin fillojnë në maj, do të monitorohet me kujdes nga Brukseli. Ajo do të pasqyrohet edhe në raport-progresin që do të dalë në tetor, kur pritet edhe përgjigjia për kërkesën e Tiranës zyrtare për marrjen e statusit të vendit kandidat të Bashkimit Evropian.