Albana Mëlyshi - Pse u arratisa nga Shqipëria
Për një grua, në moshë jo fort të re, largimi nga Shqipëria, në një kontinent tjetër, e për më tepër në një kohë kur vendi është përfshirë nga tollovitë politike, që lë pas kriza sa ekononomike aq edhe psikologjike, nuk është asnjëherë e lehtë. Prandaj edhe, me gjithë kushtet e mira e gjithë vitet që shërbejnë për të krijuar integrim thuajse në të gjitha fushat, rikthimi, çdo herë fal kënaqësi. është e dukshme kjo sa herë që takon një mik që nuk e ke parë prej shumë vitesh, një ish- koleg me të cilin ndan bisedat e dikurshme të punës. Më e plotë është kjo ndjesi kur të gjithë këta miq, i bën tok, për të përuruar një libër.
Albana Mëlyshi Lifschin, përuroi librin e saj më të ri me poezi “Ka gjithmonë diku”. Kishte zgjedhur një ambient komod për t’u ndier rehat me miqtë e përhershëm. Një bibliotekë të rehatshme, e cila u pasurua edhe më me katër titujt e librave që Albana i shtoi. Në fakt më shumë se promovim, ky takim shërbeu për të qenë me njerëz të dashur. Margarita Xhepa, Roza Anagnosti dhe Albana vetë, lexuan poezitë njëra pas tjetrës, si të ishin ato të një ditari të mikeshës së tyre. Ndihej, te çdonjëra, që në thelb qëndronte malli i një kohe që tashmë ka mbetur vite larg. Jetesa e re në një vend si Amerika, ku asgjë nuk është e ngjashme me atë prej nga ke ardhur. Zakone, mentalitete, jetë krejt tjetër. Të gjitha këto vëzhgime të jetesës së përditshme, janë zbardhur diku në formë proze e diku në formë poezie. Albana Mëlyshi Lifschin, prej vitit 1992 është larguar nga Tirana për të rrugëtuar drejt Amerikës. Historia e largimit, i ka rrënjët në historinë e shumë viteve më parë. Prandaj edhe pyetja e parë që i drejtohet, nuk i shpëton arsyes së ikjes, çka shënoi edhe fillimin e krijimtarisë.
Mbiemri Mëlyshi, shërben si koordinatë për të kuptuar njëfarësoj largimin tuaj nga Shqipëria në ’92-shin, megjithatë na tregoni ekszaktësisht, si ka qenë historia?
U largova nga Shqipëria në 1992, ama brenda meje nuk e kam lënë asnjëherë. Punoja për Televizionin e Tiranës, atëherë, kisha gjithë familjen dhe rrethin shoqëror që më donte e respektonte atje. Madje, atë kohë sapo kisha mbaruar një cikël të rëndësishëm televiziv për periudhën e tranzicionit në Shqipëri. Atë vit, në 1992, mora avionin për në Amerikë në rrethana të jashtëzakonshme familjare dhe aspak me mendimin për të ndenjur përgjithnjë atje. U nisa për t’i qëndruar pranë gjyshit tim, Nikoll Mëlyshit, në ditët e tij të fundit. Ai po mbyllte sytë larg familjes, mungesën e të cilës e kishte vuajtur për 45 vjet rresht. Isha e vetmja “përfaqësuese” nga Shqipëria. Unë jam e mbesa e Pal Mëlyshit “Heroi i Popullit” dhe e Nikoll Mëlyshit (babai i Palit), nacionalist dhe antikomunist i betuar. Im gjysh shkoi në luftë për të luftuar okupatorin, por duke vënë një kusht: “Dorën grusht, nuk e bëj dhe yllin e kuq në kapelë nuk e mbaj, sepse ato s’janë shenja shqiptare”. Vinte nga një familje bajraktare e nderuar e Mirditës. Kur u kthye nga lufta për çlirimin e vendit, u ndesh me një zhgënjim të paimagjinueshëm. E gjeti shtëpinë e tij (kullën) të djegur nga shokët partizanë, si edhe të gjithë familjen të internuar. Sado e pabesueshme të tingellojë kjo, është plotësisht e vërtetë. Tek vështronte harkun e mermertë të derës, me emrin e të atit “Gjon Melyshi-bajraktar”, e asnjë këmbë njeriu, ai ndjeu tradhëtinë e madhe që i ishte bërë. Në këto rrethana, u detyrua të arratisej, e ta linte atdheun e vet, për lirinë e të cilit luftoi, e ndoshta do të kishte rënë dëshmor.
Gjatë kohës që ai ishte larg, mundët të mbani ndonjë komunikim?
Nga ajo ditë duhej të kalonin 45 vjet rresht, me kujtimin e familjes së tij si relike të shtrenjtë në shpirt. Asnjë komunikim nuk iu lejua me familjen nga Qeveria e Tiranës, edhe pse ishte baba heroi. Por qe antikomunist dhe kishte shkruar libra kundër Qeverisë së Tiranës, ku numëronte fakte të vrasjes e eliminimit pa gjyq të shumë kundërshtarëve të saj nga krahinat e veriut, veçanërisht Mirditës, përfshirë këtu edhe 8 pjestarë nga familja e tij. Gjyshi kishte shtetësinë amerikane, por kokën e zemrën e kishte në Shqipëri. Ka banuar në Nju Jork, dhe ka qenë anëtar i vjetër i organizatës panshqiptare “Vatra”. Mjaft nga miqtë që e kanë njohur, janë ende gjallë. Pas 45 vjetësh, në 1989, i ndarë nga familja në atdhe, na dërgoi një telegram ku thuhej: “Mbusha 90 vjeç, a mund të vij të vdes në vendin tim?”
Ishte kjo e mundur në një vend diktatorial, ku të arratisurit konsideroheshin armiq?
Familja i kërkoi leje Qeverisë, që ta pranonte babanë në atdhe. Mirëpo, përgjigja erdhi negative. Ai burrë i vjetër, kërkonte një copë varr në vendin ku kishte lindur, por edhe kjo iu mohua nga Qeveria e Ramiz Alisë. Në fund të vitit, pa i marre leje askujt dhe i vendosur për të parë familjen e tij pas 45 vjet ndarjeje, mbërrin në aeroportin e Tiranës. Qe tronditje e madhe emocionale për familjen, ndërsa për Qeverinë duket qe tërmet, se na solli Sigurimin në shtëpi për t’i dhënë urdhër plakut 90 vjeçar, babait të heroit, të kthehej menjëherë nga kishte ardhur, si person ”non grata”. Im gjysh u kthye në Nju Jork, i detyruar për herë të dytë të linte atdheun. Atë kohë unë punoja për televizionin shtetëror. Qe hera e parë që pashë me sytë e mi fytyrën mizore të diktaturës. Pas kësaj që ndodhi, im gjysh u sëmur me kancer në pankreas. Ndërkohë, Shqipëria u hap me botën dhe u vendosën marrëdhënie diplomatike me SHBA. Intervistova konsullen e parë amerikane në Tiranë, Barbara Cummings, lidhur me kriteret e dhënies së vizave, qytetarëve shqiptarë. Unë vetë isha nga të parat që mora vizë dhe erdha në Amerikë. Doja t’i qendroja pran¸ gjyshit tim, në ditët e fundit të jetës së tij. I detyrohesha, në emër të familjes. Mbi këtë ngjarje kam shkruar tregimin “Shamia e zezë”, tregim i cili mori vlerësime maksimale nga kolegë dhe lexues. Shumë më sugjeruan ta shtrija në përmasat e një romani. Këtë tregim e kam përfshirë edhe në librin tim të fundit “Magjia e një zëri”.
Edhe pas vdekjes së gjyshit, vijuat jetesën atje... Si arritët të integroheni në shoqërinë amerikane duke marrë parasysh kushtet jo të lehta në të cilat kishit ikur dhe moshën jo fort të re për t’i hyrë një jetese nga e para?
Kur mendova se mund të qëndroja në Amerikë për një kohë të gjatë, i thashë vetes që duhet t’i kthehem edhe një herë shkollës. Intelektuali në dhe të huaj, ka nevojë të kompensoj¸ jetën shpirtërore, pa atë ai vdes. Mora një diplomë për biznes, këtë e bëra duke menduar se do të më shërbente po qe se do të kthehesha në Tiranë, (megjithëse e kam ditur se unë kurrë s’kisha për t’u bërë një biznesmene e mirë) dhe të dytën për Paralegal nga Universiteti i Nju Jorkut. Në Tiranë më pat mbetur merak që krahas gazetarisë nuk mbarova edhe fakultetin juridik. Kështu, aktualisht punoj në një zyrë avokatie, që merret me problemet e emigracionit, të rregullimit të statusit të emigrantëve të rinj, pra në një fushë njerëzore, zgjedhja ime më e preferuar. Njohja me ta dhe me studentët e mi emigrantë, pasi edhe jap mësim në Institutin Globe, Manhattan, më ka frymëzuar në punën time krijuese.
Librat tuaj me tregime apo te ky i sapodalë me poezi, ndihet gjithandej jetesa amerikane. Ju jeni martuar ndërkaq me një shtetas amerikan, ka ndikuar ai në lehtësimin e një jetese të re?
Padyshim, ka qenë kryesori që më ka hapur dritaren më të madhe të njohjes për krijimtarinë dhe jetesën time të viteve të mëpasshme.
Mbesa e “Heroit të Popullit”, Pal Mëlyshi, tregon largimin nga Shqipëria në vitin 1992.
Përse Ramiz Alia nuk lejoi kthimin e tij në Shqipëri, ndonëse në moshën 90-vjeçare
Avioni kishte mbërritur në aeroportin e Rinasit në të ngrysur dhe plaku 90-vjeçar kishte pritur ulur në karrigen e ulokut për disa orë, deri sa dikush qe kujtuar për të. Ai kishte zgjatur një copë letër ku qe shënuar një numër telefoni. Receptorin e kishte ngritur e bija. Me të dëgjuar fjalët “Ju ka ardhur babai nga Amerika”, asaj i kishte rënë të fikët, sikur të kishte marrë një kob...
Muaj më parë familja qe shokuar nga një telegram i ardhur nga Amerika ku qenë shkruar dy rreshta: "Mbusha 90 vjeç. A mundem me ardhë me vdekë në vendin tim? Baba". Me atë bombë në çantën e saj katërkëndëshe lustrinë të zezë, e bija kishte guxuar të trokiste në dyert e qeverisë. Kishte kërkuar të takonte të madhin fare. E kishte pritur ministri i brendshëm, një burrë i gjatë me shpatulla të kërrusura. Ai, pasi e dëgjoi, i kishte kthyer kurrizin e, duke iu afruar dritares që binte në Bulevardin e madh, kishte thënë: "E ç'u duhet ky copë plak?"
"është babai ynë, kishte guxuar t'i përgjigjej ajo. Po kërkon leje të vijë të vdesë në tokën e vet. Një varr po kërkon!". "Le të vdesë atje ku është, si qen!", qe përgjigja ndaj klithmës së saj.
Shpresa se do të mund ta shikonim dhe njëherë babanë për së gjalli, u duk se qe fikur përgjithnjë.
Të nesërmen, në shtëpi kishte plasur Sigurimi i Shtetit. Ishin tre oficerë. Nëna u priu në dhomën e miqve. Ata i bënë shenjë të mbyllte derën. Nuk ndenjën shumë, por kur dolën, nëna u kthye në kuzhinë e bërë limon në fytyrë. I kishin dhënë ultimatumin që plaku duhej të kthehej nga kishte ardhur. “është bërë një gabim, kuptoni? është bërë një gabim në ambasadën tonë në Itali. Plakut nuk duhej t’i qe dhënë vizë”.
“Përse? Përse xhanëm? ç’ka bërë” pyeste nëna.
“Ne jemi këtu për të bërë detyrën, thanë ata. Ju duhet t’i thoni atij të largohet brenda 48 orëve”. Si mund t’i thoshte babait të kthehej nga kishte ardhur se “qe bërë gabim”? Si qe e mundur të qe bërë një gabim “kaq i madh”?
Plaku kishte vënë re që diçka nuk shkonte atë pasdite. E kuptoi që Qeveria po merrej me të.
Të nesërmen në mëngjes, Sigurimi i Shtetit u dha përsëri në shtëpi. Nëna nuk e kishte zbatuar urdhrin. Kësaj here bashkë me ta kishte ardhur edhe një tjetër. dukej më autoritar. Duhej të qe edhe më i madh në pozitë.
Ai hyri drejt e në kuzhinë, ku rrinte plaku. Mbi tavolinë, në taketuke qe bërë një pirg i madh bishtash cigare. Ai toku një gotë raki me të dhe i tha: “Ju mund të vini në Shqipëri më vonë, ndoshta, por tani duhet t’ju nisim përsëri në Amerikë. është bërë një gabim në ardhjen tuaj”. “Ani, ani, tha plaku, gabime bahen”. U duk sikur qe i përgatitur për këtë. (pjesë nga tregimi “Shamia e zezë”)
Nga nënë tradhtari në nënë heroi
Kishte qenë 15 vjeçe kur kishin parë premierën. Ulur në krah të gjyshes së saj, vërente gjithë kohës me bisht të syrit se si do të reagonte gjyshja gjatë filmit. Ajo grua ballëlartë e me një pamje fisnike kishte mbetur e ngrirë ato dy orë rresht me sytë mbërthyer në ekranin e madh...
Filmi përjetonte të birin, heroin. Vite më parë i patën dhënë lajmin se djali i qe vrarë si tradhtar, armik i popullit e trupin ia kishin hedhur e varrosur diku. Për nënën dhe fëmijët e tjerë, ende të parritur, kishte filluar maratona e kampeve të internimit: Lezhë, Berat, Vlorë... Ishte gruaja e një të arratisuri dhe nëna e një tradhtari.
Kishte shumë vite që vajtonte në heshtje. Dymbëdhjetë vjet si një pemë e ndarë më dysh nga rrufeja. Burri e një djalë matanë detrave, të arratisur. Një tjetri nuk i dihej varri, vajzën e vetme pa e parë. Herën e fundit e kishin shpënë në Vlorë...
Shtatë vjet pas vrasjes së të birit si “tradhtar i atdheut” dhe pas vuajtjeve në internime, një ditë papritur i thanë se e kërkonin në Tiranë, në Qeveri. Përse? Askush s’dinte gjë. E futën në një xhips të shoqëruar me dy ushtarakë. Ku do të më çojnë këtë radhë? Kush tjetër është vrarë nga familja ime, si tradhtar? Për kë tjetër duhet të paguaj? Kishte rënkuar duke kërkuar fundin. Ushtarakët nuk kishin thënë asnjë fjalë gjatë rrugës. Përse më shoqërojnë me ushtarë, a thua kaq e rrezikshme qenkam? I kishin prirë në atë godinë të ftohtë e të rëndë. Pastaj në një dhomë, ku përreth një tavoline katërkëndëshe ishin ulur burra me paleta e grada, dukej sikur e prisnin. Më i madhi prej tyre e ftoi të ulej në një nga kolltukët e dhomës e pastaj i zuri në gojë emrin e të birit të vrarë si tradhtar. Dhe brenda pak sekondave ndodhi më e habitshmja e të habitshmeve: tradhtari, për të cilin ajo kishte bërë internim e rrethuar me tela me gjemba, qe shndërruar në hero.
Kush ishte Pal Mëlyshi
Oficeri Pal Mylyshi, me pseudonimin “Furtuna”, i infiltruar në një organizatë diversantësh të armatosur në malet e Pukës, ku bënin pjesë edhe pjesëtarë të arratisur të familjes së tij, u vra në vendin e quajtur Uj-Lurth, pas një përpjekjeje të armatosur me forcat e ndjekjes më 12 prill të vitit 1950. Mes të vrarëve, për disa orë, u verifikua dhe kufoma e Pal Mëlyshit. Familjes iu tha se ai ishte “tradhtar”, që ishte arratisur e ishte bashkuar me ata që nuk donin pushtetin komunist. Në vitin 1963, pasi drejtuesit e shtetit e quajnë të përfunduar misionin e lojës, ku protagonist ishte “Furtuna”, mësohet e vërteta dhe Pal Mëlyshi, ish-oficeri i sigurimit të shtetit, bëhet hero. Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë më 5 mars 1957 publikoi dekretin “ligjin” për shpalljen e Pal Mëlyshit Hero i Popullit.