E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sex and the botox



‘Sex and the City 2’ shfaqet në kinematë e Tiranës, në të njëjtën ditë me pjesën më të madhe të kinemave të botës. Premiera botërore ka shkaktuar në shtypin e huaj jo pak polemika. Ka shumë nga ata që i frikësohen shijes jo të mirë që mund të lërë në fund dhe shkatërimit të kujtimeve të bukura që kanë lënë seriali në 10 vite transmetim. Megjithatë të gjithë kanë shkuar ta shohin, pavarësisht dozës së Bottoxi-it.

është një paralajmërim që ka tingëlluar përherë i drejtë: “kujdes vajzë nga gjërat që do, sepse në fund do t’i arrish”.
Ajo që donte Carrie, ishte të ‘kapte’ Mister Big, gjë që e arriti në fundin e lumtur të filmit të parë “Sex and the City”, me një martesë me fustanin e bardhë “vintage”, kërkesë në gjunjë, pas tentativës së parë që kishte mbetur pezull. E gjithë kjo ndodhi në kinema dy vite më parë. E mund të kishte qenë fundi për katër ish-vajzat e “Sex and the City”: Carrie (Sarah Jessica Parker, shkrimtarja single jo gjithnjë për zgjedhje të saj, Samatha (Kim Kattrall), e vetmja e pafuqishme për të qëndruar vetëm me një mashkull, Charlotte (Kristin Davis), e vetmja e grupit e lindur për të qenë nënë dhe Miranda (Cynthia Nixon), avokatja që nuk mendon për të krijuar një familje, por që e gjen befasisht veten me një të tillë. Pra, mund të ishte fundi me qenë që “Sex and the City” pat filluar (në 1994 në formë rubrike në New York Observer’ me firmën e Candace Bushnell e më pas si libër, pra që nga 1998 deri në 2004-ën si serial televiziv) për të treguar jetën e katër vajzave beqare dhe u mbyll pas sistemimit të tyre, përveç Samantës, në kushtet më të mira. Por, në të njëjtën kohë me daljen e filmit të dytë në Amerikë, dhe Europë, vjen edhe në kinematë e Tiranës, “Millenium” dhe “Imperial”, në të njëjtën ditë. Për t’ia nisur, “Sex and the City 2” do t’iu bëjë të qeshni, po aq sa ju bëri të qaj filmi i parë. Pra, atje ishte Carrie e lënë vetëm në ditën e martesës e më pas depresioni i saj, kur e gjen veten në udhëtimin e muajit të mjaltit me mikeshat në vend që të kishte në krah të shoqin. Pra ishte e gjithë koha dhe përpjekjet që ajo bënte për ta harruar, ai që nuk shfaqej, dhe për ta mbyllur me martesën që, në çdo rast, i bën të gjithë pak për të qarë. “Sex & the City 2”, krahasuar me të sipërpërmendurin është më rrezatues. Hapet me një martesë gay përrallore, dasma zhvillohet në Connecticut, aty ku martesat gay janë në realitet të lejuara me ligj. Po aty merr rrugë arratisja e parë e tyre nga New Yorku. Martesa e dytë që merr hapësirën e gjysmës së filmit, zhvillohet në Abu Dhabi, atje ku katër mikeshat gjenden duke bërë pushime falas në një hotel super luksoz dhe ku Carrie takon ish të dashurin e saj, Aidan.
Ka një paralajmërim të dytë që është po aq i saktë sa ai i pari. Burimi është prej njërës nga mikeshat që pyet tjetrën me të njëtën pyetje: “Do kthehet?”. Përgjigjja: “problemi është që meshkujt gjithnjë kthehen”. Për Carrin është më shumë se e vërtetë. Sa herë që përpiqej të harronte Bigun e gjente sërish veten, në krahët e tij. Se si do shkojë filli i ngjarjeve do ta zbuloni në film.
Ajo që ende mund të thuhet është që me dy vitet që kanë kaluar, në jetën e protagonisteve janë çështje të tjera për t’u përballuar. Për Samantën pikëpyetja që i del përditë përpara, quhet menopauzë (në filmin e parë festoi ditëlindjen e 45-të). Për Mirandën është ajo barriera e padukshme por solide, që i pengon femrat të kapërcejnë një nivel të caktuar në karrierë. Për Charlottë, problemet janë dy, si vajzat për të cilat duhet të kujdeset pa hequr dorë nga imazhi i mamasë perfekte. Po Carrie? Në rastin e saj çështja është po ajo “jetuan të lumtur e të gëzuar”. Sepse nëse në përralla hedhja e orizit dhe buqetës kalohet me pak fjalë, në jetën reale është më e ndërlikuar.

Sex and the Botox

Kuptohet marketingu. Kuptohet edhe reklamimi i të gjitha produkteve (180 marka të ekspozuara në film). Kuptohet madje edhe sfida që i bëhet moshës që në këtë rast nuk arrihet me përdorimin e një kremi antirrudhë. Po në këtë rast, ajo që nuk perceptohet lehtësisht është dëshira për ta kthyer domosdoshmërisht në film një serial televiziv që ka qenë gjerësisht i suksesshëm. Atë që “Sex & the City” kishte për të thënë, e ka thënë tashmë në 10 vitet e serialit televiziv. Tani, në filmin e dytë (sepse nuk mund të mjaftonte i pari, me të gjitha fundet që spektatorët dëshironin) rrezikojmë të shkatërrojmë një kujtim të bukur. Vajzat, nuk janë më ato të parat. Shumë doza bottoxi, shumë mërira, shumë mërzitje. A është e mundur që, pranë të 50-tave të tyre, të jenë kthyer papritmas në torollake? Carrie, e zonja në botën e shopingut nuk e ka dëgjuar asnjëherë më parë fjalën ‘souk’. Samantha as që e di që në vendet arabike është mirë që të mos shëtitet me sandalet e vogla të hapura. Të gjitha shkojnë për shëtitje në shkretëtirë me taka të larta. Tematikat sentimentale, dikur pika e tyre e forcës, kanë përfunduar në dialog si të shkollave të mesme (“kam puthur një tjetër, ndihmë, të jetë tradhëti?”) .

Femrat “VIP” në premierën e “Sex and the City2”

Kush veshur chic e kush më sport, ia behën njëra pas tjetrës në oborrin e kinemasë, këngëtaret Eranda Libohova, Rovena Dilo, Silva Gunbardhi, për të vazhduar me balerinën Enada Hoxha, prezantueset Inis Gjoni, Ornela Bregu, Huejda El Sajed, motrat Vjollca, Luana dhe Marina, sportistja Klodiana Shala, etj. Vetëm katër nju jorkezet zhurmëmëdha mund të mblidhnin kaq shumë femra të njohura të gjitha bashkë. Në të njëjtën ditë me të gjitha kinematë e botës, në Kinema “Millenium 2” u shfaq premiera e filmit “Sex and the City 2”. Ashtu si edhe dy vjet më parë, kur u shfaq “Sex and the city 1”, organizatorët e kësaj ngjarjeje, kishin menduar që sallën e kinemasë ta mbushnin vetëm me femra. Shumë syresh mikesha me njëra-tjetrën, si për t’ju përmbajtur edhe thelbit të filmit. Miqësisë së katër femrave nga Nju Jorku. Katër karaktere të ndryshme, me histori nga më ekstravagantet, por që besojnë shumë në miqësinë që kanë me njëra-tjetrën. Për më shumë se dy orë, edhe në Tiranë “femrat VIP” i shpëtuan vëmendjes së meshkujve, për t’i kushtuar më shumë vëmendje njëra-tjetrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›