EURO 2016, Turqia akuzon Platinin për ndërhyrje
Vendimi i UEFA-s që caktoi Francën për organizimin e Euro 2016, ka sjellë pakënaqësi te turqit, të cilët humbën betejën vetëm për 1 votë. Sipas tyre, presidenti i UEFA-s ka ndikuar në votimin e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv. Në mediat turke shkruhet se Platini prezantoi të 13 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv me presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi, ndërkohë që nuk bëri të njëjtën gjë me presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl. Numri 1 i UEFA-s është kritikuar edhe nga zëvendësi i tij, turku Shenes Erzik, i cili në mediat turke ka deklaruar se veprimet e Platinit nuk përmbanin aspak fair play. Reagimi i Platini ka qenë i menjëhershëm. “Unë nuk jam despot dhe këtë e tregoi votimi që u bë në mënyrë demokratike”, ka deklaruar presidenti i UEFA-s. “Nëse mendoni se kam ndikuar në fitoren e Francës, atëherë kur të jetë presidenti i UEFA–s një turk, mund të merrni këtë aktivitet në Turqi”, ka përfunduar Platini. Qeveria turke kishte premtuar investimin e 27 miliardë eurove deri në vitin 2016.