E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rovena Marku: Lojërat Olimpike, sfida ime

Nga Aida TUCI (Sporti Shqiptar)- Ajo që i bashkon dy notarët tanë, që po përfaqësohen në Lojërat Olimpike "Pekin 2008", janë peripecitë që kanë hequr për të qenë pjesë e delegacionit olimpik shqiptar. Rovena Marku, notarja që përfaqësohet për herë të dytë në një olimpiadë, e ka fituar me mund të madh biletën e saj për në Lojërat Olimpike të Pekinit, edhe pse ishte e vetmja notare shqiptare që plotësonte të paktën formalisht kushtet që kishte Federata Botërore e Notit (FINA) për të akorduar dy ftesa për Shqipërinë.
"Olimpiada gjithmonë më sjell emocione"
Sportistët që do të garojnë në "Pekin 2008" për notin janë dy rekordmenët kuqezi, Rovena Marku dhe Sidni Hoxha. 21 vjecarja shkodrane ka garuar për flamurin shqiptar edhe në Olimpiadën e Athinës. Pak përpara nisjes për në Pekin, Rovena Marku është po aq e emocionuar sa dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit olimpik. Por ndoshta ajo pak më shumë për vetë faktin se është rropatur për të hyrë në listën e olimpistëve kuqezinj. "Jam shumë e emocionuar dhe e lumtur njëkohësisht. Më përpara, këtë ditë e prisja qetësisht, por shoh që pjesëmarrja në olimpiadë është dicka krejt tjetër.
Përfaqësimi për herë të dytë në Lojërat Olimpike është shumë i rëndësishëm për mua. Edhe pse këto Lojëra Olimpike janë të dytat si notare, sinqerisht jam më shumë e ngarkuar emocionalisht sesa në Athinë, ndoshta ngaqë në atë kohë kam qenë më e vogël në moshë dhe nuk kisha kaq shumë përgjegjësi sa kam tani. Por premtoj që në Pekin do të jap maksimumin dhe do të mundohem të përmirësoj rezultatin tim dhe t'i afrohem sa më shumë normës olimpike,"- shprehet notarja shkodrane që në olimpiadë shkon si notare e ekipit të Pogradecit.
Në gjurmët e trajneres së saj
Rovena Marku konsiderohet një sportiste elitare e sportit të notit. Vajza, e cila dallohet për humorin e saj tipik shkodran, vjen nga Shiroka. Ajo ka qenë pjesëtare e shoqatës së notareve të Shirokës që kur ishte ende e vogël dhe e klubit shumësportësh "Vllaznia". Prej dy vitesh ajo është pjesëtare e ekipit të Pogradecit dhe stërvitet nga trajneri Genc Oshafi, pas largimit nga jeta të trajneres së saj Kudrete Kozmai. Rovena ka qenë pikërisht "zbulimi" i trajneres Kozmai si notare dhe kjo e fundit do ta bënte një nga emrat më të njohur të notit shkodran. Tek vajza, e cila ishte lindur pranë ujit dhe rritur më të, ish-notarja Kozmai pa veten e saj, prandaj punoi me pasion e dashuri me Rovenën, duke synuar që ta bënte edhe atë një kampione dhe rekordmene, por fatkeqësisht jeta e ndau që të shihte dhe një herë Rovenën në Lojërat Olimpike.
Të stëvritesh në kushte te thata
Për sa i përket stëvritjes, Rovena, ashtu si të gjithë notarët shqiptarë, vuan mungesën e infrastrukturës. Në më të shumtën e kohës stërvitja e saj bëhet në qiell të hapur, përjashto rastet kur ajo përfaqësohet në aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Kjo padyshim që ndikon në rezultatet e saj, që gjithsesi konsiderohen rezultate të larta. Ajo është rekordmene në disa disiplina sportive të notit, si në 100 metra stil i lirë, (rekord që kur ajo e theu në vitin 2004 kishte 25 vjet që nuk thyhej). Për rezultatet e saj të larta ajo gjithmonë ka gjetur mbështetje nga klubi i Pogradecit dhe nga trajneri i saj. Ajo është shprehur se suksesin e viteve të fundit ia dedikon pikërisht punës së trajnerit të saj, Genc Oshafi, i cili nuk e shoqëron sportisten në Pekin.
Ky i fundit e sheh Rovenën si sporte të nivelit të lartë. Rovena në fakt se kishte menduar asnjëherë se do të vinte një ditë që dhe noti shqiptar do të mund të prezantohej në një eveniment aq të rëndësishëm, sic janë Lojërat Olimpike. Ajo është e ndërgjegjshme që niveli i saj është shumë larg niveleve të kolegëve pjesëmarrës në këto lojëra, por gjithsesi ajo do të mundohet të japë më të mirën nga vetja. Nuk e mendon aspak përfaqësimin në këtë olimpiadë si një shëtitje, përkundrazi, ajo e konsideron përvojën më të vyer të jetës së saj.
Rovena Marku
Datëlindja 21.05.1987
Vendlindja Shkodër
Sporti not (50m stil i lirë)
Gjatësia 172cm
Pesha 58kg
Rezultatet: Pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike "Athina 2004"
Pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare "Almeria 2005".
Pjesëmarrja në "Pekin 2008": Me ftesë si sportistja më e mirë femër
Objektivi në "Pekin 2008": Përmirësimi i kohës me 28"70

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›