E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, qyteti me 3 mijë fëmijë dhe një çerdhe

VËZHGIMI/ Në qytetin e kombinatit shumica e banorëve as nuk e dinë që ekziston një çerdhe për fëmijët e tyre

ELBASAN - Çerdhja e fëmijëve në afërsi të drejtorisë së Higjienës është e vetmja në një qytet me 120 mijë banorë siç është Elbasani dhe me rreth 1 mijë lindje në vit. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetit Publik, numri i lindjeve vetëm për 2008-n po kap shifrën 1 mijë dhe këtu përfshihen të gjitha foshnjat që jetojnë në qytet. Në bazë të këtyre të dhënave, numri i çerdheve në qytet duhet të ishte të paktën dhjetë. Por institucionet vendore shumë vonë janë kujtuar për të investuar tek më të vegjlit, duke u shprehur se vitin e ardhshëm do ta çojnë në dy numrin e këtyre lloj institucioneve, por duke qenë përsëri shumë larg nevojave të qytetit. I vetmi objekt për çerdhe është rikonstruktuar kohët e fundit dhe është shtuar pjesa e kopshtit për t’u përdorur me këtë destinacion. Një nga nënat thotë se çerdhja u rregullua vetëm kur ajo shkoi e trokiti te kryetari i bashkisë për t’ia bërë prezent shqetësimin e prindërve. Numri i fëmijëve që trajtohen aktualisht në strehëz është 90. Sipas vetë prindërve që çojnë fëmijët aty, shumë pak e dinë që ka ende çerdhe në qytetin e Elbasanit. Edhe ajo aktuale ka vazhduar në kushte mjaft të vështira deri në investimin e këtij viti. Megjithatë, investimi i kryer duket se thjesht e ka bërë të pranueshme të vetmen çerdhe të qytetit, por pa zgjidhur tërësisht problemet e tyre. Kështu, sipas vetë prindërve, investimi për kaldajën që shërben për ngrohje mund të ishte i mirë, por ajo funksionon vetëm kur ka energji elektrike dhe kufizimet gjatë paradites vënë në vështirësi fëmijët, që e ndiejnë të ftohtin e dimrit. Po kështu, prindërit ngrenë si shqetësim edhe mungesën e lodrave apo ambientit, i cili duhet të jetë më i këndshëm për fëmijën. Aktualisht bëhet e ditur se në ndërtesën që deri para një viti ishin 20 fëmijë, pas një investimi janë strehuar 90, por kjo nuk do të thotë se nuk përbëjnë një mbipopullim. Ndërkohë, për ndërtimin e objekteve të tjera me këtë destinacion pritet parashikimi në buxhet. Vitin e ardhshëm nga bashkia është premtuar ndërtimi i një çerdheje tjetër në pjesën veriore të qytetit. Në fakt, nëse llogarisim grupmoshën nga 0 deri në 3 vjeç, atëherë rezulton se numri i fëmijëve për qytetin e Elbasanit arrin në 3 mijë dhe të paktën 1 mijë prej tyre kërkojnë shërbimin e çerdhes. Në Elbasan nuk ekziston asnjë çerdhe private dhe deri tani prindërit kanë gjetur si zgjidhje familjarët dhe marrjen e dadove kundrejt pagesës, gjë që jo çdo familje mund ta përballojë, sidomos nisur edhe nga niveli i të ardhurave të kësaj zone. Ndërkaq, nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Dritan Çepa, thotë se “objektivi i bashkisë për vitin e ardhshëm është krijimi i një çerdheje të re me kushte komode në pjesën veriore të qytetit të Elbasanit”. Çepa pranon se çerdhja aktuale është shumë larg për shumë prej prindërve, si dhe pohon kushtet e vështira sociale të qytetarëve, ndërsa përmend se edhe vitin e ardhshëm tarifa për prindërit që çojnë fëmijët në çerdhe nuk do të ndryshojë. Megjithatë, nisur nga fakti se viti 2009 do ta gjejë Elbasanin thjesht me dy çerdhe, që nuk plotësojnë as 20% të nevojave të qytetarëve, arrihet thjesht në përfundimin se ky institucion është ende larg plotësimit të nevojave të këtij qytetit.

PRINDËRIT

Klodiana Dallo

“Çerdhja e vetme është shumë larg dhe më duhet të ngrihem herët, që të përgatis dy fëmijët dhe para orës tetë t’i sjell me urban në kopsht dhe në çerdhe. Sakrifica është e madhe, por këtu janë kujdesur mirë. Shpesh në autobus më pyesin se ku i çoj fëmijët dhe kur i them në çerdhe, habiten pasi të gjithë mendojnë se në Elbasan nuk ka çerdhe. Për mua, do të ishte një mundësi më e madhe që të hapej një çerdhe e re. Të paguash një njeri që t’i mbajë është shumë shtrenjtë kështu që detyrohemi t’i sjellim këtu nga ana e anës”.

Elona Boçi

Ajo punon në strukturat e rendit dhe për shkak të punës e sjell fëmijën çdo ditë nga lagjja “28 Nëntori” në afërsi të autostradës deri tek Drejtoria e Higjienës, pas së cilës ndodhet çerdhja e vetme në qytet. “Kushtet më duken të mira, por duhet të ketë më tepër çerdhe, pasi duhet të nisemi shpejt për të shkuar në orar në punë”.

INTERVISTA

28 vjet me fëmijët, Goxhaj: E di si do të bëhen kur të rriten

Në stafin e çerdhes ka edhe infermiere të cilat kanë zgjedhur profesionin e kujdestares në çerdhe. Bardha ka 28 vjet që punon me fëmijët dhe mendon se këtë profesion do ta vazhdojë gjatë gjithë jetës.

Sa vite keni që merreni me fëmijët dhe pse keni zgjedhur të punoni me ta?

Kam 28 vjet që merrem me fëmijët dhe për mua tani është kthyer në një gjë normale. Zgjodha të merrem me fëmijët pasi puna e infermierit për të cilën mbarova shkollën ishte me turne dhe unë kisha fëmijët e vegjël. Fillimisht fillova në konsultoren e fëmijëve dhe më pas në çerdhe. Kur fillova me fëmijët kuptova se kjo ishte rruga e duhur për mua. Është kënaqësi të punosh me të vegjlit dhe pas 28 vjetëve për mua është kthyer në një gjë të domosdoshme. Këtu na i sjellin fëmijët 40 ditësh në grupin e parë dhe pastaj vazhdojnë deri 3 vjeç. Unë merrem kryesisht me latantët, pasi jam mësuar të punoj me ta.

Cilët prindër i sjellin fëmijët në çerdhe?

Ka prindërtë gjitha llojeve, por në shumicën janë prindër të shkolluar dhe me punë, që bëjnë një jetë të pavarur. Kemi edhe raste të fëmijëve jetimë, të prindërve të divorcuar dhe nëna të reja që kanë vështirësi në rritjen e foshnjave të tyre.

Ju ka ndodhur t’ju kujtojnë pas shumë vitesh?

Më kanë rastisur që fëmijët që kam rritur këtu kanë sjellë fëmijët e tyre në çerdhe. Më ka ndodhur që një nënë e re më ka sjellë fëmijën. Ajo ka ardhur këtu me nënën e saj e cila i tregoi sesi ishte rritur nga kjo çerdhe shumë vite më parë. Jam ndier shumë e emocionuar. Shpesh vijnë më takojnë fëmijët që tashmë janë të rritur dhe unë ndihem mire, pasi nuk mund të jetoj dot pa fëmijët.

E dalloni dot karakterin e fëmijëve?

Është e çuditshme, por unë arrij t’i dalloj që të vegjël. Kam 14 fëmijë në grupin e parë tek latantët dhe gjithsecili i shfaq cilësitë e tij. P.sh. u them prindërve se ky fëmijë do të jetë i shkathët, tjetri grindavec, tjetri i çrregullt apo karaktere të tjera, të cilat arrij t’i dalloj. Ata fëmijë kur rriten shfaqin ato cilësi. Ndoshta, prindërit çuditen pak, por duke i vëzhguar çdo ditë ne arrijmë të përcaktojmë edhe karakterin e tyre nëse do të jenë të lëvizshëm, tekanjozë, të guximshëm, delikatë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›