E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëri i sinqertë i Les femmes

Kuarteti “Les Femmes”, a capella me këngë të njohura të muzikës botërore. Ato vijnë nga profesione të ndryshme por i bashkon pasioni për muzikën. Këngët e tyre janë për botën e femrës

Një natë e vetme dhe e veçantë ka qenë ajo që i dhuroi grupi holandez “Les Femmes” publikut të kryeqytetit. Këngë të njohura të repertorit botëror të popit u interpretuan a capella. Të katër zonjat nuk e kanë këngën profesionin e jetës, por pasioni që kanë për të i ka çuar një shkallë më afër profesionalizmit. Emocione nuk dinë të përcjellin vetëm ata që jetojnë dhe bëjnë para nga kënga. Katër femra pa asnjë instrument tjetër veç zërit, mund të jenë po aq spektakolare. Berdie Walter, Irma van Hoof, Rosina Stokroos dhe Emily May Jamaer, jo vetëm që këndojnë por edhe aktrojnë si profesioniste. Nëpërmjet zërit dhe performancës, arrijnë të përcjellin te publiku emocione të mrekullueshme.

Asnjëra nuk pranon të flasë në emër të grupit pasi që të gjitha ndjehen të barabarta dhe pyetjeve i përgjigjen me radhë, njësoj si i lënë vendin njëra-tjetrës në skenë.

Si lindi “Les Femmes”?

Berdie Walter: Mendoj se unë jam themeluesja e bandës. Dhjetë vjet më parë, doja të bëja diçka ndryshe nga të kënduarit në një kor të madh që interpretonte vetëm muzikë pop. Aty kishte shumë njerëz dhe puna nuk ishte shumë e vështirë. Kisha nevojë për një sfidë. Dhe me katër njerëz në skenë, ti qëndron vetëm me zërin tënd. Kjo është sfida. Formacioni në formën e tanishme ka 8 vjet që është krijuar.

Pse a capella dhe jo tjetër lloj?

Berdie Walter: Prapë sfida. Të këndosh a capella është shumë e vështirë, është një stil i veçantë që personalisht më pëlqen shumë. Disa njerëz thonë se a capella është pa muzikë. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Vërtet që nuk shoqërohet nga instrumente, por ka instrumentin më të rëndësishëm, zërin. Në skenë prodhon muzikë.

Si e mësuat mjeshtërinë e të kënduarit a capella?

Berdie Walter: Ne e kemi pasion muzikën dhe nuk kemi shkuar në ndonjë shkollë të veçantë, por që të gjitha kemi një mësues muzike që na mëson si të pëdorim zërin dhe teknikat që duhet të dimë. Është vetëm pasion. Dega që kam studiuar nuk ka të bëjë fare me muzikën. Jam diplomuar për gjuhë gjermane, që në të vërtetë nuk është një gjuhë melodioze.

Irma van Hoof: Unë në të vërtet jam aktore, më saktë aktore humori.

Rosina Stokroos: Unë jam infermiere. Kam kënduar më parë por vetëm në kor shkolle dhe në kor gosspel. Të këndosh a capella është vërtet kënaqësi. Jam e fundit që kam ardhur në grup. Tri zonjat po kërkonin një soprano, mora pjesë në audicion dhe isha shumë e kënaqur kur më pranuan në grup. Tani ne lundrojmë në ujëra gjysmë profesionale.

Emily May Jamaer: Edhe unë, nuk jam një këngëtare profesioniste. Punoj në marketing dhe komunikim. Të kënduarit për mua është hobi.

Pse keni zgjedhur këtë emër për grupin?

Berdie Walter: “Les femmes”, në frëngjisht dmth femra. Ishte ideja e një shoqes së Irmës, pastaj ne na pëlqen të luajmë me fjalët në frëngjisht. Holandezët në përgjithësi e pëlqejnë gjuhën franceze. Restoranteve apo grupeve të tyre shpesh i vënë emra francezë. Maastricht, qyteti prej nga vijmë është një qytet internacional dhe gjuha francezë është shumë e përdorur, ose më mirë të themi frëngjishtja e Belgjikës.

Rosina Stokroos: Ne këndojmë kryesisht për gjëra që kanë të bëjnë me botën femërore sa të brishta (Fragile) ne jemi, për dashurinë dhe urrejtjen, për sytë e një fëmije, për gruan e tradhtuar, për femrën e vetmuar. Në të gjitha këngët tema kryesorë është bota e femrës.

Versionet që ju i këndoni këngët janë shumë larg origjinalit...

Berdie Walter: Ne e interpretojmë këngën sipas mënyrës tonë. Repertori është i përbërë në pjesën më të madhe nga këngë shumë të vjetra që ne i bëjmë tonat, madje disa prej tyre i kam përkthyer unë në gjuhën holandeze. Si p.sh. këngën “I will survive” të Gloria Gaynor.

Rosina Stokroos: Të kënduarit për ne është shumë i rëndësishëm, por jo më pak është edhe prezantimi i këngëve. Ne gjithashtu në skenë na pëlqen të aktrojmë dhe t’iu tregojmë histori njerëzve.

Repertori i muzikë botërore është shumë i pasur. Si e bëni përzgjedhjen dhe aranxhimin e materialit?

Berdie Walter: Ne i zgjedhim pjesët së bashku. Secila thotë këngën e saj të preferuar dhe pastaj zgjedhim me “konsensus”. Kushti i vetëm është që të gjitha duhet ta pëlqejnë pjesën e zgjedhur. Pas nesh është një person tjetër që bën aranxhimet por Emili është gjithashtu një aranxhuese shumë e mirë.

Kuarteti është formulë e të kënduarit a capella?

Irma van Hoof: Po. Muzika a capella është të imituarit e një bande, kështu që pjesën më të madhe të kohës zëri është në plan të parë.

Berdie Walter: Ne jemi katër zëra të ndryshëm. Irma është baza jonë. Ajo është instrumenti bas dhe gjithashtu jep shumë ritëm. Pastaj jemi tri zëra që bëjmë harmoninë dhe në varësi të këngës një nga të tria është zëri kryesor. Kështu funksionon.

Çfarë instrumentesh imitoni Irma?

Unë jam baza, zëri i ulët, si kitara bas. Sinqerisht që e urrej rolin e tamburit, do të doja që të kisha më shumë tekst. Meqenëse jam gjithmonë basi shumë shpesh më duhet të bëj dum dum (si tambur). Më pëlqen më shumë të aktroj por fatkeqësisht na duhet një zë bas. Është shumë e vështirë sepse nuk mund të shpreh kuptimin e këngës, të tjerat kanë tekst dhe mund ta shprehin.

Emily May Jamaer: Ajo është shumë e rëndësishme, nëse nuk do të kishim atë, do të kishim humbur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›