Rozi Kostani: Kinematografisë shqiptare i mungon sistemimi i vlerave
Aktorja rrëfen jetën artiske dhe emocionet, që i ka falur interpretimi në teatër dhe rolet në filma
Ka vite që interpreton në skenë dhe padyshim bën pjesë në atë brez aktorësh, që sjellin diçka të re në skenën e teatrit, por dhe në kinematografi. Kjo është aktorja Rozi Kostani, e cila me interpretimin e saj në skenën teatrore, por dhe në filma, ajo ka ditur të bëjë për vete publikun. Në një intervistë dhënë për gazetën, aktorja tregon për jetën e saj artistike, e cila ka qenë shumë e ngjeshur, duke interpretuar në filma, teatër si dhe performanca artistike.
Të gjitha këto i kanë falur emocione aktores Kostani, po ashtu edhe publikut. Duke folur për jetën e saj artistike, aktorja nuk harron të na tregojë dhe si e shikon sot zhvillimin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, ndërkohë që flet dhe për punën e saj si pedagoge në Akademinë e Arteve.
-Rozi jeta juaj artistike ka qenë shumë aktive, por çfarë mund të na tregoni për disa nga projektet ku ju keni marrë pjesë ? Po,viti që shkoi ka qenë goxha i frytshëm për mua si në film ashtu e teatër, tek i fundit me një këndvështrim të ri në atë të regjisores, të cilën kam shumë vite që e praktikoj me studentët. E kështu kam startuar në publik me dy performanca njëra poetike e shfaqur në Kosovë e tjetra një performancë artistike e përmasave më të mëdha me rastin e festave të nëntorit, me rastin e 65 -vjetorit të çlirimit e shfaqur ne Tiranë tek piramida nën kujdesin e Jozefina Topallit, ku përfshiheshin shumë komponente artistik me një këndvështrim modern, ku dhe publiku ishte pjesë e saj, vetë vendosja tek piramida që po rikonstruktohet flet vetë për mesazhin e këndvështrimin. Për sa i përket filmit, kam marrë pjesë tek filmi Out of touch i regjisorit të ri shqiptar, që ka studiuar në Francë e Kanada Andi Deliana. Filmi flet për ditët tona, problemet që ka shoqëria jone sot, është film aksion, eksperiencë e re për ne, të gjitha personazhet lindin, zhvillohen e përfundojnë brenda një dite, sigurisht që ka një ngjarje shkak për secilin prej tyre që i ka bërë të veprojnë në film e ta zhvillojnë ngjarjen e tyre. Interesante tek ky film është se nuk ka protagoniste vetëm një ose dy persona, aty të gjithë kanë momentin e protagonizmit të tyre. Arjana, personazhi që mu besua mua është një grua e re rreth 33-34 vjeç, mësuese matematike e cila e jeton me burrin e vajzën e saj 6 vjeçe. Ajo është një femër e guximshme, sakrifikuese, e cila ka luftuar fort për ta ndërtuar folenë e saj, familjen, por po kupton që kjo fole po shkatërrohet. Burri i saj ka një javë që është larguar nga shtëpia pa dhënë asnjë informacion. Ai punon në bashki dhe është drejtori i dhënies së lejeve të ndërtimit, këtu lidhet e me personazhet e tjera për shkak të interesave që kanë, me këtë ngjarje fillon dhe drama e personazhit tim Arjanës. Ajo bën të pamundurën të gjejë të shoqin, por pa pritur pas një jave ai kthehet në mëngjes në shtëpi, pas një dialogu ajo kupton se e ka humbur atë, ai e tradhton me sekretaren e tij. Këtu, pas këtij informacioni ndryshon rrjedha e veprimeve të Arjanës, pas një takimi të rastësishëm me të ajo e ndjek me makinë nëpër rrugët e Tiranës si e çmendur e kështu aksidenton një njeri e çuditërish ajo ikën nga vendi i ngjarjes, humbet, vetëm një mendim i rri në kokë, duhet të shkojë të marrë vajzën nga shkolla, duke ikur rrugëve kuturu i del para policia, ajo përfundon në burg.
-Sa e vështirë ka qenë për ju që të përshtateshit me personazhin?Sigurisht që me çdo rol që merr është përballje e parë, e duke qenë përballje e parë ka vështirësitë e veta për të lindur. Që në çastin e parë që e lexova më joshi, ndjeva potencialin e saj, një femër luftarake, ekspresive, qe e do atë që ka ndërtuar dhe do ta mbajë fort e të mos e humbë, por jeta të befason me surprizat e saj. Po, u lidha ngushtë me Arjanën, u dhashë e tëra tek ajo, e besova atë e besoj se ajo nuk do të më tradhtoje...hahahaha shaka kjo. Çasti më i vështirë që kisha, ishte kur ajo largohej nga vendi i ngjarjes, pasi ka shtypur një njeri, Arjana në një situatë normale nuk do ta bënte, por ajo nuk ishte në një situatë normale. Asaj i kumbonte koka nga një kakofoni tinguj mendimesh ndër të cilat ajo arriti të artikulojë vetëm një-duhet të marr vajzën nga shkolla, e ora kishte kaluar, vajza po e priste, shumë i vështirë ky çast për Arjanën dhe mua sigurisht. Por e veçanta ishte se vajza ishte, vajza ime që kam në jetë, kam përjetuar një emocion shumë të bukur, me falni, këtë nuk e përshkruaj dot, di të them që kemi një kujtim të bukur bashkë.
-Jeni një emër i njohur i skenës teatrore, por dhe në kinema, si shikoni sot kinemanë shqiptare ?Dua ta shikoj me një sy pozitiv, tjetrin do ta mbyll pak...haha. Sigurisht që probleme ka, ajo që duhet vlerësuar është që filmi po lëviz, po punohet. Ja sot kemi dy filma që po xhirohen, një telefilm e një telenovelë, do të thotë që po aktivizohen shumë breza aktorësh, kjo është një gjë e mirë, ti do thuash vonë, por problemi qëndron tek sistemi i vlerave, për sa kohë që nuk ka sistem vlerash do ketë gjithmonë probleme thelbësore.
-E ndërkohë një koment i juaji për teatrin sot?Në thelb është e njëjta gjë me një ndryshim të vogël, që teatri ka gjalluar edhe atëherë kur nuk bëheshin filma. Mua më pëlqen që tek ne teatri nuk po përjeton atë krizë që po përjeton në botë, bëhet teatër, sigurisht një herë në nivelin e duhur një herë jo, e rëndësishme është që bëhet, se si ...eh këtu dalim përsëri tek sistemi i vlerave pastaj.
-Çdo aktor pohon se rolet janë njëlloj dhe nuk ndahen, por megjithatë është një rol që mbahet, ju cilin nga rolet do të veçoni dhe pse mendoni se është i tillë?Po është e vërtetë që është e vështirë të veçosh ndonjë, po të gjithë janë të ndryshëm, kanë ngjyra që të bëjnë të dashurohesh për sa kohë bashkëjeton me ta e më vonë kur divorcohesh ata lënë gjurmë në koshiencën e subkoshiencën tënde. Secili rol është një ushqim mendor e shpirtëror, për këtë qenie që ka aftësinë të shndërrohet e të përjetojë krijimin e shndërrimit, quhet aktor. Por ju po më kërkoni ta veçoj njërin, me dhimbje sigurisht. Është....Nënë Tereza, ka qenë përvoja artistike e krijimit më kuptimplotë që më ka ndodhur, ndërkohë që unë punoja me të, ajo punonte me mua, magji. Që këtu ishte përgjegjësia më e madhe që kam marrë ndonjëherë, por ajo mi hapi krahët dhe magjia ndodhi, po, po ndodhi.-Dashuri në veprim-kjo ishte motoja e saj, kjo është tashmë dhe e imja, dikur këtë ndjesi e kisha instiktive si çdonjëri nga ne, por jo në të njëjtat përmasa, tani e kam të artikuluar. Ah sa bukur është ta njohësh atë njeri, unë pata fatin e njoha, kam jetuar rreth 5 muaj më të, me librat, me dokumentarët, me çdo gjë që fliste për të, natë e ditë me të, çelësi ishte dashuria. Do ta mbyll me një shprehje të saj, se ndryshe unë flas pa pushim.-Jep më të mirën që ti ke, e megjithatë ajo kurrë nuk mund të jetë mjaft; sidoqoftë jep më të mirën tënde.
-Çfarë ka ndryshuar nga Rozi që ka interpretimi i parë në skenë dhe deri tani?Oh,shumë gjëra, shumë gjëra, kanë ndryshuar të artikuluar ose jo. Përpiqem çdo ditë të shkoj më tej në këtë profesion e të shoh më qartë. -Sa e lodhshme është të jesh aktore, duke ditur se ju merr një pjesë të mirë të kohës me familjen?Ti rrëmbehesh në këtë rrjedhë e nuk arrin ta kuptosh, pjesëtarët e familjes mund të të thonë, ata duhen pyetur. Sigurisht ata e pësojnë, por që dëmshpërblehen besoj.
-E ndërkohë si janë ndërtuar marrëdhëniet tuaja me studentët?Përsëri duhen pyetur ata....po them konstatimin tim. Përpiqem me fanatizëm që tek