21 Janari, fletë-thirrje të reja në Gardën e Republikës
Tiranë- Një grup hetuesish të dosjes “21 janari” zbarkuan dje në Gardën e Republikës, për të dorëzuar disa fletë-thirrje. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se hetuesit e çështjes kanë qëndruar për rreth dy orë në ambientet e Gardës së Republikës, ku pasi kanë dorëzuar fletë-thirrjet për disa gardistë, kanë kryer edhe disa veprime hetimore në këtë institucion. Këqyrja e disa dokumenteve, që mund të jenë me interes për hetimin e çështjes, si dhe pyetja parapake e disa gardistëve që kanë qenë me shërbim pranë kryeministrisë më 21 janar, mësohet se kanë qenë arsyet që i çuan hetuesit sërish në Gardën e Republikës. Në prani edhe të gardistëve dëshmitarë, hetuesit, së bashku me një ekspert kanë përcaktuar disa episode ende të paqarta të skenës së ngjarjeve të 21 janarit, ku humbën jetën katër persona dhe u plagosën 7 të tjerë. Fillimisht, hetuesit kanë përpiluar një skicë të vendit të ngjarjes, ku janë shënuar edhe disa gardistë, vendndodhja e të cilëve nuk dihej me siguri nga grupi hetimor, ndërsa i gjithë ky proces pritet të pasqyrohet në atë që mund të konsiderohet si skena përfundimtare e ngjarjes. Burime të rezervuara konfirmuan se përveç gardistëve të pyetur dje në ambientet e Gardës së Republikës, shumë efektivë të tjerë, përfshi edhe një pjesë të kuadrit komandues, tashmë janë thirrur zyrtarisht për të dhënë deklarimet e tyre. Në ditët në vijim, prokuroria pritet të marrë dëshmitë e disa gardistëve, që janë pjesë e njësisë speciale, ndërsa edhe eprorë të tyre do të pyeten për llogari të hetimit. Momentalisht, Prokuroria nuk bën publik emrat e drejtuesve të Gardës që do të thirren për 21 janarit, por konfirmohet se tashmë atyre u ka mbërritur fletëthirrja. Bashkë me ta, në Prokurori do të paraqiten edhe deputetë të Partisë Socialiste, të cilët do të japin shpjegime rreth mënyrën se si u organizua demonstrata dhe arsyet e dhunës ndaj policisë, e cila degjeneroi deri në sulm ndaj institucionit të Kryeministrisë. Të gjithë personat e thirrur do të pyeten javën e ardhshme, ndërsa momentalisht grupi i hetimor është fokusuar në një çështje mjaft të rëndësishme, të paktën për këtë fazë: rindërtimin e vendit të ngjarjes. Sipas burimeve mësohet se një pjesë e mirë e grupit hetimor është angazhuar në mbledhjen e të gjithë elementeve të nevojshëm, që do të krijonin një tablo të qartë për atë që ka ndodhur realisht më 21 janar. Madje hetuesit, në bashkëpunim edhe me ekspertët amerikanë, kanë arritur të përcaktojnë në mënyrë të detajuar vendndodhjen e çdo efektivi të Gardës, që ka qenë me shërbim pranë kryeministrisë. Çdo efektiv, që sipas planit të masave ka qenë me shërbim ditën e demonstratës, sipas prokurorisë është përcaktuar në mënyrë të detajuar në skicën paraprake. Pasi të sigurohen të gjitha të dhënat e mjaftueshme, një ekspert i specializuar në këtë fushë do të ndërtojë versionin përfundimtar të ngjarjes, e cila pritet të ndihmojë hetuesit në identifikimin e gardistëve, që dyshohet se kanë qëlluar mbi demonstruesit.