RrGGK dënon kërcënimin ndaj aktivistes së VV-së

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka shprehur shqetësimin ndaj kërcënimeve që i janë bërë aktivistes së VV-së, Nazlie Balës.
“Kërcënimi ndaj Nazlie Balës, është kërcënim për të gjitha aktivistet dhe aktivistët e të drejtave të grave, sepse të gjithë së bashku kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë në mbrojtjen e viktimave të luftës”, thuhet në reagimin e RrGGK-së.
Në atë letër përmendet Kërcënimi lidhet drejtpërdrejt me paraqitjen e saj në emisionin televiziv të RTK-së, ‘Në kërkim’, ku ajo ka mbrojtur amandamentimin që është propozuar të i bëhet Ligjit për të gjitha kategoritë e viktimave të luftës, për të iu shtuar edhe kategoria e personave të dhunuar seksualisht. “Ajo në këtë emision avokon për gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës”, thuhet në reagimin e tyre.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës kishte kërkuar edhe më herët drejtësis për gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
“Në protestën e 8 marsit 2012 doli me moton: ‘Nuk duam lule, duam drejtësi për gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës’, ku në bashkëpunim me shumë organizata e aktiviste të drejtave të grave, si dhe me propozimin për amandamentimin e Ligjit arritëm që të sjellim një copë shpresë për këto gra”, kujtohet në komunikatë.
Ndërkaq, ato kanë kujtuar edhe angazhimin e aktivistes Bala.
“Ua bëjmë me dije opinionit të gjerë se Nazlija është aktiviste e shquar për të drejtat e njeriut që nga vitet ’90, e cila angazhimin e saj vullnetar e filloi në KMDLNJ dhe për 23 vite ka vazhduar të punoj për përkrahjen dhe fuqizimin e grave”, ceket më tej në komunaktë.
Gratë aktiviste të RrGGK-së, kanë rikonfirmuar edhe një herë përkrahjen e plotë për këtë projekt ligj
“Cilido të ketë qenë motivi i atyre që duan të pengojnë këtë Projekt Ligj, ua bëjmë me dije se nuk do të kenë sukses. Të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë, janë në përkrahje të ligjit. Ky ligj siguron përkujdesje për këtë kategori të goditur rëndë nga lufta dhe ua mbron dinjitetin”, përfundon komunikata./Indeksonline/