E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroatët në kutitë e votimit, një kandidate shqiptare në garë

Sipas sondazheve, koalicioni i qendrës së majtë pritet të fitojë shumicën në parlamentin prej 151 vendesh të Kroacisë

Kroatët iu drejtuan dje kutive të votimit në një kohë skandalesh korrupsioni dhe problemesh të rënies ekonomike, për të zgjedhur koalicionin që do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme. Sipas sondazheve, koalicioni i qendrës së majtë pritet të fitojë vota të mjaftueshme për të formuar një shumicë në parlamentin prej 151 vendesh. Midis konkurrentëve, gjithashtu është pjesëmarrëse një kandidate shqiptare, në garë për vendin e minoriteteve. Lideri kryesor i opozitës, Zotan Milanoviç ka lajmëruar planin e tij, atë të një “diete buxhetore”, për të shmangur zhvlerësimin e normës së kreditimit. Qeveria e ardhshme kroate ka një rëndësi të dyfishtë, pasi ajo do të jetë e para në anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian në vitin 2013. Me ish-kryeministrin Ivo Sanader në proces për korrupsionin dhe disa skandale të tjera të rretheve të larta, qeveria e re kroate duhet të rifitojë fillimisht besimin e popullsisë dhe të ndërmarrë reforma të forta kursimi, për të shmangur zhvlerësimin. Kryeministrja aktuale, Jadranka Kosor ka refuzuar që të kërkojë një hua tek Fondi Ndërkombëtar Monetar, por lideri i të majtëve të favorizuar në sondazhe, ka thënë se diçka e tillë nuk mund të përjashtohet, edhe pse do të jetë “mjeti i fundit”. Rënia e rritjes ekonomike në vetëm 0.5% gjatë 2011-ës është një tjetër problem i madh për Kroacinë, e cila duhet të gjejë mënyra për të nxitur një rritje të re, pas disa vitesh të frytshme radhazi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›