E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, kapet lazaratasi me 33 kile kanabis

 

KORÇE - Policia e Korçës organizoi mbrëmjen e së dielës një aksion për arrestimin e një të riu nga Lazarati, i cili po trafikonte lëndë narkotike në drejtim të Greqisë. Operacioni i koduar “Qafa e Qarrit”, u realizua në sajë të informacioneve të koordinuara të policisë së Gjirokastër dhe Korçës. Blutë kishin marrë informacione në rrugë operative se drejt qytetit të Ersekës ishte duke udhëtuar një makinë “Benz” me targë Gj 6040 A, që drejtohej nga 21-vjeçari Belul Toto nga Lazarati. Sipas informacionit, në këtë mjet po transportohej kanabis sativa. Makina kishte dalë me këtë ngarkesë nga fshati Lazarat, ndërsa kishte marrë drejtimin e juglindjes. Në unazën e qytetit të Korçës, pranë ish-Fabrikës së Tullave, e cila bën pjesë në rrugën nacionale që të çon në rrethin e Kolonjës i riu është ndalur për kontroll. Policia gjeti në pjesën e pasme të mjetit dy çanta sportive me 30 pako gjithsej bimë narkotike. Pas peshimit të tyre rezultoi se ishin 32.890 gramë kanabis sativa. Destinacioni i kësaj ngarkese, sipas hetimeve të para, ishte rrethi i Kolonjës dhe më pas Greqia. Këtë fakt e ka pohuar edhe vetë i arrestuari, sipas të cilit lëndën narkotike kishte qëllim ta trafikonte në Greqi. Blutë janë duke hetuar nëse kishte persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku. Ende nuk është konfirmuar nëse lënda do të kalonte nga pika doganore e Tri Urave, apo nëpërmjet kufirit të gjelbër. Pas konstatimit të bimës, 21-vjeçari u arrestua për trafik të narkotikëve.         j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›