Shtrenjtohen biletat e avionëve, vendoset taksa 10 euro
Ministria e Financave, së bashku me Ministrinë e Transportit, kanë vendosur aplikimin e një takse me vlerë 10 euro për kalimin e territorit shqiptar nga linjat e transportit ajror. Vendimi ka hyrë në fuqi dje dhe parashikon të rëndojë mbi xhepat e udhëtarëve, pasi taksa do të vendoset mbi shumën totale të biletës. Sipas vendimit, drejtuesit e aeroportit "Nënë Tereza" do t‘i kryejnë të gjitha procedurat për regjistrimin e kësaj tarife shërbimi. Pas këtij procesi, të gjitha shoqëritë ajrore, në momentin e shitjes së biletave, duhet t‘i shtojnë vlerës së saj, si dhe ta pasqyrojnë në të, tarifën e shërbimit të ri prej 10 eurosh. Mbi tarifën e re nuk do të aplikohet taksa e TVSH-së, ndërsa nga i gjithë totali i të ardhurave, 5 për qind shkojnë për koncesionarin gjerman, ndërsa pjesa tjetër për buxhetin e shtetit.
24 Janar 2009