E Diel, 1 Nëntor 2026

Zavahiri fajëson luftërat e SHBA-së për krizën botërore

Numri dy në hierarkinë e komandës së Al-Kaedës në një videointervistë të publikuar në internet, tha se kriza financiare e shpërthyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shkaktuar nga fushatat ushtarake të Uashingtonit në Irak e Afganistan dhe se çmimi ka rënë i tëri në shpinë të taksapaguesve. "Kjo krizë është një prej hemorragjive ekonomike amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit. Dhe kjo gjendje do të vazhdojë bashkë me politikën e marrë amerikane të derdhjes së gjakut në vendet myslimane, tha Al Zavahiri në një video të publikuar të premten në disa site islamike në internet. "Ata mbi të cilët bie kjo barrë ekonomike janë taksapaguesit, paratë e të cilëve shpenzohen për hir të kapitalistëve të mëdhenj dhe për të penguar rrënimin e sistemit mashtrues të bazuar tek interesat e kredive".

I pyetur nga intervistuesi (fytyra e të cilit nuk shfaqej në kamera) nëse Uashingtoni do të ishte në gjendje ta kalonte krizën, Zavahiri tha: "Do të jenë në gjendje t‘i lehtësojnë humbjet vetëm nëse ndalin hemorragjinë e marrë të fondeve që po shpenzojnë në luftërat kundër myslimanëve".

Numri dy i Al-Kaedës vërejti se përpjekjet ushtarake amerikane kundër Forcave të Armatosura të fiseve nga Pakistani, të cilët janë aleatë me Al-Kaedën, do të dështojnë pavarësisht trupave të rinj të dërguara nga Presidenti Xhorxh Bush në kufi me Afganistanin. "Unë ju sfidoj ‘Bush‘, nëse jeni burrë i vërtetë, të dërgoni gjithë ushtrinë amerikane në Pakistan dhe në rajonet tribale, ku ju siguroj se do shihni ferrin me sy".

Në intervistën me titra në anglisht, Al Zavahiri vazhdonte më tej duke nënvizuar dështimin e aleancës së udhëhequr nga Amerika kundër talebanëve. "E gjitha kjo është provë e dështimit të kryqëzatës së tyre", tha Zavahiri në intervistën 80 minuta të gjatë, duke iu referuar përpjekjeve të qeverisë afgane për të nisur dialogimin me disa talebanë të moderuar.

Me ringjalljen e lëvizjes talebane shtatë vjet pas rrëzimit nga pushteti, mundësia e bisedimeve me liderë të moderuar talebanë po merret gjithnjë e më shumë në konsideratë, si nga Afganistani edhe nga shtetet aleate me të. Zavahiri bëri thirrje për një grevë të përgjithshme në Egjipt, me qëllim detyrimin e qeverisë së këtij vendi të hapë kufijtë e Gazës për të mposhtur kështu rrethimin izraelit të kësaj zone të dominuar nga Hamasi. "Ku është problemi nëse studentët, nëpunësit e punëtorët bien dakord të hyjnë në grevë deri në heqjen e rrethimit nga Gaza?" - pyeti lideri egjiptian. "A mos nuk jemi në gjendje ta organizojmë një grevë të tillë paqësore"?

Duket se videoja është regjistruar më parë se një deklaratë zanore e publikuar nga Zavahiri më 19 nëntor, në të cilin kritikonte Presidentin e sapozgjedhur Barak Obama për premtimin se do të mbështeste Izraelin, ku paralajmëronte se do të dështonte nëse vazhdonte politikat e Xhorxh Bushit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›