Udhëzimi i Ministrisë që po i mbyll rrugën QKL-së
Kaosi ligjor dhe administrativ që pengon Qendrën Kombëtare të Licencave
ndodh sepse Qendrës Kombëtare të Licencave i janë vënë barriera të cilat pengojnë kryerjen e detyrës, konkretisht:
Ministria e Ekonomisë Tregtisë Energjetikës dhe Ministria e Mjedisit kanë kërkuar
shtyrje afati për dhënien e mendimit për të gjitha aplikimet. Kështu, nuk mund të respektohet afati një mujor nga QKL për dhënien e licencës. Këto dikastere nuk kanë të organizuar me strukturat varësie lidhjen me poste elektronike dhe prandaj nuk mund të komunikojnë zyrtarisht në një kohë të shkurtër dhe ti japin përgjigje QKL-së. Punët e mëdha dhe të mira bëhen me njerëz të rinj dhe rregulla lehtësuese. Në rastin konkret, janë ngritur strukturat e reja, por ato punojnë me mendime të vjetra; me udhëzime të kopjuara nga administrata e mëparshme që janë ngritur enkas sipas një skeme abuzuese.
Qendra Kombëtare e Licencave duhet të ketë bazë ligjore për dhënien e licencave të
shfrytëzimit të mineraleve, gurëve dekorativë dhe ndërtimit ligjin Nr. 7796, datë 17.02.1994 për shfrytëzimin minerar” dhe për licencat mjedisore; ligjin Nr. 8990, datë 23.1.2003. duke u zhveshur nga udhëzimi Nr. 1028, datë 10.12.2009.
Në QKL është dërguar udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Ekonomisë me Nr. 1028, datë 10.12.2009, thuajse kopje e udhëzimit Nr. 5/1, datë 5.2.2007. Ky është një udhëzim me kërkesa që deformojnë Ligjin Minerar Shqiptar, me kërkesa që i japin kompetenca të tepërta administratës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Ky udhëzim është në kundërshtim me ligjin Minerar shqiptar dhe konkretisht, me nenet 45 dhe 70 të ligjit Minerar. Udhëzimi Nr. 5/1 datë 5.2.2007, hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme Rregullatore monopolizoi dhënien e lejeve, rriti kompetencat e drejtorit të Përgjithshëm Rregullator dhe punonjësve në vartësi të tij; vështirësoi aktivitetin e investitorëve. Ky ishte udhëzim burokratik abuziv dhe e çon korrupsionin në majat më të larta. Çdo aplikant, për të marrë lejen minerare duhej të bridhte në zyrat e Ministrisë dhe në AKBN gjashtë muaj deri në një vit. Prandaj, edhe udhëzimi Nr. 1028, datë 10.12.2009, është një kopje e udhëzimit të mëparshëm dhe duhet të ndryshohet, pasi nuk duhet të jetë pjesë e punës së QKL-së. Me Udhëzimin Nr. 5/1, zyra e licencave, pasurinë kombëtare të burimeve natyrore po e trajtonte si pronën e vet. Ky dikaster duhet të çlirohet nga akte nënligjore të kësaj natyre.
Në Ligjin minerar shqiptar nuk ka kërkesë që projektet apo miratimi i projekt-programeve të bëhen në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore apo në çdo institucion tjetër që të kesh të drejtën të marrësh leje minerare. Këto kërkesa u shtuan më vonë në emër të forcimit të disiplinës teknike, por sollën kaos. Në dikaster ka aplikime për leje minerare dhe kërkim zbulimi të bëra rreth dy vjet më parë, por që nuk kanë marrë përgjigje zyrtare ende subjektet që i kanë paraqitur ato.
Në nenin 70 të ligjit, për mineralet e grupit të IV-t, kërkohet informacion dhe të dhëna të përgjithshme për subjektin, llojin e mineralit, afatin e lejes, burimet financiare, vendosjen e vendburimit, detaje mbi vendburimin, programi propozuar i shfrytëzimit, investimet, planin e punës me afate, përshkrimin e detajuar të investimeve, infrastrukturën, eksperiencën e kërkuesit të lejes, të dhëna për ruajtjen e ambientit dhe mbi punësimin. Me plotësimin e këtyre kërkesave merr lejen minerare. Me këtë praktikë u punua nga METE për një periudhë 7-vjeçare, gjë që solli shqetësime për investitorët, zvarritje pa fund dhe korrupsion.
Deformimi ligjit minerar shqiptar, duke ndërhyrë mbi të me akte nënligjore, siç është udhëzimi më i fundit me Nr. 1028, datë 10.12.2009, ku vihen kushte që leja minerare të jepet pasi të jetë miratuar studimi tekniko-ekonomik dhe projekti i shfrytëzimit në AKBN, ia mbyll rrugët QKL-së për të kryer detyrat e saj. Licencimi i subjekteve nga QKL duhet të bëhet sipas kërkesave të Ligjit Minerar; dhe konkretisht sipas neneve Nr. 45 dhe Nr. 70 të këtij ligji dhe pas kësaj, subjektet e licencuar, duke plotësuar kërkesat e parashtruara në këto nene, duhet të vazhdojnë procedurat e hartimit dhe miratimit të projektit në organet e caktuara nga dikasteri dhe objektet ndihmëse që lidhen me të; si, projektet e rrugëve, linjat e furnizimin me energji elektrike, uji, linjat teknologjike, etj, të cilat miratohen në KRRT-të e komunës, Bashkise apo Qarkut ku do të kryet aktiviteti. Të gjitha këto bëhen duke zbatuar Ligjin Urbanistik.
Duke zbatuar kërkesat e udhëzimit të nxjerrë së fundi nga Ministria e Ekonomisë, nuk janë lehtësuar procedurat e dhënies së licencave. Përkundrazi. Ato janë vështirësuar. Ato e detyrojnë aplikantin të ndjekë letrat në zyrat e administratës së Ministrive dhe në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, duke mos shmangur korrupsionin dhe qëllimin për të cilin është ngritur Qendra Kombëtare e Licencave.
Prandaj duhet të merret në shqyrtim praktika e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, e cila kryen shpejt veprimet sepse investitorëve nuk iu kërkohen dokumente si më parë. Kështu duhet të organizohet edhe QKL.
Miratimi studimeve tekniko-ekonomik dhe projekteve të shfrytëzimit në AKBN e vë këtë institucion në konflikt interesi. Po të miratosh projekte, nuk mund të nxjerrësh përgjegjësinë kur ndodhin avari, apo burimet natyrore nuk shfrytëzohen racionalisht , etj. Miratimi dhe oponencat e projekteve duhet të liberalizohet; të kenë të drejtë studiot ligjore të projektimit, katedrat e Universitetit Politeknik apo ndonjë komision specialistësh pranë QKL-së.
Është e domosdoshme që pranë QKL-së të transferohet specialisti i “ish” - zyrës së licencave të Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitekës që merret me hartografinë dhe plan vendosjet e lejeve të dhëna. Kështu, nuk do të jetë nevoja që aplikimi i fazës së parë për mbivendosje të bëhet në AKBN. Praktika e sotme është burokratike, pasi bëhet verifikimi nga AKBN, më pas, jepet mendimi në QKL dhe më tej nisin procedurat e tjera që nga kërkesa në pushtetin vendor, shërbimin pyjor, Ministrin e Mjedisit, hartimin e projekteve, dokumentacioni për të ditur që zona është e lirë ose nuk lejohet të kryet aktivitet është i plotë, etj. Vetëm kështu mund të kursehet kohë dhe shmangen hallkat burokratike, në mënyrë që investitori të mos bjerë pre e korrupsionit.
*Këtë shkrim e kanë firmosur edhe një grup projektuesish që kanë të njëjtin shqetësim në lidhje me procedurat për marrjen e një licence
28 Dhjetor 2009