E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku i bajameve nën akuzë, dosja e vdekjes së 17-vjeçares në gjykatë

 

TIRANE – Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen penale në ngarkim të mjekut Xhevahir Hoxhallari, i cili akuzohet për “mjekim të pakujdesshëm”, me pasojë vdekjen e 17-vjeçares nga Maliqi i Korçës, Matilda Petriti. Lajmi është konfirmuar dje nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, e cila për disa muaj me radhë zhvilloi hetime për vdekjen e adoleshentes nga Korça, e cila kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në bajame, tek klinika private e mjekut Hoxhallari në Pogradec. Një ndërhyrje e gabuar, me pasojë prerjen e venës së gjakut, shkaktoi më pas vdekjen e 17-vjeçares, e cila humbi jetën pas transportimit në QSUT në Tiranë, pasi gjendja e saj u përkeqësua dhe doli jashtë kontrollit në spitalin e Korçës. Prindërit e vajzës denoncuan veprimet abuzive të mjekut, të cilat duket se edhe prokuroria i ka konsideruar vdekjeprurëse. Sipas autopsisë, vajza humbi jetën nga rrjedhja e sasisë së lartë të gjakut në venën, që ishte prerë gjatë kryerjes së operacionit në bajamet e viktimës. Prokuroria ka zhvilluar hetime të plota për këtë rast dhe vetëm pak kohë më parë i kërkoi gjykatës heqjen e të drejtës për vazhdimin e profesionit ndaj mjekut Xhevahir Hoxhallari. Ai tashmë është zyrtarisht i pandehur dhe dosja ndaj tij është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës me akuzën “mjekim i pakujdesshëm me pasojë vdekjen”.                   tr.so
           

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›