E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfehet tri herë kampioni i Evropës në peshëngritje dhe mbajtësi i 89 rekordeve kombëtare

Autori i Lajmit: red.
Qerimaj, vetëm 20 vjeç tregon pasionin e tij të dytë si dhe jetën private

Është vetëm 20 vjeç, por ndodhet në qendër të vëmendjes së opinionit sportiv, medias e njerëzve të zakonshëm, që kanë dëgjuar për sukseset e tij.
Në gjoksin e tij tashmë qëndrojnë me dhjetra medalje ari. Me humorin e një shkodrani, mjaft i qetë ai vazhdon të punojë dhe të sjellë në Shqipëri medaljen e rradhës. Duket se janë të rrallë sportistë të tillë, që me pasion dhe përkushtimin ngrenë flamurin kuqezi kudo në botë. Edhe pse ende në moshë të vogël ka filluar t i largohet ndrojtja, kur dëgjon të flitet për të. Harron që ende s ka mbushur të 20-at dhe tregon se ndihet ndryshe kur ngre lart flamurin shqiptar. “Të tjerat nuk kanë rëndësi “, thotë ai, “ajo që ndjej kur simbolet e kombit shpalosen në botë është e veçantë dhe nuk di si ta them me fjalë.” Mes të rriturve që flasin për të, për peshëngritjen dhe të ardhmen e tij, Erkandi hesht dhe vetëm dëgjon. Ai tashmë një gjë e ka të qartë: peshëngritja është rruga e tij e jetës, dhe shpreson se do të ecënë këtë fushë, kjo pasi hapat e hedhur dhe puna e bërë deri tani flasin qartë. Erkand Qerimaj ka thyer 89 rekorde kombëtare për paratërinj, të rinj e të rritur, 3 rekorde evropiane për paratërinj, 3 herë në podiumin botëror të të rinjve në botë. Ai numëron 28 medalje ndërkombëtare, ka dalë 15 herë kampion në rang kombëtar dhe Kupë Republike.

Si e ndieni veten, si një person që gjithnjë në qendër të vëmendjes?
Ndihem shumë mirë, kur valëvitet flamuri shqiptar, kur mbështillem më të, kur kam zbritur shkallët e avionit duke ngritur lart flamurin kuq e zi, apo dhe kur në rrugët e qytetit tim, Shkodrës, parakalova i hipur mbi makinë, duke i përshëndetur qytetaret e mi, që i gëzoheshin suksesit tim, duke valëvitur flamurin.
Po në jetën e përditshme, si ndihet kampioni i Evropës dhe nënkampioni i Botës?
Njerëz të shumtë, të njohur e të panjohur më përgëzojnë për sukseset e arritura, drejtëpërdrejt apo dhe me telefon. Kjo më bën të ndihem mirë, por dhe më nxit për ta vazhduar këtë rrugë. Dua që të kem të tjera rezultate të larta në peshëngritje. Mosha mjaft e vogël kur unë kam marrë medalje më ka bërë më të fortë dhe të ndjeshëm ndaj sportit të peshngritjes. Çdo gjë e kam arritur me punë dhe me shumë mund, nuk do të doja që kjo të shkërmoqej vetëm prej euforisë që më karakterizon mosha.
Sa e ruani jetën tuaj private?
Nuk më pëlqen të jem kudo, përzgjedh vendet e qeta dhe jo shumë të frekuentuara në mënyrë që të mos jem në qendër të vëmendjes. Edhe pse nuk besoj se jam shumë i njohur do të vihesha në siklet nëse do të kishte shumë sy që do të ndiqnin me vëmendje çdo lëvizje timen.
E frekuentoni jetën e natës?
Relativisht po. Nuk jam shumë i dhënë pas saj, por një herë në javë bëhem edhe unë pjesë e pub-eve të kryeqytetit.
Ç mund të na thoni për të dashurën?
Nuk më pëlqen të flas për jetën time private. Ndihem mirë me vajzën, me të cilën shoqërohem, por nuk dua që ajo të jetë në qëndër të vëmendjes prej meje. Do të më pëlqente të kisha një lidhje sa më qetë dhe larg thashethemeve. Ndaj, nuk bëhem shumë publik me të.
Cili ka qenë urimi më i veçantë që keni marrë pas fitores së medaljes së fundit, e cila është edhe më e rëndësishmja?
Njerëzit që kisha pranë, trajnerët, familjarët, miqtë ishin të parët që gëzuan suksesin tim. E veçantë ka qenë përkrahja e shqiptarëve të Dortmundit, sapo i jam drejtuar shtangës për garim. Edhe pas suksesit, shumë prej tyre më kanë telefonuar duke më thënë: “Të lumtë, që bëre të ngrihej flamurin shqiptar”.
Si e nisët peshëngritjen dhe kujt ja dedikoni suksesin tuaj?
Ka qenë dëshira ime që të merresha me këtë sport, dhe kjo u përkrah nga familja ime, prindërit e dy vëllezërit. Në moshën 9-vjeçare babai më çoi në palestrën e klubit “Vllaznia”. Aty më pritën shumë mirë dhe duke parë cilësitë e mia fizike më pranuan menjëherë. Kam 10 vjet që merrem me këtë sport që e dua shumë. Stërvitem rregullisht, ndjek këshillat e trajnerëve dhe punoj shumë. Rezultatet pozitive më nxitin për t i thelluar.
Aktualisht jeni student për drejtësi, a ju pengon stërvitja për të studiuar?
Të them të drejtën stërvitja më merr shumë kohë, por shkollën e kam me pasion dhe përpiqem të mos mungoj. Dua të jap maksimumin për shkollën, siç bëj edhe në sport. Aktualisht jam me sezonin e provimeve dhe ndihem para një përgjegjësie të madhe, duke qenë se jam edhe para Lojërave Olimpike të Pekinit. Unë jam i përkushtuar pas sportit, por e di shumë mirë që një ditë do të shkëputem prej tij dhe është e domosdoshme të kesh një profesion, ndaj duket të studioj sa më shumë për të qenë një jurist i zoti.
Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga Shqipëria për të garuar për një tjetër shtet?
Kushtet që u ofrohen sportistëve në Shqipëri janë tejet të vështira për të qenë tërësisht i sigurt se nuk do të lëvizësh kurrë. Nuk jam i prirur drejt parasë, për të thënë se nëse një shtet do të më ofrojë një shumë të konsiderueshme do të garoja për të. Tani ndihem shumë mirë në Shqipëri, jam i përqendruar te shkolla dhe te stërvitja, për më tepër nuk preferoj të jetoj jashtë. Jeta që ofron vendi ynë më tërheq shumë. Nëse në një të ardhme kushtet që do të më ofrohen këtu s do të më pëlqejnë atëherë normalisht që do të ikja prej këtej.
Nëse do t ju duhej të linit Shqipërinë, për cilin shtet do të garonit?
Do të preferoja të isha pjesë e skuadrare angleze ose gjermane.
Cili është personi të cilit i besoni më shumë?
Janë dy personat te të cilët kam besim të verbër, është im atë dhe profesori im. Çdo këshillë e tyre për mua është urdhër.

Çfarë veshjesh preferoni?
Zakonisht veshjet i dua të rehatshme nuk ka fare rëndësi nëse janë “firmato” apo jo.

Çfarë dëshirash të tjera keni?
Më pëlqen të ngas makinat si dhe më pëlqen muzika. Pëlqej muzikën Hip-Hop. Jam fans i gjithë këngëtarëve amerikanë, ndërsa ndër shqiptarët preferoj grupin mutikor Tingulli 3.

Cili është mometi më emocionues që ju ka ndodhur gjatë garave?
Gjatë garave gjithmonë ka emocione të papërsëritshme, të cilat janë sa të njëjta aq edhe të ndryshme. Do të doja të veçoja një garë që është zhvilluar në Kinë në vitin 2006, ku unë mora edhe titullin nënkampion bote. Kisha rënë 6 kg nga pesha dhe isha mjaft i tensionuar në atë garë. Nuk e di se si u ndjeva dhe gjithë presioni më bëri të humbas kontrollin dhe të mos isha i aftë të ngrija as shtangën. Për çudi gjithë stadiumi filloi të bërtasë “rroftë Shqipëria” dhe unë që ndjeva një përgjegjësi mjaft të madhe. Duhet të jepja maksimumin tim për të shpërblyer këtë gjest. Në të vërtetë gjithë pjesëmarësit në stadium, që ishin evropianë brohorisnin për mua, sepse dy fituesit e tjerë ishin kinezë. Ç rëndësi kishte për mua se pse bënin evropianët tifo për mua, unë isha e vetmja shpresë e tyre ndaj duhet t u jepja diçka. Dhe besoj se ia arrita.

Çfarë synoni të arrini në lojërat olimpike “Pekin 2008”?
Është e vështirë të flasësh para kohe, por jam duke u stërvitur shumë dhe i kam arritur normat. Do të isha mjaft i kënaqur nëse do të futesha në 10-tëshe.

Çmimet e Erkand Qerimajt

2002 Kampion Evrope për paratërinj, pesha 50 kg, 2 medalje ari në Nice France.

2003 Kampion Evrope për paratërinj, pesha 56 kg, 3 medalje ari në Dortmund Gjermani

2004, tri medalje argjendi kampionati paraterinjve Norvegji, 3 medalje ari turne ndërkombëtar në Austri

2005 Busan Kore veriut kampionati Botëror i të rinjve, vendi 4 vetëm 17 vjeç. Nënkampion evrope për të rinj në Sllovaki
2006. Kine Hang Zhou Kampion bote në stilin e shtytjes nënkampion bote dygarësh 69 kg për të rinj
2006 kampion mesdhetar, tri medalje ari në Palermo Itali, pesha 77 kg
2007 Kampion bote në stilin e shtytjes, nënkampion bote dygarësh pesha 77 kg në Çeki, Pragë botërori i të rinjve

2007 kampion mesdhetar në Qipro 3 medalje ari.

2008 vendi 4 në Evropianin e të rriturve Itali kualifikues për olimpiadë, humbet medaljen e bronxit shkëputje për disa gramë.

2008 Cali Columbi Nënkampion bote në botërorin e të rinjve

Ky lajm është publikuar: 07/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›