E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita e Ramës dhe opozita e vërtetë

Petrit Vasili 

Askush sot nuk ka asnjë dilemë se në Shqipëri ka dy opozita. Ngjarjet që kanë rrjedhur, aksionet politike të ndërmarra, raporti me Berishën si dhe raporti me kauzat e mëdha, kanë ndarë e diferencuar qartë praninë e dy opozitave.
Opozita pa kauzë proBerishë e Ramës dhe opozita e kauzave të mëdha e LSI, dallohen shumë mirë nga njëra-tjetra dhe kushdo që do të lodhej t'i njehsonte me njëra-tjetrën do të jepte shembullin e një injorance të padëgjuar, ose më keq akoma, të një kapjeje të turpshme.
Kauzat e mëdha të opozitës së LSI, problemi i madh i opozitës proBerishë të Ramës
Sot opozita e udhëhequr nga LSI me profilin e qartë të një opozite pa komplekse dhe kapje u është drejtuar kauzave të mëdha, të cilat janë edhe dimensioni i një opozite të madhe që ka ngjizur natyrshëm një alternativë shumë të besueshme për qytetarët për pushtetin e nesërm. Kryekauza e mbrojtjes së Kushtetutës është sot një çështje e madhe që ringjiz të gjithë të majtën përreth dimensionit të LSI për disa arsye të mëdha. Ka qenë Kushtetuta një kauzë e tillë kaq e madhe sa që i dha një armë parimore të pathyeshme PS-së në opozitë, që në vitin 1994 ajo të ndërmerrte aksionin më të madh politik të saj për rrëzimin e Kushtetutës antidemokratike të Berishës, aksion që krijoi një kohezion të madh brenda vetë PS, por vuri për herë të parë në një vështirësi të pakapërcyeshme Berishën, i cili u thye e humbi në momentin kur diktatura e tij ishte më e egër se kurrë. Pra, Berishën e thyejnë kauzat e mëdha dhe jo opozita e thashethemit të vogël dhe e kulisave, ku për të qenë objektiv ai është një usta i spikatur për t'i administruar e kthyer në favor të tij.
Duke ndërmarrë një kauzë të madhe, atë të rivendosjes së Kushtetutës demokratike, thënë ndryshe të asaj demokracie që Berisha e urren, opozita e LSI u dha qytetarëve arsyen e qenësishme për t'u bërë pjesë e një fryme të re shumëdimensionale dhe për të mbrojtur vendin nga diktatura e re, që startoi natën e 21 prillit kur u dhunua Kushtetuta që u dhurua brenda tre orësh nga opozita proberishë e Ramës.
Krimi shtetëror i Gërdecit ishte një kauzë e madhe dhe e pakapërcyeshme për Berishën, të cilës opozita e LSI e shndërroi në të tillë, që të nesërmen e ndodhjes së saj kur Meta kërkoi dorëheqjen e Berishës dhe vënien në dispozicion të drejtësisë, si dhe ngritjen e menjëhershme të një komisioni hetimor parlamentar për të. Iniciativa u pengua nga opozita e Ramës dhe për turp të saj më parë se në Shqipëri, ku Gërdeci ndodhi e mori dhjetëra jetë njerëzish, komisioni hetimor u ngrit në Amerikë.
Asnjë nuk ka harruar se opozita e Ramës i kërkon një informacion me shkrim Berishës për Gërdecin, duke zëvendësuar kauzën e një hetimi historik të thellë shembullor të një krimi shtetëror të padëgjuar me një informacion rutinor, të ngjashëm me  informacionin e një drejtorie të vogël diku në një qoshe të ndonjë ministrie, me qëllimin e vetëm çlirimin e Berishës nga përgjegjësia e pashmangshme që rëndon mbi të, e duke bërë që vetëm pas reagimit të fortë të ndërkombëtarëve të hiqej imuniteti i Mediut më shumë se një muaj pas tragjedisë.
Kauza e madhe e zgjedhjeve të lira, ku opozita e LSI, por jo ajo e Ramës, investoi gjithçka ishte dhe mbetet ajo kauzë që e ka bërë Berishën të humbë gjithmonë, kur përballet me to dhe 26 maji i 1996 ishte dhe mbetet një provë e pakundërshtueshme për këtë. Opozita e LSI që në 2004 dhe 2005 propozoi gjithçka, projekte konkrete për reformimin e sistemit zgjedhor, aplikimin e sistemeve të ndershme që eliminojnë "dushqe" të rinj, ndershmëri absolute në numërimin e votës dhe krijimin e një sistemi që i mundëson emigrantët që të votojnë atje ku jetojnë. Opozita proberishë e Ramës për të mos shqetësuar Berishën, zgjodhi të bashkëpunojë dyshe me të, të dështojë qëllimisht komisionin parlamentar të ngritur për zgjedhjet, të ngrejë sërish një tjetër komision, që vepron praktikisht me veton e Berishës, pra t'i krijojë të gjithë lehtësirat që Berisha ose "Tirani i votës së lirë" sipas Ramës, nuk i kishte menduar kurrë kaq të lehta. Opozita e Ramës eci në një rrugë antikauzë, duke lehtësuar Berishën dhe problemin e tij të vjetër, të pakapërcyeshëm dhe të humbur me zgjedhjet e lira, duke i ofruar alibinë Berishës, që  nuk po bën gjë tjetër veçse po mbështet atë që opozita e Ramës po i propozon.
Opozita që bën opozitë dhe opozita proberishë e Ramës që bën "sikur"
Opozita e Ramës është demonstruar tërësisht e paqëndrueshme, qëllimisht e shpërqendruar, e ç`fokusuar dhe pa nerv, sepse të tillë e bën mungesa e kauzave të mëdha dhe kapja e shumanshme për interesa të saj të përfitimit personal në dëm të qytetarëve të pambrojtur dhe të varfër. Të gjithë kujtojnë se si në vend të shkuarjes deri në fund krimit shtetëror të Gërdecit, opozita e Ramës kërkonte mocion për Topallin, ku edhe këtë e la rrugës. Kur në parlament u rrëzuan dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, të nesërmen në Parlament PS-ja kërkonte sqarime për deklaratat në procesverbalin e Arjan Madhit, ndërkohë që Berisha dhe të tijtë kishin treguar qartë se aspironin vendosjen e diktaturës se PD-ja duke synuar të vërë nën kontroll edhe Presidentin e Republikës. Të gjithë kujtojnë se të nesërmen e rrëzimit të dekreteve të Presidentit, ndërsa folën publikisht me shqetësim përfaqësuesit e partnerëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë në Shqipëri, vetëm Rama nuk foli, nuk foli as Berisha, por ky i fundit kishte një hall se çështja kishte të bënte me të, po Rama ç`hall kishte?
Kishte një hall të madh, sepse Rama nuk ka jetuar asnjë sekondë si opozitar. Objektivi i Ramës për të lënë Berishën të konsumojë edhe sekondën e fundit në pushtet, është ky objektivi i tij, ndërkohë që Bashkia që drejton i jep atij shumë pushtet dhe përfitime pafund, që nuk kanë asnjë lidhje me mijëra socialistë të papunë dhe në varfëri të frikshme. Strategjia e Ramës që boll të jetë aty si njëfarë opozitari se njerëzit s`kanë ç'të bëjnë do t'i japin atij vota që ane kundër Berishës, ky është thelbi i shpërdorimit të mizeries së shkaktuar nga Berisha, që Rama nuk ka zgjedhur ta luftojë, por të konformohet me të për të konsumuar sa më shumë pushtet bashkiak. Në fund të fundit, socialistët nuk i interesojnë aspak atij përderisa edhe Bashkia e tij në qindrat e të punësuarave të tij nuk ka këmbë socialisti. 
Ankthi i Ramës me historinë e së majtës
Shpërqendrimi ideologjik dhe programor si dhe përçmimi e nulifikimi i kontributit të së majtës duke folur përtej së majtës dhe të djathtës, është një injeksion deprimimi që tenton t'u bëjë Rama mijëra e mijëra socialistëve, që votojnë që prej 18 vjetësh, kundër Berishës. Socialistët e kanë të pamundur të besojnë më Ramën, i cili pak vjet më parë konsideronte kthimin e Berishës "tradhti kombëtare" dhe pak vjet më vonë si "aleatin e tij të patjetërsueshëm".
Socialistët e ndershëm e refuzojnë një shpërdorim të tillë të luftës së tyre ndaj Berishës si dhe përbuzin luftën e Ramës me çdo mjet kundër LSI dhe opozitës, që ka zëvendësuar plotësisht luftën me Sali Berishën. Sot problemi i madh i Ramës është me historinë e të majtës në Shqipëri, histori e cila është padyshim më e pasura në ngjarje dhe arritje. Ajo është një problem i pakapërcyeshëm për të dhe që do të kondicionojë në vazhdimësi Ramën që përfundimisht nuk mundet dhe nuk do që të përballet me Berishën, sepse është e kompleksuar e kapur prej tij, por që ka zgjedhur të luftojë ndaj Luan Ramës, Petro Koçit etj., etj., të cilët janë një pjesë e asaj historie të Partisë Socialiste, që nuk ka bërë kurrë kompromise me Berishën. Të gjithë e kanë të qartë që edhe persona brenda PS-së, të cilët kanë një formim të majtë të konsoliduar dhe vokacion të fortë opozitar, do të kufizohen e censurohen në vazhdimësi nga Rama, sepse opozita e fortë shqetësuese për Berishën është shqetësim i madh edhe për të.
Këtu qëndron edhe problemi i madh i Ramës me opozitën e LSI, e cila është fokusuar në kauza të mëdha, të cilat e bëjnë Berishën të humbasë, përkundrejt opozitës së Ramës si garë hipokrite dialogësh me Berishën, që fillojnë nga NATO dhe përfundojnë tek shtegtimi baritor nëpër fusha e male për njohjen e vendit në formën e dialogut me Shqipërinë, ndërkohë që Tirana thahet për ujë dhe kanalet e ujërave të zeza kundërmojnë erë të ndyrë nëpër kryeqytet, duke mos kursyer edhe zonat rezidenciale të tij.
Vlerësimi kooperativist i opozitës
Sot në mënyrë të komisionuar mëtohet që të bëhet një vlerësim në bllok, thënë më thjesht kooperativist i opozitës. Ka analistë dhe opinionbërës që shqyhen nga lodhja duke folur për opozitën me terma të përgjithësuar e me një përdëllim mallëngjyes, duke u shqetësuar nga thelbi i shpirtit se ajo nuk po bën opozitë dhe që po lë qytetarët pa përfaqësim. Të vërtetat flasin qartë dhe ndryshe. Më së fundi, edhe të kapurit apo të komisionuarit, të gjithë duhet t'i japin pak kurajë vetes dhe t'i thonë të vërtetat siç janë, ashtu siç edhe e ndjejnë dhe i mbështesin qytetarët shqiptarë. Në Shqipëri ka dy opozita, një opozitë të madhe të kauzave të mëdha që drejton LSI dhe një opozitë proBerishë që drejton Rama. Edhe sikur të bënin një sondazh në fshatin më të humbur të Shqipërisë, 100% e shqiptarëve do të tregonin që janë shumë të qartë që në Shqipëri ka dy opozita. Çdo lloj qasje tjetër apo identifikim i pasivitetit proberishë të qëllimshëm të opozitës së Ramës me opozitën e drejtuar nga LSI është një sfidë e humbur, sepse aksionet politike të të dyjave janë në sytë e njerëzve, gjithashtu edhe projektligjet e propozuara në Parlament nga LSI janë aty, përkundrejt të asnjë të tilli nga PS-ja si dhe qindra e qindra komunikime të përditshme me qytetarët në çdo komunë e bashki të Shqipërisë. Analistët që e duan vërtet zanatin e tyre, duhet të kujtohen se sivëllezërit e tyre në Evropë dhe Amerikë qindra ditë në vit veshin xhinset dhe shkelin edhe qoshet më të humbura të vendeve të tyre si dhe të gjithë globit dhe vetëm pastaj ulen e shkruajnë. Koha e bërjes së opinioneve e komenteve nga kafenetë ka mbaruar, gjithashtu ka mbaruar edhe koha e opinionbërjës së komisionuar e që i kundërvihet realiteteve që flasin qartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›