E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfejnë sakrificat

Shefki Kuqi dhe Lorik Cana kanë rrëfyer për BBC eksperiencat e tyre si refugjatë. Sulmuesi i Newcastles kujton kohën e largimit nga Kosova, kur po mendonte se nuk do të kthehej më kurrë në vendlindje. Momente të vështira kishte kaluar edhe mesfushori i Galatasarayt, i cili megjithatë mendon se kjo eksperiencë ia ka ndryshuar jetën. Nga Express më 16 mars 2011 në ora 12:25

Futbollistët e njohur botërorë tregojnë histori të ndryshme nga fëmijëria e tyre. Por, historia e futbollistëve kosovarë vërtet është më e veçantë dhe më rrëqethëse. Gjiganti medial britanik, BBC, e ka xhiruar një dokumentar për sakrificën e refugjatit dhe ku mund të gjente më shumë fakte për këtë punë sesa te futbollistët kosovarë.

Dhe, akterë të këtij dokumentari janë pikërisht futbollistët kosovarë, Shefki Kuqi dhe Lorik Cana. Kuqi e ka shijuar karrierën si futbollist, e cila mund të përshkruhet si shtegtare, pasi që ndërroi shumë vende, duke filluar nga Helsinki, Stockport, Koblenz dhe tash në Newcastle, pas një karriere 16-vjeçare.

34-vjeçari, i cili është lojtar tipik i futbollit anglez, ka jetuar me familje në fshatin Dolak të Vushtrrisë Kur tensionet filluan të shtoheshin në Ballkan, rreth viteve ‘90, familja e tij vendosi ta merrte rrugën e kurbetit, për t’ia ndryshuar jetën tërësisht Kuqit.

“Babai im ishte ndërtimtar. Ai ka menduar se rruga më e drejtë që të na japë neve mundësinë e lirisë dhe shijimin e jetës, ishte që të lëviznim”, ka thënë Kuqi për BBC.
“Gjërat filluan të ndryshonin, ne nuk e dinim se çka do të ndodhë me Kosovën. Familja ime vendosi që të largohej nga Kosova dhe unë, si fëmijë, kujtoj se po qanim kur po iknim”, vazhdon rrëfimin vushtrriasi.

Si 12-vjeçar, Kuqi ishte i detyruar ta linte vendlindjen, shokët dhe familjen, për ta nisur jetën e re. Futbollisti kosovar kujton momentin kur e kishte përqafuar derën e shtëpisë, kur ishte larguar nga ajo, sepse kishte imagjinuar se nuk do të kthehej më në Kosovë. Këtë moment ai e konsideron si shokues, ndërsa ato ndjenja të çuditshme i ka në mendje edhe sot.

Familja e tij kishte bërë disa ditë rrugë, me autobus dhe me barkë, vetëm për t’i ikur konfliktit serbo-shqiptar. “Ne ishim ndër njerëzit e parë të huaj në Finlandë dhe çdokush na shikonte në mënyrë të çuditshme. Unë po thosha, a është diçka në rregull me mua?” shtoi ai.

Kuqi kujton edhe periudhën kur kishte filluar të merrej me futboll. Në atë kohë, kishte shkuar t’i pyeste prindërit se çka nuk është në rregull me të, sepse njerëzit e tjerë qeshnin me të. Fundi i regjimit të Slobodan Milosevicit, në vitin 1999, solli paqen në Kosovë. Një vit më pas, Kuqi u kthye në vendin e tij të lindjes.

“Nuk isha kthyer në Kosovë për 10 vjet, por kur u ktheva, njerëzit nuk më njihnin. Ata më përshëndetën habitshëm, pasi nuk e dinin se kush jam. Iu thash: Ju kujtohem? Më pas, disponimi i tyre ndryshonte dhe më përqafonin”, vazhdon Kuqi.

Ish-përfaqësuesi finlandez ishte lojtari i parë kosovar që preku fushën e blertë të elitës së futbollit anglez. Ai ndihet i lumtur për këtë të arritur, të cilën e shijoi në vitin 2005, me Blackburnin.

“Mburrem, sepse jam lojtari i parë kosovar që kam luajtur në Premierligë. Për mua, të luaj këtu, është mundësia më e madhe në jetë. Çfarëdo që bëni, nëse dëshironi të bëni diçka, mund t’ia dilni mbanë gjithmonë”, nënvizoi Kuqi.

Një tjetër lojtar kosovar që e shijoi Premierligën ishte edhe Lorik Cana. Mesfushori defanziv, sezonin e kaluar ishte pjesë e Sunderlandit. Edhe futbollisti aktual i Galatasarayt ka rrëfyer për BBC për jetën e tij si refugjat. Familja Cana kishte migruar drejt Zvicrës, në vitin 1992, kur Loriku ishte shumë i vogël.

“Unë isha i sigurt, sepse isha në Zvicër, me familjen time. Por, Kosova përballej me luftën, ishte një kohë mjaft e vështirë. Lufta ishte me të vërtetë intensive për 2-3 muaj. Kalonin dy javë dhe nuk kishim asnjë lajm për familjen tonë në Kosovë, nëse janë të sigurt, nëse janë OK. Është mjaft e rëndë të jesh refugjat, mjaft e vështirë”, kujton Cana.

Sipas tij, njerëzit që nuk e kanë përjetuar këtë eksperiencë, nuk e dinë saktë se si është të jesh refugjat, ku je në një vend tjetër, je i huaj. Unë isha në Zvicër, por nuk e kisha mundësinë të shkoja diku tjetër. Mirëpo, ai shton se eksperienca e refugjatit ia ka ndryshuar jetën. “Nuk është gjë e mirë që ta kesh një eksperiencë të tillë, por pasi ta përjetosh, je person më i fortë dhe mundohesh t’i bësh gjërat në jetë në mënyrën e duhur “, përfundoi Cana.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›