E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkoi edhe Genci

As Genc Hoxhës nuk i eci te skuadra e Hysit. Vetëm pas dy xhirove, strategu gjakovar ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit. Ai thotë se këtë vendim e ka marrë për disa arsye personale. Deri në zgjedhjen e trajnerit të ri, ekipin bardhezi do ta drejtojë ndihmësi Fadil Ademi. Nga Valon Konushevci më 16 mars 2011 në ora 12:28

Skuadra e Hysit vazhdon të ketë probleme me trajnerë. Klubi bardhezi ka mbetur pa shef të shtabit teknik, pasi Genc Hoxha ka vendosur të largohet nga drejtimi i skuadrës.

Hoxha të martën ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i skuadrës së Hysit, të cilën skuadër e udhëhoqi vetëm në dy ndeshjet e para të stinorin pranveror. Ish-trajneri i Vëllaznimit dhe Besës e ka treguar arsyen sipas të cilës ka vendosur t’i thotë lamtumirë ekipit nga Merdari, në të cilin qëndroi shumë pak.

“Arsyeja kryesore që dhashë dorëheqje është kjo: Unë jam i punësuar në Gjakovë. Më duhej të udhëtoja shumë nga Gjakova në Merdar. Dy orë e gjysmë është i gjatë udhëtimi në një drejtim, kështu që më binte të udhëtoja pesë orë. Andaj, e pashë të arsyeshme të vazhdoj punën në Gjakovë dhe të jap dorëheqje nga Hysi”, deklaroi Hoxha për Express.

Me këtë fjalim, Hoxha iu është drejtuar edhe futbollistëve të tij të martën, kur i ka njoftuar ata me vendimin e tij për ta braktisur këtë skuadër.

Hoxha ishte emëruar trajner i Hysit në javën e fundit të muajit shkurt, duke e zëvendësuar Arbnor Morinën. Ai Hysin e drejtoi vetëm në dy ndeshjet e para të stinorit pranveror.

Në ndeshjen e parë, Hoxha dhe ekipi i tij ishin mposhtur në Mitrovicë nga Trepça me rezultat 2:1. Kurse në takimin e dytë bardhezinjtë shënuan fitore të mundimshme në shtëpi ndaj KEK-ut me rezultat 3:2.

Një fillim jo aq i mirë i Hysit, kur dihet se ky ekip objektiv kryesor e ka titullin e kampionit të Kosovës, më afër të cilit është Prishtina. Megjithatë, Hoxha mohon të ketë pasur ndonjë presion nga kryesia e kësaj skuadre.

“Nuk kam pasur kurrfarë presioni. Madje, kryesia ka insistuar që unë ta vazhdoj punën, edhe nëse nuk i arrijmë objektivat. Por, thjesht ka qenë vendim imi përfundimtar të jap dorëheqje dhe ta vazhdoj punën në Gjakovë”, tha Hoxha.

Ndërsa, dorëheqjen e Hoxhës e ka konfirmuar edhe kryeshefi ekzekutiv i klubit bardhezi, Afrim Macula. “Dorëheqja e tij erdhi në kohë të papërshtatshme. Ai u largua për shkak të largësisë së Gjakovës nga Merdari”, tha Macula, i cili theksoi e derisa të bëhet një zgjidhje tjetër, ekipi do të udhëhiqet nga ndihmëstrajneri Fadil Ademi.

Këtë kampionat Hysi e kishte nisur me trajnerin e njohur, Bylbyl Sokoli. Por, ky i fundit qe larguar nga Merdari pas disa mosmarrëveshjeve që kishte me udhëheqësit e këtij klubi. Për arsye të njëjta qe larguar edhe pasardhësi i Sokolit, Arbnor Morina. Ky i fundit u zëvendësua më pas nga Hoxha.

Hysi njihet si skuadër që shumë shpesh i ndërron trajnerët. Probleme të shumta me trajnerë ky ekip kishte edhe në kampionatet e kaluara.

Aktualisht Hysi është në vendin e dytë të tabelës me 36 pikë, nëntë më pak se lideri, Prishtina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›