“Kamerat në burgje nuk filmojnë dhunën”
TIRANE - Kamerat e sigurisë nëpër burgje nuk janë montuar në mënyrën e duhur, duke lënë jashtë fokusit të tyre elementë të rëndësishëm të problematikës së burgjeve. Rekomandimi vjen nga institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka monitoruar gjatë kësaj kohe disa prej burgjeve dhe paraburgimeve në vend. Në rekomandimet e fundit të paraqitura nga ky institucion pohohet se, monitorimet janë kryer nga Avokati i Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, duke u përpjekur gjatë gjithë kohës të vëzhgojë maksimalisht veprimtarinë e sistemit penitenciar në vend. Kështu, nisur nga vizitat monitoruese të kryera gjatë muajit prill, ekipi i Avokatit të Popullit ka vënë re se kamerat e sigurisë së institucionit nuk kishin fiksuar mjaft veprime dhune që ishin kryer nga policët dhe të burgosurit me njëri–tjetrin dhe kjo për faktin se ata kishin zgjedhur ambiente që nuk monitoroheshin nga kamerat. Në një nga monitorimet e kryera vetëm pak ditë më parë, pasi është njohur me dhunën e paprecedent të forcave speciale të burgjeve nëpër qeli, Avokati ka rekomanduar se: “Veprimet e policisë gjatë kontrolleve në qeli duhet të monitorohen nga kamerat e sigurisë në kushtet e një ndriçimi të plotë të korridoreve. Po kështu kontrollet duhet të vëzhgohen edhe nga drejtuesit policorë dhe civilë të IEVP-ve përkatëse. Këta të fundit të marrin masat e duhura në çdo rast, për të denoncuar parregullsitë në kontroll si dhe për të dokumentuar me raport-shërbimet përkatëse sjellje të paligjshme të të dënuarve”. Ndërkohë, në një rekomandim tjetër, Avokati pohon se: “Të merren masa për rivendosjen në pozicione të pranueshme të kamerave të sigurisë me qellim që të mbulojnë në mënyrë të plotë dhe me cilësi të gjitha ambientet e burgut”. fa.ma.