Rrëfim nga godina e sekreteve
Nga koha kur u krijua, kanë kaluar plot 60 vjet. Ishte një sistem krejt tjetër atëherë. Dokumentet vinin me thasë, me kuti kartoni, të pluhurosura, të keqpërdorura... aq sa ndonjëherë dukeshin sikur nuk kishin vlera, sikur ishin copa letre të pakuptimta. U desh një punë e madhe, derisa punonjësit, që rreth vitit 1951 ishin vetëm 50, të vinin gjithçka në vijë. Vasilika Lluci është një prej tyre. Plot 38 vite i ka kushtuar këtij institucioni. Në duart e saj kanë kaluar dokumente pa fund. Një pasuri e tërë. Qesh kur kthen kokën pas dhe kujton se sa shumë prej tyre ka pasur fatin të lexojë, por jo të tregojë. Kjo e fundit ishte rreptësisht e ndaluar. Sot, në moshën 82-vjeçare edhe kujton... dokumente të Asdrenit për shembull, por edhe të Gjergj Fishtës. Ati françeskan i shtonte kureshtjen. Ishte nga ata të ndaluarit ai. Më tej, Vasilika kujton kohën kur Kodikët e Beratit erdhën në arkiv. Ndodhi rreth vitit 1962. Mbanin erë të keqe prej lagështirës. Për ta, në një farë mënyre rregullat ndryshuan. Dyert e dritaret u mbajtën hapur deri sa u thanë. Më pas u dërguan në Kinën e largët për restaurim. 112 keca u therën në atë kohë në Kinë për të realizuar kopjet e Kodikëve. Lëkura e kafshëve u përdor për të imituar pergamenat. Këto imitime nxirreshin për bashkëpunëtorët, se për delegacionet e veçanta tregoheshin Kodikët e vërtetë. Germat e tyre u thurën në argjend. Njërit, atij më të vjetrit, në flori. Ajo hedh sytë përreth dhe thotë se gjithçka ka ndryshuar tani në godinën e arkivit. Është më e rregullt, për të mos folur pastaj për dokumentet të cilat janë informatizuar. Është krejt ndryshe tani. Më parë, kujton ajo, ne i ndanim në vite, i seleksiononim dhe i vendosnim në dosjet përkatëse... Fat të madh e quan znj.Lluci, e ashtu e quan edhe drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror, teksa prezanton për pjesëmarrësit në festën e 60-vjetorit të krijimit të tij një ekspozitë "muze". Ajo do të jetë e përhershme në ambientet e AQSH-së, do të jetë një dhomë muze, në të cilën do të pasqyrohet historia e administratës shqiptare, ku ishim e ku jemi, por ka edhe më shumë se kaq. Gjen të ekspozuar aty dokumente origjinalë, për shembull fermanë, diplomën e marrjes së çmimit të parë nga Kolë Idromeno në konkursin e parë të pikturës që është zhvilluar në Shqipëri, një fotografi e Vangjush Mios teksa pikturon, fotografi nga delegacioni shqiptar në Paris 1919, ditari i At Palë Dodajt, regjistri i Portit të Shën Pjetrit, Kodiku i Beratit nr. 1, skica të Elbasanit, Voskopojës, Beratit, Shkodrës etj., dokumente të përdorimit të gjuhës shqipe në ceremoni fetare, fotografi nga pjesëmarrës në Luftën e Spanjës, etj. Ndër to është ekspozuar edhe një letër e Dora D‘Istrias, në të cilën ajo shkruan: "Të krijohen kudo që është e mundur ndër vilajetet shqiptare, Institute Letrare, të cilat do të merren me kërkimin e monumenteve të Shenjta të Shqipërisë, të këngëve popullore, të dorëshkrimeve etj., për të siguruar akte monumentale të letërsisë, që u shpërndanë nga turqit në kohën e lëvizjes së madhe të organizuar nga episkopët e Gegërisë e të persekutimit të tmerrshëm, që e detyroi të diturin kryepiskop të Prizrenit, Bogdanin, për të ikur në Raguzë, duke lënë në dorën e turqve dorëshkrime të çmueshme". "Por pasuria e Arkivit Qendror Shtetëror është e jashtëzakonshme. Ajo fillon me shekullin VI dhe mbaron me ditët tona. Këtu kemi ekspozuar vetëm disa dokumente tipike, aq sa na lejonte fondi, por natyrisht që me kohën objektet e ekspozuara do të ndërrohen vazhdimisht", thotë drejtoresha Nevila Nika. Sipas saj, ky 60 vjetor është një ditë e madhe, sepse institucioni i arkivit është një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm, që ka dhënë një kontribut në vite për mbarëvajtjen e jetës shoqërore, shtetërore institucionale, por edhe të vetë individit. Fillimet e veprimtarisë arkivore në Shqipëri datojnë që nga lashtësia. Në bibliotekat që ekzistonin në shtetet ilire, në principatat feudale shqiptare, në shtetin e Skënderbeut, në shoqëritë patriotike e kulturore, në institucionet fetare, në firmat tregtare etj., krahas librave ruheshin edhe dokumente. Që në aktin e parë themeltar të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, në Kanunin e Përkohshëm të saj, u sanksionua veprimtaria e njësive të posaçme strukturore të institucioneve për punën me dokumentet. Filluan kështu përpjekjet për krijimin e një arkivi qendror që deri në fund të Luftës së Dytë Botërore nuk u bë i mundur. Ai u krijua vetëm në vitin 1949, pranë Institutit të Shkencave (Urdhëresa është e ekspozuar në muzeun e arkivit). Sot Arkivi Qendror Shtetëror është rrjeti arkivor më i rëndësishëm i vendit, ku ruhen dokumente që nga lashtësia e deri në ditët tona. Dokumentet e ruajtura janë në letër, pergamenë, disqe, shirita zanorë apo fotografi. Përmbajtja e tyre është shumë e pasur.