E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirush Kabashi, triumf edhe në not

Triumfon edhe në not aktori që drithëron skenat me forcën e zërit dhe të fjalës qytetare. I njohur për pasionin e tij për detin dhe notin, Mjeshtri i Madh i Skenës, aktori Mirush Kabashi, tashmë 61 vjeç, iu rikthye një sfide të vjetër. 23 vite më parë, së bashku me 15 notarë profesionistë përshkoi distancën Sazan-Vlorë, rreth 18 km e gjatë. Sot ai ka sfiduar sërish, këtë herë jo notarët profesionistë, por veten, moshën dhe stinën e vjeshtës. Ai ka përshkuar një distancë prej 5 kilometrash nga kalata zero e portit detar të Durrësit, deri në sektorin e fundit të plazhit të madh, në Plepa. Triumfues, si në skenë, ka dalë nga uji duke dëshmuar se të ushtruarit për çdo ditë në not, jo vetëm mban trupin në formë, por edhe përcjell mesazhet e duhura te njerëzit përmes një maratone sportive që dhuroi spektakël e kënaqësi për të gjithë ata që e ndoqën. Aktori notar e ka realizuar distancën prej 5 km për 1 orë e 50 minuta, ndërsa në fund të sfidës u shpreh i kënaqur për rezultatin dhe përballimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje vetjake që përbën një rast unik në raport me moshën në sportin e notit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›