E Diel, 1 Nëntor 2026

Frederic Miterrand, ministri që akuzohet për shfrytëzim seksual të të miturve

"Shfrytëzim seksual i të miturve", është kjo akuza e rëndë që në ditët e fundit eksponentët e së djathtës ekstreme dhe së majtës transalpine kanë ngritur për Frédéric Mitterrand, ministër i Kulturës dhe Komunikimit në Francë, si dhe nip i Presidentit të ndjerë socialist, Fransua Mitterrand. Në të vërtetë, ajo që e ka gozhduar ministrin e qeverisë Fillon ka qenë autobiografia e tij e titulluar "La Mauvaise Vie" ("Jeta e keqe"), e publikuar katër vjet më parë nëpër libraritë franceze. Në disa pjesë të librit që i kushtohet jetës së tij, 62-vjeçari, një homoseksual i deklaruar që para se të bëhej ministër, kishte një karrierë brilante si regjisor e ku mes të tjerave kishte bashkëpunuar me stacionin televiziv gay francez, "Pink Tv". Ai ka kujtuar disa nga aventurat e tij seksuale jashtë vendit, sidomos në Tajlandë, ku "i pëlqente të paguante djem të rinj për të kryer marrëdhënie seksuale me ta". Në faqet më "të rënda" të autobiografisë së tij, Mitterrand tregon tërheqjen për "të rinjtë që prostituonin në rrugët tajlandeze" dhe deklaron se njeh "detajet e pista" që rregullojnë tregun seksual. "Të gjitha këto rituale në tregun e të rinjve, tregun e skllevërve, më eksitonin pa masë. Një numër i madh djemsh shumë tërheqës dhe të gatshëm menjëherë, më ngjallnin shumë dëshira", shkruan ai në autobiografi. Në fund ai rrëfen: "Mora zakonin e keq që të paguaja djem të rinj për të bërë seks me ta". Kur u publikua libri katër vjet më parë, disa gazetarë e pyetën Mitterrand se çfarë nënkuptonte me termin "djemtë", ndërsa ministri i ardhshëm do t‘i përgjigjej se me atë fjalë u referohej meshkujve në përgjithësi dhe se ai kurrë nuk ka pasur eksperienca seksuale me fëmijë. Por edhe pse Mitterrand është ministër që prej qershorit të kaluar, historia e shfrytëzimit seksual doli vetëm tani nga kundërshtarët e tij politikë. Këta të fundit nuk i kanë vlerësuar kritikat e ashpra që ministri i drejtoi policisë zvicerane, fajtore që kishte arrestuar Roman Polanskin, regjisorin polak, për një krim të kryer 32 vjet më parë. Fjalët e Mitterrand nuk i kanë pëlqyer aspak të djathtës ekstreme të Le Pen, që e ka akuzuar se nuk ishte njeri i përshtatshëm për rolin që ka dhe ka propozuar një peticion online për të kërkuar dorëheqjen e ministrit. Vajza e Le Pen, deputete e Frontit Kombëtar, e ka cilësuar Mitterrandin një "një njollë të rëndë për qeverinë franceze". Më të ashpër kanë qenë disa eksponentë socialistë, që përmes zëdhënësit Benoît Hamon thanë: "Si ministër i Kulturës ra në sy sepse mbrojti një regjisor të akuzuar për përdhunimin e një minoreneje dhe për një libër ku tregon se ka bërë turizëm seksual. Në momentin që Franca vendos të luftojë bashkë me Tajlandën kundër shfrytëzimit seksual të të miturve, ja një ministër që shpjegon me detaje se ka qenë një shfrytëzues. Më duket diçka tronditëse". Nga ana e saj, qeveria franceze është solidarizuar me ministrin përmes deklaratave të këshilltarit të Presidentit të republikës, Henri Guaino: "Është një polemikë e kotë. Nuk ka asnjë provë kundër tij". Vetë Mitterrand ka deklaruar se asgjë nga ato që thuhen nuk mund të pranohet dhe se përmes një interviste të gjatë televizive do të shpjegojë çdo detaj lidhur me këtë çështje. Shumë mendojnë se ministri francez gjendet përpara betejës për të shpëtuar emrin dhe ndoshta edhe detyrën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›