E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i Albanës: “Mateon, dyshoj shumë se e kanë shitur”

Autori i Lajmit: red.
Vogëlushi 13-muajsh, Mateo Dullia, nuk dihet nëse është gjallë apo ka vdekur. Nëna e tij, Albana Dullia, ka shumë frikë se fëmija i saj, në rastin më të mirë, është shitur nga grupe mafiozësh dhe në rastin më të keq, mund të mos jetojë më. Dyshimet e trishta i hedh e ëma e vogëlushit. Në një intervistë ekskluzive, dhënë dje për NOA, 29-vjeçarja Albana Dullia tregon gjithçka për ngjarjen që i ka ndryshuar jetën, për 72 ditët plot ankth që po përjeton, pas zhdukjes së djalit të saj, që më datën 7 shtator kur humbi. Ishte vetëm njëmbëdhjetë muajsh.
Albana, duke shprehur keqardhjen për humbjen e vogëlushit tuaj, ne bashkohemi me dhimbjen dhe përpjekjet tuaja për gjetjen e tij.
A mund të kujtoni cilat ishin raportet tuaja me autorin e dyshuar të rrëmbimit, Hasan Kerim.
Pikë së pari, ai nuk është i dyshuari, por autori i vërtetë i rrëmbimit. Personi në fjalë kishte krijuar njohje me mua, e cila arriti deri në një bashkëjetesë, ku toleranca dhe dëshira ime për ta ndihmuar, u shfrytëzuan shumë keq. Unë e kam njohur këtë person rreth tre vjet më parë, këtu në Athinë. Unë jetoj këtu me familjen time, nënën, vëllanë dhe pjesëtarë të tjerë. Një mbrëmje ne shkuam në një lokal ku kishte muzikë orientale. Atje jam njohur me këngëtarin Hasan Kerim. Ky person ishte një emigrant nga Siria që, siç mësova më vonë, ishte pa dokumente në Greqi. Ne u njohëm dhe unë ndjeva një dëshirë të brendshme për ta ndihmuar. Ai ishte pa shtëpi, shpejt mbeti pa punë, kurse unë në një gjendje normale, me shtëpi dhe familje. Vendosa të marr një shtëpi me qira, në emrin tim, sepse ai nuk mund të merrte banesë, pasi ishte klandestin dhe nisëm të jetojmë së bashku.
Gjatë kësaj periudhe ai punonte?
Jo. Unë kam bashkë me nënën time një dyqan me aksesorë rrobash dhe në më të shumtën e kohës ai rrinte me ne. Kjo zgjati për më pak se një vit dhe raporti mes nesh ishte normal. Pikërisht kur unë mbeta shtatzënë, ndryshoi gjithçka.
Çfarë ndodhi?
Ishte e tmerrshme. Ai nisi të më konsideronte si tokën e tij, karakteri i ndryshoi tërësisht, u bë i vrazhdë, fëmijën refuzonte ta mbanim. Këmbëguli shumë herë që fëmijën ta abortoja, arriti deri atje sa të më thoshte se nuk e donte, se nuk ishti i tiji etj. Unë refuzova me bindje që të dështoja fëmijën tim të parë. Ishte një dhuratë nga Zoti dhe unë duhet ta nxirrja në jetë.
Por ai u bë edhe më i keq dhe, ndërsa isha në muajt e parë të shtatzënisë, u zhduk nga shtëpia. Që atëherë nuk ishte bërë më kurrë i gjallë.
Kur u rishfaq Hasan Kerim?
Kur ai u zhduk, jeta ime ndryshoi dhe unë isha e qetë. Pata një shtatzëni normale dhe solla në jetë djalin tim, krijesën e parë, që mori emrin Mateo. Së bashku me familjen time kemi bërë gjithçka që djalit të mos i mungojë kurrgjë dhe të rritet normalisht.
Ishte data 7 shtator, pra para 72 ditësh, kur ndodhi ajo që më shkatërroi jetën. Unë gjendesha në shtëpi dhe u bëra prè e një kurthi në të cilin rashë, sërish nga zemërgjerësia, mirëbesimi im. Pra ndodhesha në shtëpi me djalin tim, Mateon, që ende nuk i kishte mbushur njëmbëdhjetë muaj. Befas shfaqet personi në fjalë, që nuk dua t ia përmend emrin. Kishte një pamje dhe sjellje krejt të ndryshme. Por unë nuk e kuptova që ishte vetëm pjesë e planit. Ai nisi të përgjërohej se kishte ndryshuar, se donte që të rikthehej dhe se donte të ishim një familje. Unë nuk mund ta besoja, ndaj i thashë se kjo gjë nuk bëhej. Atëherë përdori një variant tjetër. “Në rregull, - më tha, - dalim që këtej, bëjmë një xhiro, që t i blej një dhuratë fëmijës tim, kaq të drejtë e kam”, - më tha. Megjithëse me hezitim të fortë, pranova, duke besuar për një çast se ai vërtet ishte i përmalluar me fëmijën që nuk e kishte parë kurrë. U gënjeva. Mora fëmijën në krahë dhe dolëm nga shtëpia këtu në Kukaki, ku jetoj dhe përballë në trotuar nisëm të ecnim. Ndërsa ecnim, më thotë: “Ma jep fëmijën të shkojmë në periptero (kioskë), t i blej biskota. I them, jo, se ka ngrënë dhe i blej biskota të posaçme për bebe. Ndërsa ecëm dhe pak metra, sërish më thotë: “Në rregull, më lër ta mbaj pak në krahë, vetëm pak metra”. Ai çast ishte fatal për mua, sepse pranova në heshtje. Këtu ndodhi e tmerrshmja. Ai e mori Mateon nga kraharori im dhe e mbajti në krahë, duke ecur pak më përpara se unë, ndërsa fëmija ishte nga unë. Kishim kaluar vetëm pak metra kur po afrohej një kryqëzim, në të cilin vijon një rrugë tejet e gjatë. Ai befas vrapoi me shpejtësi, duke i kthyer kokën djalit që të mos më shihte dhe zhduket sa hap e mbyll sytë, megjithëse unë më kot renda duke vrapuar.
Kur ndodhi kjo, ju patë të kishte ndonjë person tjetër përreth?
Ajo që dëgjova ishte një zhurmë motori, që më bën të besoj se ai po ndihmohej nga persona të tjerë, sepse u zhduk shumë shpejt.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Kam klithur me të madhe. Nuk arrija ta besoja. Aty u mblodhën shumë njerëz, lajmërova dhe policinë.
Ju ka ndihmuar policia greke?
Jashtë mase. Ata kanë punuar shumë dhe me ç më thonë, vazhdojnë të punojnë, por gjithsesi djali im nuk është gjetur dhe unë nuk e di nëse ai është gjallë apo jo.
A keni ju dyshime për fatin e djalit tuaj?
Mateo lindi pa baba, i cili e braktisi dhe nuk ishte kurrë aty, për asgjë. Unë jam e qartë. Ky person u rishfaq me një qëllim të caktuar. Për të rrëmbyer fëmijën tim, vetëm për qëllime të këqija. Unë kam shumë frikë se ai person është zhytur në krim. Kemi dyshime të forta se djali mund të jetë shitur, dyshoj te lidhja e tij me një grup mafiozësh që merren me trafikim të bebeve dhe kam shumë frikë, nëse im bir jeton më apo jo.
A ka dyshime gjithsesi se fëmija mund të ketë përfunduar në Siri?
Policia e ka hedhur si dyshim edhe këtë mundësi. Kjo për faktin se ai person nuk kishte asnjë leje qëndrimi, pa punë, pa shtëpi. Sigurisht që mund të jetë larguar, me apo pa fëmijën tim, për në Siri. Sensibilizimi në mediat greke ka qenë, madje, vazhdon të jetë i madh. Pas publikimit në Shqipëri, ngjarja është mësuar dhe nga autoritetet shqiptare.
Duke mbetur këtu, a keni pasur ju kontakte me ta dhe a ju kanë shtrirë dorën për ndihmë?
Jo. Unë kontakte kam dashur të kem, por nuk më është ofruar ndihmë. Në të vërtetë, kam dashur shumë, por shteti im, i djalit tim, sepse fëmija mban identitet shqiptar, të ndërhyjë qoftë dhe duke më mbështetur emocionalisht dhe pse jo, të kërkojë nxitje të përpjekjeve për të mësuar fatin e djalit tim. Në të kundërt, jam mbështetur shumë psikologjikisht nga “To hamogjelo tu pedhiu” (Buzëqeshja e fëmijës), një qendër për rastet e fëmijëve të humbur.
Po me ambasadën e Greqisë në Siri a keni pasur kontakte?
Po. Ne jemi lidhur me ta dhe kanë deklaruar se po bëjnë përpjekje për të zbuluar diçka, por deri tani nuk na kanë dhënë asnjë informacion.
Cili është apeli që do të donit të drejtonit?
Unë kam një thirrje të fortë për të gjithë ata njerëz që mund të dinë diçka për fatin e Mateos tim. U lutem të më ndihmojnë, duke treguar çdo gjë që mund të dinë për të. U drejtohem veçanërisht atyre personave që e njihnin dhe kishin shoqëri me atë person që, kur unë u kam kërkuar të më tregojnë se ku u zhduk pasi rrëmbeu fëmijën, kanë ngurruar duke mbledhur buzët.
Por unë i bëj një apel shtetit tim, që të jetë prezent në këtë ngjarje. Shteti im nuk gjendet kërkund, ndaj dua që të më ndihmojë në këtë tmerr që na ka kapluar këtu në kurbet.

Flet gjyshja e Mateos: “Kur kërkojmë djalin, na thonë: Po shteti juaj çfarë po bën?”

Në banesën e familjes Dullia në Kukaki të Athinës, jetojnë në një shtëpi të vogël, Albana, nëna e Mateos, vëllai i saj dhe nëna e tyre, Teuta. Teuta shprehet e pikëlluar për dhimbjen që po përjetojnë çdo ditë. “Po kalojnë 72 ditë që nuk e kam më djalin në prehër. Më mungon shumë. Vuaj për të, sikundër vuan ime bijë dhe im bir. Jemi të shkatërruar”.
Kur e pyesim cilat janë informacionet më të fundit për vogëlushin, shprehet pesimiste: “Unë e kuptoj që shteti grek po tregon se ka bërë dhe po bën përpjekje për të gjetur djalin tonë apo për të mësuar për fatin e tij. Por, sinqerisht, nuk e kuptoj pse shteti ynë na qëndron kaq larg”.
Teuta tregon se ka shkuar në ambasadën e Shqipërisë në Athinë për të kërkuar ndihmë. “Unë u tregova atë që kishte ndodhur dhe ata më përcollën me fjalët, “nëse ke denoncuar në polici dhe ata po merren me këtë gjë, ne nuk kemi ç të bëjmë më shumë”.
Teuta tregon se i ka bërë përshtypje një fakt tjetër: “Kur u lidhëm me ambasadën në Siri, na thanë: Pse autoritetet shqiptare, që kanë ambasadë në Egjipt dhe që mbulon Sirinë nuk lidhen me ne për të koordinuar punën”. Gjyshja e Mateos bën edhe ajo një apel: “I bëj thirrje vendit tim, qeverisë së vendit tim që të bëhet e gjallë dhe të na ndihmojë në këtë gjëmë. Më së paku, të përjetojnë hallin tonë dhe të na mbështesin në përpjekjet tona”.
Rrëmbimi
Mateo Dullia u zhduk më 7 shtator 2007, mbi dy muaj më parë, nga zona e Kukakit, në Athinë. Ditën që u zhduk, vogëlushi kishte të veshur, bluzë ngjyrë portokalli dhe jeshile si dhe pantallona po ashtu në ngjyrë portokalli, ndërsa mbante në këmbë një palë këpucë ngjyrë bezhë. Kërkimet e deridjeshme të familjes Dullia dhe të afërmve e miqve të tyre, policisë dhe Qendrës Kombëtare Greke për Fëmijët e Zhdukur dhe Dhunuar, kanë rezultuar të pasuksesshme.
I dyshuari
Personi që identifikohet nga policia si autor i rrëmbimit të fëmijës, është Hasan Kerim, 34-vjeçar nga Siria, emigrant klandestin prej kohësh në Greqi. Vendbanimi i tij i fundit ishte në zonën e Glifadhës në Athinë. “Fëmija është rrëmbyer nga 34-vjeçari i identifikuar me emrin Hasan Kerim, shtetas sirian, emigrant i paligjshëm në Greqi”, është deklarata zyrtare e lëshuar nga policia e Athinës. “Hasan Kerim është i paligjshëm në Greqi. Ai është i gjatë 167 centimetra dhe ka peshë 60 kilogramë”, - shtoi policia e kryeqytetit grek, e cila theksoi se po investigon intensivisht për ngjarjen që ka sjellë trishtim të thellë në familjen Dullia.
Vogëlushi
Vogëlushi që tani duhet të jetë 13-muajsh, Mateo Dullia, është 70 centimetra i gjatë dhe peshonte ditën e humbjes, dhjetë kilogramë, ai ka flokë në ngjyrë gështenjë të hapur, kurse ngjyrën e syve e ka të gjelbër. Cilido person, i cili mendon se ka të dhëna për vendndodhjen e fëmijës, të telefonojë menjëherë në numrin SOS 1056 që është një linjë e cila funksionon brenda Greqisë, apo në numrin tjetër, 0030 210 7609554.
Ky lajm është publikuar: 19/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›