E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kumari” në shënjestër të policisë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Kreu i Policisë së Shtetit, kryekomisar Arhmet Prençi, deklaroi dje se nuk do të ketë asnjë tolerancë për lojërat e fatit të palicencuara, duke lënë kështu të nënkuptohet kalimin në sitën e policisë të të gjitha këtyre sipërmarrjeve. Prençi ka deklaruar se tashmë është hartuar një platformë për goditjen e këtyre bizneseve të paligjshme, duke theksuar dhe bashkëpunimin me tatimorët në të gjithë vendin. Deklarata e kreut të policisë është bërë dje, pas një takimi me shefin e Antimafias Italiane, të zhvilluar në Tiranë.
Deklarata
Numri një i policisë shqiptare paralajmëron një sulm tjetër ndaj lojërave të fatit të palicencuara. Kryekomisar Ahmet Prençi pohoi dje se është hartuar një platforme për goditjen, por të dhënat kryesore janë marrë nga tatimorët. "Kemi analizuar të gjithë informacionin e duhur dhe janë 66 subjekte të penalizuara", - u shpreh Prençi. Ndërsa në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike, kreu i policisë u shpreh se në statistikat e policisë shqiptare ndihet një rritje e femrave të përfshira në trafikun e heroinës. Një e gjashta e të arrestuarve janë femra, një evidencë kjo e dalë, pasi për shefin e policisë shqiptare goditja e trafikut lokal të heroinës është futur në plan të parë. "Kemi përqendruar punën tonë në punën e shpërndarësve. Janë 174 shtetas që shpërndajnë heroinë, 23 prej tyre femra", - saktësoi Prençi. Sipas Prençit, Shqipëria po del nga korridori i trafiqeve. Gjatë raporteve të policive homologe, ai zbulon se, në shumicën e transportit, trafikantët e shmangin Shqipërinë.
Takimi
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, priti në një takim Kryeprokurorin e Antimafias Italiane, Piero Grasso. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se gjatë këtij takimi, Drejtori i Përgjithshëm e njohu Prokurorin e Antimafias me rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit vitet e fundit.
“Bashkëpunimi i Policisë Shqiptare me Policinë Italiane, me ROS-in, etj. dëshmon më së miri se nga dhjetori i vitit 2005 e deri më sot, rezultatet e Policisë së Shtetit kanë njohur vetëm rritje. Këto rezultate janë arritur në sajë të një bashkëpunimi tejet profesional e të suksesshëm me strukturat elitë të policive evropiane me koeficient suksesi 100%. Rezultatet kanë ardhur paralel me reformimin e gjithanshëm të strukturave të Policisë Shqiptare, e cila megjithëse në këto dy vite është reduktuar jo pak, ka rritur ndjeshëm profesionalizmin e në këtë mënyrë kredibilitetin përballë partnerëve të saj evropianë, - nënvizoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Lufta ndaj krimit të organizuar ka qenë një tjetër pikë e diskutimit, ku Prençi paraqiti rezultatet konkrete të policisë shqiptare, duke vënë në dukje se është minimizuar trafiku i drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Ndër të tjera, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e falënderoi z. Grasso për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe i kërkoi atij intensifikimin e këtij bashkëpunimi shumë të frytshëm. Ndërkohë që nga ana e tij pasi vlerësoi arritjet e policisë shqiptare, theksoi se gjetja e një rruge të përbashkët për të bashkërenduar veprimet në luftën kundër krimit të organizuar është thelbësore dhe primare e një bashkëpunimi dypalësh.
“Për të gjetur prova dhe tregues që të çojnë në rrjetet kriminale duhet një bashkëpunim ndërnacional, ndërkohë agjencitë e zbatimit të ligjit si ROS, Policia Italiane, Guardia di Finanza punojnë në mënyrë intensive për mbledhjen e elementëve të provës. Baza e një hetimi është prova dhe duke qenë se bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë i frytshëm, edhe arrestimi i elementëve kriminalë ndërkombëtarë do të jetë akoma dhe më i suksesshëm,- u shpreh z. Grosso.

Ky lajm është publikuar: 19/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›